Na ishte një herë një djalë me shumë ambicie që quhej Tiku. Ai shikonte shumë padrejtësi rrotull tij dhe donte të bënte diçka për të ndihmuar të pafuqishmit. Por për të arritur këtë, në fillim i duhej të fuqizohej. Kështu për të drejtuar padrejtësitë, ai vendosi të studionte për drejtësi. Ndërkohë merrte pjesë në veprimtari kombëtare kudo ku kishte ngjyra kuqezi, sidomos në aktivitetet e një juristi të sprovuar, që studenti i ri e kishte idhull. Ai quhej Niku.
Tiku shkonte shpesh me Nikun në Sarandë, për të parë me dylbi Korfuzin armiqësor atje tej, që gëlonte nga krimet dhe korrupsioni. Pastaj kthehej për drekë te shtëpia e vjehrrit, që si gjykatës pararojë, ishte bërë tmerri i korrupsionit në zonë.
Megjithatë, lëvizja e Nikut nuk zgjati shumë, sepse ai e qepi jorganin më të shkurtër nga sa kishte këmbët, që edhe ato nuk është se i kishte të gjata. Kështu që Tiku, që tashmë kishte mbaruar edhe shkollën e lartë, vendosi të ecë përpara pa Nikun. Ai u tha shokëve:
“E dini? Unë do bëhem avukat!”
“Bëhu po deshe edhe akrobat! Vetëm thuaji një llaf atij vjehrrit se kemi një gjyq pronash javës tjetër!”
Dhe kështu, me miq e shokë, Tiku u bë figurë e njohur. E merrte televizori, fliste me zjarr, kishte prirje aktoriale, nxihej kur përmendte vuajtjet e fukarenjve, hajdutëritë e politikanëve, vjedhjet e ministrave, punësimet e farefiseve nëpër punë të rehatshme… Dhe zotohej se sapo të merrte ai pushtetin, këto dukuri negative dhe aspak pozitive do të merrnin fund.
***
Në rrugën e tij të luftën kundër dukurive jo-pozitive, Tiku takoi Ndrion, i cili ndryshe nga Tiku, mbante syze, fliste qetë dhe, kur të tjerët nuk e kishin mendjen, vinte para emrit të vet gërmat Dr.
“E di? Unë jam avukat,” u prezantua Tiku, “a do ti Ndrio, të luftojmë fenomenet e këqija? Unë jam dinamik, ti je filozofik, jemi kombinim i përsosur. A do të bëjmë një dishe, siç thotë vjehrri im sarandiot, dhe të rrëzojmë nga pushteti këta rrugeçërit?”
Ndrio hoqi gjyslykët, i fshiu për nja pesë minuta, shfletoi nja dy libra, pastaj tha: Po ore!
Nuk kishte kohë për llafe. Zgjedhjet ishin afër, dhe shokët dhanë shembullin e parë të altruizmit, kur vendosën të bëjnë listat e kandidatëve për deputetë.
“Nuk do vëmë veten në krye, por aktivistët e lëvizjeve tona,” thanë ata. Dhe kështu bënë.
Qëlloi që aktivistët më të zellshëm ishin pikërisht baballarët, dajallarët, të fejuarat, kushërirat dhe baxhanakët, por Tiku me Ndrion nuk i shihnin këto gjëra: Rëndësi kishte që viheshin ata që e meritonin. Dhe më kryesorja, që kandidatët e parë të paraqisnin një deklaratë në KQZ, se nëse largqoftë fitonin, nuk do ta pranonin deputetllëkun.
Por tek e fundit, duke qenë se nja 20-30 deputetë i kishin të sigurtë, Tiku dhe Ndrio me siguri do ishin në parlamentin e ri.
***
Sikur fushata elektorale të zgjaste nja dy vjet, Tiku dhe Ndrio do ishin ende miq për kokë. Mirëpo ajo mbaroi, zgjedhjet e u bënë dhe miqtë s’dinin ku kishin kokat: Kishin marrë së bashku vetëm një deputet.
Këtu filloi sherri si ta ndanin. Dajot dhe kunetërit nuk pranonin të iknin nga lista, sepse rastësisht kishin marrë vesh që deputeti kishte nja 4 mijë euro rrogë.
“Ju vetë na thanë që u tërhoqët për alturizëm, nuk është mirë të ikim në mes të sezonit turistik,” pretendonin ata.
Tiku shante Ndrion, Ndrio fshinte syzet dhe pastaj shante Tikun, ndërkohë që bota bënte sehir.
Por gjendja u acarua edhe më shumë kur dy kushërinj të Tikut, që kishin dyqan sufllaqesh në Kanada, telefonuan Ndrion dhe i propozuan t’i thyenin syzet, pastaj brinjët dhe disa gjymtyrë më pak të rëndësishme.
Tiku e kuptoi që po hynte në një rrugë pa kthim, ndaj bëri një gjysmë kthese: “Ka një keqkuptim. Unë me Ndrion jemi aleatë. Ata kushërinjtë nuk e flasin mirë shqipen. Donin t’i blinin një palë gjyslykë të rinj mikut tim, se nuk i ka ndërruar fare këto dy vjet”.
****
Legjenda thotë se Tiku me Ndrion jetuan mirë, dhe ne më mirë. Thjesht Tiku nxorri nga sënduku ato dylbitë e vjetra të Nikut, sepse i thanë që këtej e tutje, parlamentin do ta shohësh vetëm me dylbi. Por nga ky tregim nxjerrim një mësim shumë të vlefshëm: Që shumicën e dyqaneve të sufllaqeve greke dhe picave italiane nëpër botë, i kanë shqiptarët.
Vini Re: Patronazhisti është, për fat të keq, një rubrikë më pak humoristike se ngjarja e mësipërme