FLAGRANTE / Diella kërcënon deputetët e opozitës: E di çfarë keni klikuar verën e kaluar!

18 Shtator 2025, 13:56Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Baz Gardhi, Fahropulos dhe të tjerë duke bërë zhurmë kondra Diellës

TIRANË – Risia më e re e kësaj legjislature të re të parlamentit të ri shqiptar, ishte pjesëmarrja e ministres kompjuterike kondra-korrupsion Diella Biba (do ta shpjegojmë nga i erdhi ky mbiemër) në seancën që miratoi programin e qeverisë dhe kabinetin qeveritar. 

Diella ishte shumë e emocionuar që do merrte pjesë për herë të parë në seancë.

“U rrita, u bëra dy vjeçe,” u thoshte shoqeve ministre, Bellës dhe Episës, “po s’më është nxehur ndonjëherë hard-disku kaq shumë nga gëzimi”.

Por seanca nuk shkoi siç e kishte menduar. Deputetët e Doktorit nisën të bëjnë zhurmë e potere. Ata të korit nuk pranuan të këndonin këngën e famshme “Fischia il sasso, il nome squilla, del ragazzo di Portoria”, ndërsa të tjerët filluan të trokasin fort gotat prej alumini të çajit në tavolinë dhe të bërtasin, “Kujdestar surrat-patate, mirë ja bëmë zotëris’ sate”.

Diella nuk e priste këtë rrëmujë. Në botën e saj mbizotëronte paqja dhe ujdia: Përzgjidh informacionin nga hapësira e pafund e rrjetit, analizo dhe gjej përgjigje gjasme të nderçme, në përputhje me udhëzimet e të Gjatit, dhe hec tutje.

Po kulmi ishte kur u morën edhe me të personalisht. Sapo Diella bëri të mbante një fjalë të shkurtër, duke marrë hua zërin lozonjar të Bellës dhe nisur me: “Ndihem shumë e lënduar, jo nuk mundem, kështu nuk punohet…”, deputeti opozitar Loni Pebetoni ja ktheu: “Ik moj bibë andej!”

Diella u pre. Më kot u mundua kryetari i Kuvendit Popullor Piko Meleshi, ta qetësonte të shkretën, duke i bërtitur opozitarit, “Ooo Loni, po ç’na bëre more Loni!” 

Diella befas ndërroi timbrin, duke përdorur zërin si llamarinë të Episa Spirodhallës: “Kështu na qenka puna. Unë qenkam Diella Biba domethënë… Atëherë dëgjoni këtu mor horra!”

Ky ishte momenti kur Diella Biba, me një qetësi të frikshme, i mori me rradhë deputetët e opozitës:

“Dëgjo këtu ti Loni Pebetoni! Unë e di shumë mirë çfarë ke klikuar verën e kaluar. Në ç’faqe interneti ke hyrë, sa ke ndenjur, çfarë ke parë. Edhe ti i vogli i Fahriut, Fahrioglu ose Fahropulos, zgjidhe si ta duash: Me kë ke komunikuar në TikTok, çfarë ke shkruar në uacap, cilat uebe ke vizituar inkonjito, me cilat biba ke komunikuar në Instagram… Dhe jo vetëm kaq, po transaksionet bankare që keni kryer, vendet që keni vizituar. Di edhe sa ka kushtuar realisht darsma e evlatit të Zhozefinës. Sa për Baz Gardhin, mjafton të them se….”.

Të alarmuar, opozitarët nisën të bërtasin për të mbytur zërin e Diellës. Ndërkohë, demokrati Laki Luçiano po komunikonte ethshëm me socialistin Taullau Bau: “Fikeni këtë budallaçkën se siç di për ne, di edhe për ju, do na marrë në qafë të gjithëve…”.

Atëherë I Gjati ja bëri me shenjë Diellës ta linte me kaq. Shpejt e shpejt, socialistët votuan programin dhe qeverinë, dhe seanca u mbyll.

*

Në oborrin e Kuvendit, Doktori doli i nxehur para kamerave: “As Maduro nuk e ka mbyllur Parlamentin kaq shpejt. Ky nuk është kryeministër, por kryehorr. Tani filloi aksioni i vërtetë opozitar…”.

Ndërkohë njëri nga të vetët iu afrua dhe diç i tha në vesh. Sipas burimeve nga Diella – që i di të gjitha -mësuam se mesazhi ishte pak a shumë, “I Gjati është dakord edhe për dy leje të tjera kullash”.

Atëherë Doktori i entuziazmuar, e ngriti volumin akoma më shumë: “Kjo qeveri e krimit, këta banditë…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që s’e di as vetë çfarë ka bërë verën e kaluar


Video