REPORTAZH / Shumica e asambleistëve të PS-së, të pakënaqur që nuk u bënë ministra!

11 September 2025, 17:46Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
REPORTAZH / Shumica e asambleistëve të PS-së, të
Murgesha Manastirlesha në një univers paralel kur dëgjon se do kandidojë për Tiranën

TIRANË – Me dy ambulanca të mirëpajisura dhe me grupe mjekësore në gatishmëri, njësoj si në ndeshjet e Kombëtares së futbollit, ditën e zezë të 11 shtatorit u mbajt në Tiranë mbledhja e asamblesë së Partisë Socialiste, me një objekt të qartë: Kryetari I Gjatë do të prezantonte emrat e ministrave të qeverisë së re dhe drejtuesit e posteve të tjera kyçe.

Patronazhisti mëson se mes 400 të pranishmëve në asamble, disa kishin marrë me vete këmbë lepuri për fat, të tjerë ishin kënduar një natë më parë në hoxhallarë të specializuar për zgjedhje ministrash, e ca të tjerë akoma ishin lutur në vende të mira, që llotaria e qeverisë së katërt socialiste t’u binte atyre.

Megjithatë, siç e dikton edhe aritmetika, të paktën 380 pjesëmarrës nga totali, dolën totalisht të pakënaqur nga fjalimi dy-orësh i Të Gjatit, të neveritur nga mungesa totale e meritokracisë dhe të zemëruar që goglat nuk kishin zgjedhur ata fitues të një posti ministror.

Por situata nuk ishte më pak dramatike edhe për disa nga fituesit.

* 

Kur I Gjati përmendi emrin e Murgesha Manastirleshës si kandidate për bashkinë e Tiranës, kjo e fundit ngriu në vend. Asnjë tipar nuk i lëvizte, ndërsa pudra e fytyrës nuk ia fshihte dot zverdhjen. Kolegët rreth e rrotull e uruan me zë të ulët; Episa Spirodhalla që e kishte ngjitur, i buzëqeshi dhe e preku në sup për siguri, por Murgesha hiç.

Ndërsa I Gjati vazhdonte fjalën e tij, në mikroklimën e krijuar rreth Manastirleshës u dha alarmi. Dikush përshpëriste, “çoja këmbët lart mos i ka rënë tensioni”, një tjetër sugjeronte, “Ta fërkojmë me raki; Bedri, nxirre pak faqoren”, një i tretë e frenoi, “jo alkool se marrim gjobë”. Në fund, Spirodhallës iu dha të nxirrte shishkën e parfumit 1200 eurosh që mban me vete, ja vuri të shkretës në hundë dhe ajo sikur u përmend.

* 

Por detajet e mikro-dramave që vetëm sy të vëmendshëm dalluan në sallën asambleiste, nuk mbarojnë me Manastirleshën.

Kur dëgjoi emrin e vet si kryetar i ri i Kuvendit, deputeti Piko Meleshi mërmëriti “Bingo!”. Vetëm stërvitja e gjatë në fshehjen e emocioneve e mbajti të mos bërtiste.

I buti Besfort nga fisi i Lamallarëve, kur dëgjoi emrin e vet si Ministër i Drejtësisë, zgurdulloi sytë, u gëlltit, u ngrit përgjysmë nga karrikja, u ul prapë, buzëqeshi, u ngrys, u skuq, falenderoi me kokë disa urues në distancë dhe u thinj akoma më shumë paçka se është ende i ri, të gjitha këto në harkun e pesë sekondave.

Ndërsa Hulusiu të cilit Besforti i zuri vendin, vetëm buzëqeshi dhe nxorri me marifet një aparat të vogël tensioni për t’ja matur vetes.

Interesant ishte reagimi i Mirela Kumbarasë. Edhe pse kishte marrë për çdo të papritur, një kavanoz të vogël me gliko Përmeti, se mos i binte sheqeri, nuk e priti mirë njoftimin se nuk do ishte më ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Kur i ra në vesh emri i rioshit që do mbulonte Turizmin, hapi gojën me shprehjen e pagabueshme “Uaa ça skandali”, pastaj me mimikë fytyre ua bëri të qartë atyre që kishte pranë, “Përfundimisht nuk bëhet ky vend”.

Por menjëherë më pas, I Gjati shpalli se si pedagoge e shquar, Kumbaraja do bëhej Ministre e Arsimit. Atëherë reçelofilja buzëqeshi vesh më vesh ndërsa mimika e fytyrës u shndërrua në “Epo normal, kë do vinte tjetër!”

Jo dhe aq çuditërisht, e vetmja që thjesht buzëqeshi sa për adet dhe ua bëri me shenjë të tjerëve, “Mirë, mirë, boll tani se po flet kryetari”, ishte Bella Ballukja kur dëgjoi se mbetej zv.kryeministre dhe ministre e 13 sektorëve. Bile Patronazhisti bën be e rrufe se Bella sikur ja bëri me shenjë Të Gjatit, “jepi pak shpejt se na le këtu”.

* 

Në trupën e pjesëmarrësve të asamblesë, me deputetë të rinj e të vjetër, kryetarë bashkish dhe gjeni të ndryshëm lokalë, sa më shumë ngushtohej hapësira e listës së ministrave, aq më tepër shfaqej nervozizmi. Dhe në fund, kur I Gjati e mbylli fjalën e tij me shprehjen “Na vaftë mbarë”, shumëkush pëshpëriti, “Ik ore, mashtrus ordiner”.

Duke folur në mirëbesim me Patronazhistin pas mbledhjes, deputetja e re nga Roskoveci Zafire Torollaku tha se priste një kabinet më të mirë qeveritar:

“Nuk e them për veten, por kryeministri ka mbledhur një tufë të paaftësh. Me këtë përbërje, ai thjesht do t’i japë argumente Gazit”.

Nga ana tjetër, deputeti Zaçe Kopaçja ishte më i zëshëm, por edhe më kaotik: “Ministra qesharakë. Kryeministrin e kemi yll. Ai do na çojë në BE, këtu do jemi. Kabinet mediokër. Rroftë kryetari. Qeveri qokash. Me këtë lider fitojmë edhe tre mandate të tjera. Këta janë hajdutë!”

Dhe iu drejtua infermierit qe rrinte gati tek ambulanca: No mo, djalë, m’i mat pak rrahjet zëmbrës…         

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike filo-asambleistike


Video