TIRANË/VLONË/GJINOKASTËR – Me pankarta të mëdha ku shkruhej, “Poshtë autokrati, rroftë demokrati”, “T’i japim fund diktaturës”, “Spekullatorët në litar”, “Plani dyvjeçar do na sjellë begatinë” etj, tufa socialistësh janë drejtuar dy ditët e fundit me vrull revolucionar drejt selive të partive opozitare në disa qytete të vendit, për t’u regjistruar si anëtarët më të rinj të forcave politike që do përmbysin narko-diktaturën e Rilindjes.
Dukurinë në pamje të parë e çuditshme, e kanë shpjeguar për Patronazhistin disa patronazhistë kolegë, të cilët deklaruan me zë të lartë se Shqipëria meriton një qeverisje të pastër dhe të ndershme, ndërsa me zë të ulët pohuan se po u del shpirti gjithë këto vite duke regjistruar dhe skanuar votuesit e gjithë Shqipërisë.
“Kam mbushur mijëra fletë me shënime për çdo familje në lagje”, na tha në mirëbesim patronazhisti me kategori të shtatë, Selfo Këllira, “ku mësojnë kalamajtë, ça pensioni merr plaku, sa kredi ka marrë djali i shtëpisë, me kë e dredh kunata… Dhe si shpërblim, I Gjati erdhi e më prishi lokalin. Edhe djalin që ma morën në punë para ca vitesh, ma çuan mësues në një fshat të thellë ku pulat hanë njëra-tjetrën se kanë mbaruar dhe gurët”.
Dhe Selfua u përlot: “Rri, rri atje majë malit, Aljosha i babait, sa t’i mbushet mendja të Gjatit të të zbresë në qytet!”
*
Burimet thanë për Patronazhistin se socialistët janë të zhgënjyer nga I Gjati, i cili tani po qeveris vetëm me oligarkët, ndërkohë që dikur u premtoi se do sillte poligarkinë në pushtet.
“Do t’ju bëj të gjithëve oligarkë,” u pat thënë ai asokohe, “nga vetë fjala, oligarkët janë pak vetë, por kur të bëheni të gjithë oligarkë, atëherë arrihet poligarkia. Ça t’ju them, do hajë qeni petulla!”
Mirëpo me kalimin e kohës, votuesit e thekur socialistë vunë re se I Gjati kishte gjithnjë e më shumë fiksim të ndërsente socialistët të hanin njëri-tjetrin, dhe të bënte për vete personazhe nga kundërshtari me poste të mira, sesa të ndihmonte të vetët.
“Unë s’dua të më bëjë president, se tek e fundit aq shkollë kam. Për tokën luftova, dhe toka ishte në fshat. Por djalin që ka bërë uversitet jashtë shtetit, pse s’ma merr deputet more qerrata, po ma lë të bredhë rrugëve të botës?”, u ankua socialisti 68 vjeçar Kiço Pela, “ndërsa ata që të kanë sharë dhjetë vjet rresht i bën zëvendësministra?”
Dhe Kiço Pela vazhdoi me mllef: “Çfarë do t’i thuash ti nesër partisë, kur të të pyesë pse e more atë kukumjaçkën e Lilos që s’ka lënë baltë e llucë pa të hedhur, dhe e bëre shefe të madhe? Apo ngeli ministria për një palo kacurrelse që zihet me policët!”
*
Ndërkohë vesi i poshtër i Të Gjatit për t’u dhënë poste kundërshtarëve që e shajnë më shumë, ka galvanizuar edhe rradhët e opozitës së vjetër. Demokrati Tuç Maku i ka vënë flakën në mënyrë demonstrative në mes të sheshit Skënderbej, statutit të Partisë Socialiste, ndërsa aktivistja veterane Adriana Kështjella i është rikthyer fuqishëm qitjes me mitraloz me shënjestër portretin e të Gjatit.
Por më aktivi u shfaq deputeti Belo Këllëfi. Ai lidhi veten me zinxhira në kangjellat e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe deklaroi për mediat: “Nuk largohem prej këtej derisa të më japin ato që më premtuan kur bëra protestat kundër Lalit me dhjetë vetë në pikë të vapës! Protesta veresie nuk ka! Unë protestoj!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike opozitare. Prandaj I Gjati të vërë dorën në zëmër…