BIZNES / ATSH ja jep me qera rubrikat e lajmeve qeverisë telegrafike shqiptare, ja kush përfiton!

21 Gusht 2025, 15:00Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Momente te gëzueshme nga dhënia me qera e rubrikës së shëndetësisë

TIRANA – Si një dritare serioze dhe profesionale që pasqyron arritjet, sukseset, dhe ndonjëherë edhe arritjet e suksesshme të qeverisë shqiptare, Agjencia Telegrafike gjithashtu Shqiptare është ngjitur një shkallë më lart në raportimin e vet të paanshëm dhe të ftohtë të aktualitetit në vend.

Patronazhisti mëson se, ndryshe nga sa sugjeron emri demode i agjencisë shtetërore të lajmeve, që dikush mund të mendojë se funksionon ende me telegraf apo me pëllumba postierë, telegrafikët janë modernizuar në raportim, brenda një kohe shumë të shkurtër.

Kështu, ATSH-ja ka pushuar së torturuari gazetarët e vet duke i dërguar nëpër vendngjarje, evente, konferenca apo takime, çka ka rritur jo vetëm cilësinë e raportimit, por ka kursyer milionë lekë në karburant, shoferë e dieta. Detyrën e raportimit të ftohtë dhe të paanshëm e kanë marrë vetë ministrat e qeverisë, njoftimet e të cilëve në fejsbuk transferohen me shpejtësi lajm-thirrjeje në rubrikat përkatëse të faqes online të ATSH-së.

Fjala vjen, të gjitha lajmet nga energjia dhe infrastruktura nisin me “Balluku: Përfundon 53% e punimeve të filan rruge”, dhe ditë pas dite, përsëritet i njëjti titull, ku ndryshon paksa vetëm shifra e përqindjes.

Kuptueshëm, lajmet e bujqësisë nisin me “Denaj:” dhe në vijim lajmërohen thagmat e papara në agrikulturë, agro-biznes, import-eksport kastravecash, paketat e bollshme subvencionuese për fermerët etj.

Ministri Gonxhja ka prenotuar rubrikën e kulturës, dhe disi nga ekonomia dhe inovacioni. Për shembull, në qoftë arkeologët zbulojnë diçka të vjetër – si të paaftë që janë të gjejnë gjëra të reja - , ata nuk njoftojnë as publikun dhe as mediat, por direkt Gonxhen, i cili pastaj nxjerr lajmin me titull: “Gonxhja: Ja çfarë ka zbuluar ministria e Kulturës me ndihmën e arkeologëve”.

Vijojnë “Manja:”, në lajmet e drejtësisë, “Vengu:” me sektorin e fikjes së zjarreve dhe NATO-s etj etj. Por kampione në llojin e vet mbetet ministrja shëndetësore e mbrojtjes sociale, rubrikat shëndetplotë të së cilës nuk lënë asnjë boshllëk pa vënë titullin “Koçiu:”. I vetmi variacion është se ndonjëherë mbiemri i ministres vendoset në mes, ose në fund të titullit. Kësisoj, lexuesit kuptojnë se gjithçka çfarë ndodh në shëndetësinë shqiptare, ka lidhje me ministren. Çdo ngjarje që nuk e ka raportuar ajo, thjesht nuk ka ngjarë. 

Sigurisht, thyerësi i tabuve, i paparashikueshmi, artisti rebel dhe kryeministri sportist, e njëherësh sportisti piktor dhe piktori anti-tabu, mbetet shefi i qeverisë telegrafike shqiptare.

Ai nuk ka nevojë të prenotojë një rubrikë të caktuar, fjala vjen, politikën. Jo, ai lodron nga një zhanër në tjetrin, me të njëjtën zhdërvjelltësi që kalonte dikur nga basketi në pikturë, nga pingpongu në kampionatin e makaronave.

Kështu, nëpër faqen e ATSH-së mund të gjesh lajme si “Rama: Krihni flokët mes bukurisë së Alpeve të Lëpushës” në momentin që gjysma e Shqipërisë digjet nga zjarret, apo “Rama: Inteligjenca Artificiale do na anëtarësojë më shpejt në BE”, kur i duhet të largojë vëmendjen nga inteligjenca natyrale e ministrave si Hulusiu.   

Pas këtij hopi gjigand, rritja cilësore e ATSH-së në raportim është e ndjeshme, si muzgu me mbrëmjen. Kuptohet, aty nuk mungojnë edhe lajmet e opozitës, sepse si çdo menu, përveç biftekut duhet dhe pak garniturë, për shije. Por rëndësi ka kryesorja: Ministrat duhet të nxitojnë të hedhin arritje dhe suksese sa pa mbaruar gushti, sepse në kabinetin e ri mund të zëvendësohen nga aplikacione anti-korrupsion.

Vini Re: Fatkeqësisht, Patronazhisti është rubrikë satirike e shkruar me inteligjencë telegrafike, si në kohën e Baba Qemos


Video