KOMENT nga I GJATI / Do të zgjidhësh një problem? Mos kërko zgjidhjen, por zhduk problemin!

15 Korrik 2025, 11:04Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati duke marrë në dorë librin e autorit të tij të preferuar

Shkruan: I GJATI

Një teori e habitshme, lindur prej nuk e di çfarë burimesh apo arsyetimesh të përçudshme, është hedhur në eter ditët e fundit, sikur unë dua të marr për vete Thethin, ta fus në xhep dhe të iki me vrap. Arrij ta vizualizoj madje, sesi unë me Thethin në xhep vrapoj e rend si maratonomak, ndërsa xhagajdurët e fantazive të sëmura më ndjekin nga pas duke klithur në kupë të qiellit, “kapeni more kapeeniii!”

Këto përralla dylekëshe mund të bëjnë për të qeshur, po njëkohësisht nuk është çudi që edhe të hedhin rrënjë në trurin e shqiptarit të zakonshëm. Kështu thanë edhe për Rivierën e Jugut, edhe për ku e di unë çfarë tjetër. Medemek do ta merrja unë atë breg gjithë skërka, ku s’ka një pëllëmbë baltë e ku mbijnë vetëm ferra, dhe do ta sillja në shtëpi.

E ku janë sot ata shpifarakë? Nuk kanë gojë, sepse e shohin që bregun nuk e kam unë, por investitorët nga Tirana, Fieri e Elbasani, Kukësi e Kosova. E shohin sesi gëlon turizmi elitar, që katundarët brekëgrisur të zones, ata Kiçot e Miçot pa dhëmbë në gojë nuk do ta arrinin as për njëmijë vjet. Dhe sa për ata që më akuzojnë se unë fshihem pas tyre, apo se marr përqindje të fshehta, apo se veç përqindjes u kërkoj edhe ndere sa herë vijnë zgjedhjet, apo të gjitha këto bashkë, atyre u them se nuk ka bir Selman i nënës që të kërkojë paratë e mia në xhepat e tyre. Se xhepat e mi me paratë e tyre në xhepat tanë që i duan paratë për të vjedhur pushtetin që të vjedhin shtetin për të vjedhur zgjedhjet… Një sekondë, se më zuri makina…

Hë, e kishim tek Thethi. Jo zotërinj. Thethi ishte bërë problem. Unë vërtet u thashë atyre katunarëve që s’marrin erë nga jeta, ejani dhe investoni, por jo kështu kuturu. Bëhuni bashkë, zgjidhni investitorin strategjik të zemrës, daç ministër, daç aktor portokallesh, dhe jepini.

Pa le, po thonë tashi se zgjodha kohën e gabuar, mesin e sezonit. Po kur të ndërhynim estetikisht në Theth, aty ku zihen rrugët nga bora që në tetor? Apo të më ngeleshin inspektorët e IKMT-së të ngrirë majë pemëve, si fillrojtësi Dedë?

Thethi ishte bërë problem. Në këto raste dy rrugë ka: Ose gjej zgjidhjen, ose zhduk problemin. Unë kështu kam vepruar gjithmonë, dhe nuk i ndërroj bindjet e mia oksidentale, merr vesht. Konkretisht, në qoftë se nuk ka më Theth, s’ka sesi të ketë çështje të Thethit. Ashtu siç nuk ka më çështje Sajme, çështje Lali, çështje Tigri apo siç nuk do ketë çështje të tjera në të ardhmen e afërt.

Pse? Sepse donin të hanin dardha pas shpinës sime. Më lejoni ta sqaroj dhe këtë pikë:

Unë me bashkëpunëtorët e mi dua të krijoj një frymë ekipore, dua të jenë të aftë në punën në grup, siç thonë dhe këto cv-të moderne. Kështu që në jo pak raste, jemi ulur të hamë dardha bashkë. Mirëpo unë kam dhe punë të tjera, konferenca globale, samite, ulje në gjunjë e kështu me rradhë. Ndaj shpeshherë çohesha dhe thosha, boll hëngrëm, unë po iki. Dhe ktheja kurrizin. Mirëpo do ti që ata vazhdonin të hanin dardha edhe pas kurrizit tim? Ja, këtë gjë unë nuk e duroj. Është totalisht joetike.

Shumëkush harron se vetëm ca vite më parë, kishte plasur një papunësi e madhe në vend, që ç’tju them. Po kush e krijon papunësinë? Njerëzit që nuk punojnë, afërmendsh. Po në qoftë se ti i degdis të gjithë ata nëpër Europë e botë, atëherë papunësia ulet. Dhe jo vetëm kaq, por rritet dhe GDP-ja për frymë, se mbeten më pak njerëz. Pak e saktë, thotë populli. Domethënë, ai pak popull që ka mbetur.

Le të marrim tjetrën. A ka gjë më mizerje, më pa shije, më pa gusto, sesa të shohësh fshatarë që vijnë lart e poshtë nëpër qytet me pesë kile djathë apo dy shishe qumësht të paregjistruar në QKB, e që rrezik është prodhuar nga dele pa nipt? Si i bie më mirë, t’i ndihmosh këta të pagdhendur që nuk njohin as përafrimin e legjislacionit me BE-në, as acquis communautaire, e t’i bindësh duhet të mblidhen bashkë, të hapin një baxho (çfarë emri i ndyrë prostituitiv), të regjistrohen, të kontrollohen e pastaj të shesin? Kush do t’i kontrollojë njëherë, ata të paaftët e AKU-së?

Kështu që më mirë shkrije fare AKU-në se s’ke nevojë fare për votat e atyre pocaqive, këshilloji me të mirë dhe katundarët të zhduken e mos t’ju shoh më këtu, dhe problemi eliminohet.

E kam menduar gjatë nëse duhet të shkruaja për këto shqetësime, apo t’i mbysja brenda vetes dhe t’i bëja kurban të shpirtit tim të trazuar. Por njeriu duhet të shprehet, aq më tepër artisti. Prandaj shfrytëzoj rastin t’ju kërkoj një mendje: Çfarë shalli t’i bëj dhuratë Xhorxhias javës tjetër, një mëndafsh ngjyrë çiklamine me motive nga pikturat e mia, apo një Kashmir që ka të stampuar një panoramë të mrekullueshme të Thethit?

Juaji, I Gjati…

Vini Re: Ky koment mbërriti në redaksinë e Patronazhistit teksa po gatitej për t’u shembur dhe kabina e fundit kriminale në Theth  


Video