TIRANË/LUGANO/ASTANA – Ishte një ditë e bukur e hënës së dytë të verës së tretë në kryeqytetin shqiptar (fund-gushti, se na lodhët), kur ajo që kishte mbetur nga Tirana – gjysma ishin ende në plazh duke përfituar që I Gjati ende nuk kishte zgjedhur qeverinë e re – mori vesh se Behgjeti kishte hyrë në kryeministri.
Dikush tha se atij sapo i ishte ofruar një post si zv.I Gjatë. Të tjerë vërejtën se po qe për të marrë si zëvendës një pronar ajroporti, I Gjati kishte marrë më mirë Çetin që e ka ajroportin dhe funksional. Pastaj ajroporti i Vlorës është përfaqësuar më së mirë nga Bella Ballukja.
Të tjerë akoma, deklaruan se nuk ishte as e para dhe as e dyta. Thjesht I Gjati donte ta pyeste për kuptimin e ca fjalëve kosovarçe që kishte thënë Albini për të, dhe që ky nuk i kuptonte mirë.
Por kishte dhe një kategori të katërt thënësish. Ata vërejtën se Behgjeti në të shkuarën kishte hyrë e dalë nga kryeministria njëqind herë, dhe askush nuk e kishte marrë vesh. Kësaj here I Gjati jo vetëm që e kishte thirrur, por paralelisht kishte udhëzuar të fotografohej Behgjeti duke hyrë. Përse vallë?
***
Burime për Patronazhistin thanë se I Gjati e kishte bërë Behgjetin për një lek. Në raportin që vetë ai kishte shkruar për amerikanët, ku bashkëngjiti edhe foton më sipër, pikërisht kështu kishte shkruar: “I made him for one lek!”
Dyshimet janë se Behgjeti po gaditej të shiste një pjesë të aksioneve të ajroportit të Vlorës tek ca kazakë, pas të cilëve fshihen ca rusë, pas të cilëve fshihen ca sovjetikë. Dhe me Bashkimin Sovjetik, Behgjeti i kishte pasur punët grurë që kur sovjetikët na ndërprenë grurin dhe e lanë shokun Enver të hante bar. Bile gojëdhënat thonë që kur shkonte për vizitë në Moskë, vetë Jelcini çohej dhe i bënte kafen, ndërsa Behgjeti i thoshte: “Boris, se mos ma bën të ëmbël se të piu e zeza; të mesme e dua”.
Dëshmitarët okularë pohojnë se kur Behgjeti pa për herë të parë vendin ku do bëhej ajroporti, u tha të tijve: “Shikojeni Vlorën djema! Aaaa, e kemi të bukur Vlorën!” Dhe pastaj ja mori një kënge labçe që e kishte mësuar në Zvicër.
Kur mori vesh këto dhe ca detaje të tjera, I Gjati u alarmua dhe thirri Bellën: “Hani bar ju, hani! Si ore lini të livadhisë nëpër Vlorë interesi rus, kur dhëndrri i shokut Tramp është përballë, në Sazan?”
Bella u shastis: “Jo zoti Kujdestar! Unë nuk di gjë zoti Kujdestar!”
***
Në një mbledhje të tensionuar në zyrë, ku ishte edhe Bella megjithë Balluke, I Gjati i kishte deklaruar Behgjetit:
“Të kam mbështetur, të kam ndihmuar se kam patur dobësi për ty, dhe ja si po ma shpërblen! Tani të dy bashkë, do ngrihemi dhe do t’i kërkojmë falje këshillit pedagogjik, për këtë gabim të rëndë që kemi bërë!”
Behgjeti, që nuk kishte parë asnjë film të kinostudios dhe rrjedhimisht edhe kthesën e merrte me vonesë, nuk mori vesh asgjë, por mërmëriti, “Po dale bre, të merremi vesh!”
Bella nuk duroi më dhe u hodh: “Po ç’të merremi vesh mo, ç’të merremi vesh! Ke mbushur dynjanë me llafe. Jam vajzë unë, nuk dua të bëhem me llafe!”
I Gjati pa vëngër Bellën, mori frymë thellë dhe foli: “Dëgjo Behgjet! Gjyshi i kësaj katranes me bojë (dhe tregoi nga Bella) mbrojti Pashalimanin nga sovjetikët, dhe prapë vajti për lesh. Tani, ne i dëbuam nga Pashalimani, ti do të na i sjellësh nga Hava Limani dhe ta çosh edhe mbesën për lesh? Mirë këtë, po çon për lesh dhe amerikanin, edhe gjermanin, edhe mua bashkë me gjermanin!”
Vini Re: Patronazhisti si rubrikë satirike mëson se Hava Liman i thonë ajroportit në kinezçe.