Nga Tiku Politiku
Këto muajt e fundit kanë qenë të vështirë. Tani që e hedh vështrimin pas, do deshnjam të kishjam dylbitë me të cilat vëzhgonim dikur Korfuzin bashkë me Niku Juridikun. U nxituam, u sherrosëm e u bëmë gazi i botës… më keq akoma, u bëmë si Gazi i PD-së në sytë e botës.
Ju të dashur votues do thoni, çfarë bëmë gabim unë me Endrin. E çfarë nuk bëmë thuaj. Pa kemi pirë e jemi bërë tapë, kemi shkelur të mbjellat e kooperativës sonë politike, pa Endri theu xhamat e syzeve bashkë me xhamat e teto Sotiricës. Le po na erdhi e na kapi skuadra e kushërirave të Aleancës sonë me duart përpjetë. Në fakt Endri u dhjaks i pari, se unë nuk i ngrita duart.
Së pari, nuk duhej ta kishim zgjeruar aq shumë rrethin e kandidatëve tanë të mbyllur, dhe nuk duhej ta kishim ngushtuar aq shumë rrethin e kandidatëve tanë të hapur. Unë si avukat duhej ta kishjam menduar më parë këtë punë.
Futëm në lista të mbyllura baballarë, gjyshe, teze, kushërira, baxhanakë, bashkëshorte, të fejuara, të dashurat e të fejuarave, të fejuarit e gjysheve, kunetërit e grave, nipërit e tezeve dhe hallat e mbesave… si dhe një kombinim të të gjithëve si më sipër.
Gabim. Paguam koston e suksesit. Po të kishim listuar vetëm barkun, dmth familjen e ngushtë, ata do ta kishin seriozisht dorëheqjen nga mandati i deputetit në rast fitoreje. Por nëse baxhanaku i kunatit të tezes së nipit kupton që është bërë deputet me rrogë bazë 3300 euro, që shkon deri 5 mijë euro megjithë dietat, a do t’ja dijë ai për premtimin se do dorëhiqet? Kush heq dorë nga 5 mijë euro rrogë?
E pra, morëm 60-70 mijë vota, do kishnjem 6-7 deputetë dhe kjo verë do na shkonte duke negociuar se sa ministra duhej të kishim në qeverinë e re. Në vend të kësaj, u zumë për një deputet të zgjebosur, që të gjitha mediat e blera thanë se ishte tezja ime, kur në fakt ajo është motra e tezes.
Por më shumë më vjen inat se Endri duhej të ishte tërhequr me elegancë. Me atë djalë kishim një shoqëri shumëvjeçare: Unë për Endrin këngë do thurrja tërë jetën, se nëna ime bukë i dha me dhallë; me të në dhomën pa tavan ne fjetëm, na puthi ne femijët mu në ballë.
Por Endri puthi ballin dhe përmbysi dhallin.
E dini për çfarë jam penduar më shumë? Se isha betuar nuk do përsërisja gabimet e ustait tim të dikurshëm, Niku Juridikut. Edhe ai kishte një moment të lavdishëm kuqezi në pranverën e 2013-ës, kur negocionte me Të Gjatin sesa vende deputetësh të sigurtë do fuste në listën e PS-së, e pastaj sa ministri i takonin në qeverinë e ardhshme. Por u tregua lakmitar dhe deshi të fuste në listë jo thjesht të afërm të çertifikuar, por edhe dashnore e dashnorë pa leje. Nuk e kishte nuhatur që Të Gjatit i kishin ardhur në majë të hundës dashnoret. Dhe sot Niku Juridiku është bërë Nik Analitiku, që herë pas here prezantohet si Kreshnik Gjermaniku.
Po të kishim zgjedhur skemë tjetër, edhe ne, sot që po flasim, jo vetëm që do kishim bërë namin me deputetë, por do ishim duke u zënë si njerëzit, se cilat ministri i takonin Endrit dhe cilat mua. Kjo po që do ishte përplasje titanësh, jo si cic-micet tona për një vend në parlamentin e krimit dhe korrupsionit.
Do ishte një sherr gjigandësh si qëmoti. I mendoj si tani titujt e portaleve: Tema më e nxehtë e verës! Endri dhe Tiku i vënë flakën rrjetit! Tiku dhe Endri nuk i lënë vend imagjinatës!
Ehhh, iku ajo punë tani. Për t’u bërë prapë viral, u detyrova të marr një bidon gjysmë kilësh ujë për të shuar zjarret e Delvinës. Dhe tani bëj sikur korrigjoj mediat e shitura, se deputetja jonë e vetme nuk është tezja, por një kushërirë e imja, çka domethënë, komplet gjë tjetër. Dhe për këto shpifje unë nuk të fal, por do ta çoj çështjen deri në Strasburg! Se si shumë baltë e llucë po hedhin mbi figurën time të pastër! Se po u nxeva unë, i thyej të tëraaa, me pjataaa, me filxhanaaa…
Po nejse. Mend për herë tjetër. Ja, zgjedhjet lokale po afrojnë dhe unë kam menduar një formulë revolucionare. Do vë kandidat për bashkinë e Tiranës një kushëri nga Kanadaja, që ka dyqan sufllaqesh në Toronto. Do hajë Tirana, do shqepet…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa baxhanakë…