REPLIKA/ Sadrazemi vë syzet magjike dhe u përgjigjet akuzatorëve

15 Gusht 2025, 11:07Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sadrazemi Bojalli duke dhënë përshtypjet e tij për zjarret

DIKU NË NJË LIVADH TË SURRELIT – Me shpinën e torturuar nga dhimbja kronike e mesit, që po gjente më në fund pak prehje në barin e butë të livadhit, dhe me kamerën e celularit të kthyer mbrapsht drejt portretit të tij gjithnjë e më shumë ismail-qemalesk, Sadrazemi Bojalli vendosi t’u kthejë përgjigje jo vetëm popullit, por të gjithë akuzatorëve të paduruar, gojë-helmatisurve që edhe tek e mira shohin vetëm të keqen, e jo më të shohin ndonjë të mirë tek e keqja; me një fjalë, gjithë llapaqenëve që nuk presin sa të ftohet situata dhe të pushojnë zjarret për të gjykuar ftohtë, por hidhen me vrap dhe kërkojnë qiqrra në hell.

Kohën e kishte zgjedhur tamam. Sapo kishin filluar ca shira, zjarret ishin tërhequr dhe ata kuaj që ishin për t’u djegur, ishin djegur; ca të tjerë ishin vrarë me çifte, ndërsa të tjerët kishin shpëtuar.

Kishte veshur një t-shirt të kuq dhe një palë gjyslyqe po aq të kuqe – si ato që mban ai biznesmeni që shpëtoi Parashqevi Simakun nga rrugët e Nju Jorkut; ai që të gjitha titujt e mediave shqiptare thonë se thyen tabu njëra pas tjetrës, edhe pse në kohën kur Sadrazemi ishte i ri, tabuve u thoshin ndryshe.

Kishte mbledhur shumë inat, por do fliste me qetësi. Tek e fundit, kishte të drejtën me vete.

Fjalën nuk e nisi me “jam këtu para jush për t’ju raportuar” ose “për t’ju dhënë llogari”. Si shejtan që është, filloi shpengueshëm me “desha të ndaj me ju disa përshtypje”, a thua se do fliste sesi iu duk romani i fundit i Dan Braunit.

Dhe filloi: “Së pari, ato 200 e kusur shtëpitë plotësisht ose pjesërisht të djegura, do t’i riparojmë ose rindërtojmë sa më shpejt. 40 familjet që kanë mbetur fare pa strehë do kenë prioritet, ndërsa 3600 kokë bagëti të humbura, do të dëmshpërblehen.

Tani, një përgjigje atyre që thonë, pse nuk kemi avionë dhe helikopterë zjarrfikës. E keni parë Francën, Greqinë, Spanjën? Plot me avionë janë, po zjarret i kishin më të mëdha se ne. Pastaj, neve na erdhën avionët e Europës së bashkuar. Do thoni ju, është ndryshe kur e ngre avionin tënd në çastin e parë të zjarrit, dhe ndryshe kur të vjen avioni i mikut tre ditë më vonë. Dakord, askush nuk është prefekt, megjithëse kemi 12 të tillë, nga një për çdo qark.

Por ç’të blejë më parë qeveria e shkretë? Të paguajë satelitët anti-zjarr Vrana Konti 1 dhe 2, të zbatojë projektin e pyllit vertikal 4 milionë euro në oborrin e kryeministrisë, të integrohet me BE me ministri të inteligjencës artificiale, apo të merret me ca flakë ordinere që na prishin terezinë në mes të gushtit?”

Dhe këtu Sadrazemi Bojalli mori frymë thellë.

“E shihni si nervozohem nga akuzat e padrejta? Tek e fundit, edhe avionët anti-zjarr i ka porositur ministri ynë Viro Pengu, besoj se për 5 vjet na vijnë. Por puna është se s’kemi pilotë, ndaj na duhet një projekt pilot për trajnimin e pilotëve. Deri atëherë, zjarrfikësit tanë do stërviten në përdorimin e gjetheve të fikut.

Pale pastaj ku thonë se s’kam lekë për avionë zjarri, sepse i kam harxhuar me aeroplan privat. Shpifje! Unë aeroplanin privat e përdor vetëm kur jam me punë shteti, ndërsa punët private i bëj me avion shteti si gjithë njerëzit.

Tani, sa për bagëtitë dhe fermerët e dëmtuar, i ftoj të gjithë të interesuarit të aplikojnë për Paketën e Maleve dhe për Stekat e Fushave. Vetëm se ka një kusht:

Ngaqë kemi pasur shumë mashtrime dhe abuzime vitet e fundit me fondet bujqësore - ka gjithnjë nga ata që hanë kastraveca pas shpinës sime - duhet që bagëtitë e dëmtuara të aplikojnë personalisht dhe jo të maskuar pas të tretëve. Për këtë do vëmë në krye të punëve specialisten tonë më të mirë, Krifa Fridcën.”

*        

Në fund Sadrazemi iu drejtua drejpërdrejt akuzatorëve shpifanjozë: “Po po, ju drejtohem juve që flisni nga kafenetë, plazhet apo nga ndonjë livadh fshati…” por ndërkohë në sfond u dëgjua një zë femre, “Ediiii, hajde se do ftohet akullorja, nuk vihet në gojë pastaj…”.

Duke harruar ta fikë videon e celularit, Sadrazemi shfry dhe u ngrit, “Erdha moj erdha… Ehuhaaa, nuk të lënë të bësh gjumë vape hiç”.

 Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro gjumit të vapës


Video