FLAKË PËR FLAKË / I Gjati flet për drejtorët e bashkisë: Shikoni sa janë shtuar vizitorët në Butrint!

27 Korrik 2025, 15:33Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I gjati duke komunikuar me të shkurtrit

TIRANË – I Gjati (miqtë e huaj i thërrasin the Tall One, Quello Alto, O Psilos, Le Grand) u është përgjigjur dje në ternenet përmes programit Sytë Që të Plasin, të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve – dhe të ndonjë fshatari – lidhur me zhvillimet më të fundit në vend dhe aksionet qeveritare.

Me stilin e tij të drejtpërdrejtë, që s’pranon pirueta dhe rikosheta, devijime dhe diversione, konveksione dhe projeksione, I Gjati ka hyrë drejt e në temë, ka folur troç dhe i ka rënë problemit në kokë, aq sa problemi i shkretë nuk dinte ku kishte kokën.

*** 

Pyetja e parë kishte të bënte me Thethin. Jo, nuk ishte ajo përse se zgjodhi pikërisht pikun e sezonit turistik për të prishur kabinat dhe lemerisur turistët, por: Përse para pak kohësh i ftoi gjithë vendalinjtë të ktheheshin e të investonin sa më shpejt, se do t’u falte gjobat, kur ai e dinte se Thethi si zonë e mbrojtur nuk kishte asnjë plan rregullues specifik, dhe se ata që do kursenin gjobat në këmbim të investimit, do të gjobiteshin sërish? Apo mos vallë, ai nuk dinte asgjë nga këto, por foli ça i thanë të tijtë shpejt e shpejt dhe iku?

Kësaj pyetjeje I Gjati iu përgjigj: Më në fund, kalamajtë dhe pensionistët e kryeqytetit do të kenë hapësirat e tyre dinjitoze poshtë pallateve!

***

Një pyetje me spec ishte fshesa ndaj gjithë drejtorëve e përgjegjësve të bashkive socialiste në gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Zoti Alto, tani e zbulove që këta drejtorë nuk punonin dhe vetëm vidhnin? Apo i le të bënin para, ua more ato që të duheshin për zgjedhjet dhe tani u thua: Boll, hëngrët, ikni se do hanë dhe të tjerët?”, shkruante një tip tendencioz që i mungonte takti.

Këtu I Gjati nuk ja përtoi: “Ahh më raftë pika, të ka vënë Saliu të provokosh, hë? Sa për drejtorët, shiko këtë videon me turistët e huaj që janë dyndur në Butrint. E di ti që Butrinti është themeluar në shekullin VII P.e.s? Hiç nuk e di, edepsyz!”

*** 

Një pyetje me spec, rigon, pak tabasko dhe uthull balsamike të spërkatur me vaj ulliri të zhvirgjëruar, kishte të bënte me bashkinë e Tiranës.

“O mjeshtër, mora vesh se Tiranën do ta menaxhojë Bella Ballukja. A i mban dot ajo kaq shumë kastraveca në të dyja sqetullat? Se i dhe energjinë, rrugët dhe financat, i ngarkove dhe Fierin për zgjedhje. Apo po planifikon që ta lehtësojë SPAK-u sa të vijë vjeshta? P.S. Mos vallë po përgatit Zegjinenë për të drejtuar Tiranën?”

I Gjati nuk duroi dot më. “Dëgjo këtu ti,” i shkroi provokatorit, “këto pamje me plazhet e Rodonit të liruara nga shezlongjet pa leje, flasin më mirë se çdo koment i imi!”

Por kjo pikë e debatit ishte me kaq interes, saqë në bisedë u fut dhe një dashamirës anonim me adresë nga Lugano e Zvicrës, që dukej se kishte njohuri të anglishtes:

“Mister Tall, një ndërhyrje të vogël kisha. Meqë Lalin e fute brenda dhe atij nuk i lejohen as telefonat, pse nuk ma jep ta drejtoj unë Tiranën që këtej? Të paktën unë jam i lirë dhe mund t’i drejtoj punët me viber! Të siguroj se jam velur edhe nga dardhat, edhe nga mollët. Vetëm ndonjë pjeshkë ma ka qejfi herë pas here. Si thua?”.

Këtj tipi, I Gjati nuk iu përgjigj flakë për flakë si në rastet më sipër, por i devijoi: “Po ore, apliko direkt në platformën ‘Koka e turkut që duam’ dhe flasim!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike freskore anti-vapore   

        


Video