TIRANË/DYRRAH/LESH – Jo çdo e mirë vjen për keq. Në qoftë se këto vitet e fundit, nën ndikimin e mediave të huaja, shqiptarët kanë bredhur pa fund lart e poshtë Shqipërisë në kërkim të “Maldiveve të Ballkanit”, “Sekretit të fundit të Mesdheut”, apo “E fshehta e fundit e Europës Juglindore, sa futesh, djathtas, bjeri ziles”, kjo ka ndodhur se ata ishin të paqartë se çfarë kërkonin.
Dakord, sasia e hatashme e bananeve që kanë hyrë në vend ka dhënë ca indicie se Shqipëria po i afrohet tropikut, por gjithsesi kjo e dhënë ishte e pamjaftueshme që shqiptarët ta kuptonin se po jetonin në një parajsë tropikale.
Edhe mediat vendase, tradicionale dhe online, nuk kanë ndihmuar shumë në këtë drejtim me raportimet e tyre. Të ngushta dhe pa horizont, ato në përgjithësi raportojnë vetëm për pensionistë që s’u del rroga dhe u shkojnë lotët litar kur kryeministri u jep nga një pulë fshati për Vit të Ri; për largimet masive nga vendi, për shkollat me suva gjithnjë e më të re dhe gjithnjë e me më pak nxënës; për kullat e larta të Tiranës dhe qytetet e tjera që kthehen në fshatra, e fshatrat që kthehen në fantazma.
Edhe kur shkruanin për turizmin, ato fokusoheshin tek 7 orë ngecje në trafik për të parë pak det, tek pisllëku dhe zhuli që mbulon zonat turistike sa kalon vijën bregdetare, tek pronarët e shezllogjeve që shqepnin në dru njëri-tjetrin… Disa madje kritikonin qeverinë pse numëron si turistë, shqiptarët me pasaportë të huaj që shkojnë në shtëpinë e vet. Gazetarë provincialë dhe të ligj, me pak fjalë.
Vetëm kur në shtypin e huaj prestigjioz – dhe a ka më prestigjioze se tabloidet? – nisën të shfaqen tituj shastisës dhe magjikë për Shqipërinë, disa televizione kombëtare me profil katundar u mrekulluan. Ato nisën të raportojnë raportimet, duke fërkuar sytë nga habia sesi u paskësh shpëtuar kjo Shqipëri sekrete.
“More, i paskemi rënë të mirës me shqelm,” raportonte i tromaksur TV Plani, “se gazeta prestigjioze meksikane La Kukaraça shkruan që Shqipëria ka ujëra të kristalta, rërë prej diamanti, bregdet të kadifenjtë dhe çadra të mbuluara me mëndafsh!”
***
Megjithatë skeptikët kokëshkëmbenj nuk bindeshin. S’është e mundur, thoshin, ç’ne ky vend parajsë tropikale? Ne mezi shtyjmë muajin…
Më në fund, u desh stuhia tropikale e fundit të gushtit, që të gjithë shqiptarët e mbetur në vend të bindeshin se mediat prestigjioze kishin të drejtë. Ja ç’tha për Patronazhistin 68 vjeçari Llazi Pullazi:
“Sapo kisha paguar dritat dhe po shkoja në shtëpi, kur qielli u nxi papritur, filloi një erë e marrë që më mori kapelen, dhe në vend të saj më erdhi në kokë një tabelë dyqani. Ishte fiks një stuhi tropikale si ato që shifnim në televizor. Shyqyr që ja arritëm kësaj dite”.
I riut 27 vjeçar Ndrec Keci, kandidat për të ikur në Gjermani në tetor, deklaroi: “Parajsë tropikale pa stuhi tropikale nuk ka. Përfundimisht, po ndodhi dhe një stuhi tjetër nga mesi i shtatorit, unë nuk iki nga vendi im. Shqipëria është e bekuar, edhe pse një pemë ra mbi motorrin tim dhe e bëri copash”.
Një propozim interesant bëri pensionisti patronazhist Kiço Kërma:
“Po ta them, se ne patronazhistët jemi të një zanati: Ashtu si në botën e qytetëruar, ku të gjitha stuhitë kanë një emër, edhe kjo e jona e meritonte një. Ishte stuhi serioze, siç i ka hije vendit tonë. Ja, mua më shkuli depozitën dhe tarraca dhe e hodhi mbi makinën e Lutfiut, që është akoma me Berishën. Unë do ta shtroj si çështje në mbledhjen e rradhës të PS-së së lagjes, që ta quajmë stuhia Edi!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-tropikale