1- Mbarë populli ynë u gëzua pa masë këtë javë, kur në portin e Durrësit u ankorua jahti super-luksoz i mikut të madh të Shqipërisë, bashkëthemeluesit të Gugëllit, Serjozha Brin. Kjo vizitë është një tjetër arritje e qeverisë dhe partisë sonë, e cila ka bërë të mundur që, me shitjen e karburantit të anijeve për dy lekë, të mbledhë në portet e atdheut anijet më të bukura të botës. Kësisoj, edhe kalamanët qeshin e gëzojnë me vaporët e stërmëdhenj, si dhe dalin fotografi që ta kenë kujtim kur të mbarojë paqja.
Më herët, në portet tona krenare u ankoruan edhe jahte të miqve të tjerë, si ai i sheikut të Emirateve, Abu Zullap bin Katrani, i miliarderit turk Çakmak Çarçaf, i investitorit korean Pak Nga Pak, etj. Këto vizita kanë shtuar ndjeshëm daljen e banorëve lokalë nga shtëpitë për të bërë sellfi me anijet në sfond.
2- Kryeministri shqiptar ka njoftuar së fundmi hapjen e një portali special, ku qytetarët ftohen të denoncojnë të gjithë qytetarët e tjerë që kanë zaptuar hapësira publike fshehtazi, duke i shpëtuar syrit të mprehtë të policisë së shtetit, asaj bashkiake, kufitare, policisë elektrike, asaj pyjore dhe policisë së livadheve.
Kështu, ata shtetas që në 35 vitet e fundit kanë zënë tokë publike, kanë ndërtuar dhe kanë legalizuar, kanë bërë shtesa, ndërtuar në bregdet e në mal dhe janë shndërruar në investitorë taktiko-strategjikë, inkurajohen të padisin pocaqitë që u kujtuan vonë për të bërë të njëjtën gjë me ato pak metra katrorë që kanë mbetur.
Kryeministri deklaroi për mediat se është i detyruar t’i vërë shqiptarët krenarë të spiunojnë njërin-tjetrin, sepse këtu s’ka shtet, ky vend nuk bohet, kta janë derra mër jahu, dhe sepse të gjitha institucionet që duhet ta bëjnë këtë punë, janë të zëna duke u mbllaçitur pas kurrizit të tij, pasi ka filluar sezoni i dardhave.
Kryeministri premton se vala e spiunimeve komshi me komshi, vlla me vlla, baxhanak me kunat dhe Ilir me Monikë, do të jetë e përkohshme, sapo të kthehen nga pushimet satelitët Albania 1 dhe 2, Lasgushi 5 dhe 6, si dhe stacioni hapësinor shqiptar Belinda 3.
3. Prej të paktën një muaji, situata e zjarreve në vend është stabilizuar, njoftoi dje Ministria e Mbrojtjes dhe Kundërsulmit, drejtuar nga mesfushori me tipare portieri, Virro Pengu. Ministri deklaroi se ashtu si verën e kaluar, zjarret në gjithë Shqipërinë janë vënë nën kontroll.
“Ne i kontrollojmë vatrat e zjarrit çdo ditë, dhe ato po ecin shumë mirë,” siguroi Pengu, “javën e kaluar u bëmë pak merak, se shiu që ra shoi gjysmat e tyre dhe rrezikoi seriozisht të tjerat. Por sot mund të themi me bindje se zjarret do vazhdojmë t’i kontrollojmë deri nga mesi i shtatorit. Për në vonë nuk ju premtoj dot gjë, se kemi dhe punë të tjera”.
4. Kriza e kohëve të fundit dhe defiçitet e krijuara në frontin delikat të djegies së plehrave në zonën e parë operative Vlonë-Gjinokastër dhe në qarkun e Elbasanit, u kapërcye me sukses pas mobilizimit të qytetarëve dhe fshatarëve, rinisë kooperativiste, asaj studentore dhe inteligjencës anti-popullore.
Siç kemi raportuar edhe më herët, pas djegies masive dhe të paplanifikuar të plehrave përkatëse, dy qytetet me traditë dhe kulturë qytetare – ndryshe do ishin fshatra – po rrezikonin të mbeteshin pa plehra. Kryetarët e bashkive dhanë alarmin se rezervat e plehrave për djegie në natyrë nuk mjaftonin as për dy-tre ditë, dhe nga njëri moment në tjetrin, Vlora dhe Elbasani mund të mos ishin më ato qendra urbane që njohim të gjithë, zjarret e të cilave duken edhe nga sateliti Naimi 9.
Por mobilizimi i përgjithshëm bëri që në kohë rekord, të akumuloheshin sasi të reja plehrash, që u zbuluan në rrëzat e Malbardhës. Kështu jo vetëm që djegia vazhdon me ritme të reja, por janë mbledhur rezerva të bollshme dhe tani, bashkitë e Vlorës dhe Elbasanit po punojnë për vitin 2026.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro arritjeve historike