
TIRANË, SURREL, PETRELË – Qeveria shqiptare bëri me dije se sapo ka dorëzuar dosjen e plotë të veshjes tradicionale “benevrekë” për t’u mbrojtur nga BURLESCO, organizata e njohur që merret me dokumentimin dhe njohjen e veshjeve të njerëzimit nga mesi e poshtë.
Njohuritë e bërjes së benevrekëve, thonë specialistët, janë në rrezik zhdukjeje, dhe njohja ndërkombëtare e kësaj trashëgimie do të ndihmojë në rikthimin e masivitetit të kësaj veshjeje 600 vjeçare që e solli në trojet shqiptare vetë Isa bej Evrenozi, kur erdhi të marrë fëmijët e Gjon Kastriotit për t’i çuar për studime master pranë oborrit të Sulltanit.
Sipas ekspertit benevrekolog Lame Kurrizi, kjo veshje është tipar i Shqipërisë së Mesme dhe haset kryesisht mes banorëve rreth 2 metra të gjatë në fshatrat Surrel, Petrelë dhe më pak në Ndroq, ndërsa vetë termi përdoret gjithmonë në shumës dhe kjo për një arsye:
“Në gjuhën shqipe nuk ekziston benevreku, ashtu siç nuk përdoret breku, apo pantalloni. Për këto veshje të lashta, së pari shprehemi në shumës për respekt: Brekët, pantallonat, benevrekët. Së dyti, në rastin e benevrekëve – varianti gegnisht është barnavekë – numri shumës është mëse i justifikuar, sepse duhet aq shumë cohë, sa me një palë benevrekë mund të qepësh dy kostume”.
***
Dosja e përgatitur nga ish-ministrja Mirela Kumbaraja thotë se promovimi i këtij elementi të trashëgimisë sonë do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të turizmit. Tashmë që ka marrë në dorëzim dikasterin e Arsimit, zonja Kumbaraja thekson se një kapitull i veçantë për benevrekët do të futet edhe në kurrikulat mësimore.
“Benevrekët shqiptare sot ekzistojnë vetëm në sajë të këmbënguljes së disa njerëzve pasionantë, që ruajnë me fanatizëm sekretin e përgatitjes së tyre,” theksoi Kumbraja, “dhe një ndër ta është zoti I Gjatë, që Zoti i dhëntë ymër”.
Në fakt I Gjati i përdor shpesh benevrekët në ngjarje të rëndësishme brenda vendit, por edhe në evente ndërkombëtare. Momente të shënuara që mbahen mend, janë benevrekët e tij të stilizuara sipas koleksionit pranverë-verë 2025 kur votoi më 11 maj, apo benevrekët tradicionale që veshi kur shkriu bashkinë e Vlorës.
Megjithatë, episodi më pikant ishte kur I Gjati priti kryeministren italiane Jorgjie Peponi me një palë benevrekë që tërhoqën vëmendjen e revistave ndërkombëtare të modës.
“Uuuu qyqja, ç’i ke këto pantallona të çuditshme,” pat reaguar atëherë Peponi, “unë me kaq copë do kisha bërë perdet e zyrës dhe me tepricat do kisha qepur dy fustane!”
“Janë shumë të mira, dëgjo mua,” u përgjigj I Gjati, “së pari janë tradicionale, dhe së dyti do më shërbejnë si parashutë për t’u ulur butë, në qoftë se largqoftë, bie nga pushteti”.
***
Por përpjekjet për njohjen e trashëgimisë sonë materiale dhe anti-materiale nuk mbarojnë këtu. Kumbaraja ka deklaruar se pas K’cimit të Tropojës, të paktën dy valle tradicionale do të listohen së shpejti në BURLESCO.
“E para është Kërcen Prifti nga Belaja, valle me të cilën identifikohem edhe unë, se I Gjati më preu gjunjët për pesë sekonda, kur deklaroi në Asamble se nuk isha më ministre. Por me sensin e hollë të humorit, shejtani më pas tha se do merrja Arsimin,” tha ministrja, “ndërsa vallja e dytë është Ra Faja nga Fiku, në homazh të një kolegut tonë që e kishte shumë për zemër këtë frut të bekuar”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike jo-materiale