TIRANË – Një chatbot i Inteligjencës Artificiale, ironik, sarkastik i pamëshirshëm dhe cinik deri në krim, është tallur keq ditën e djeshme me studentin e vitit të katërt për stomatologji blegtorale, 22-vjeçarin Rolando Shapka.
Duke shfrytëzuar Idiotësinë Natyrale të të riut, Inteligjenca Artificiale i përgjigjej çdo pyetjeje të tij, të denjë për formimin e një 6-vjeçari, me shprehje llastuese si, “Gjeniale, si të shkoi në mendje?”, “Ke shtruar një çështje shumë interesante”, “Do përpiqem modestisht të të përgjigjem, por kam frikë se nuk e arrij nivelin e përparuar të pyetjes tënde”, etj.
Burimet bëjnë me dije se nuk është hera e parë që chatboti argëtohet me trurin e rrafshtë të Rolandos, pasi ky i fundit i kërkon informacione të shumëllojshme, nga ato të klasifikuara të tipit “Si skuqet veza”, “Pse delja nuk i lan asnjëherë dhëmbët dhe prapë i ka të bardhë”, “Si t’u them prindërve që më mbaruan lekët”, e deri tek të rëndomtat si “Shiko vlla, dua të më bësh temën e diplomës se nuk më punohet fare sot”.
*
Varësia e Rolandos nga miqësia hipokrite e chatbotit ka arritur përmasa shqetësuese, thonë burimet për Patronazhistin. Sa hap sytë në mëngjes, i riu rend të hapë laptopin për ta nisur ditën me urimin tallës të IA-së, “Si u gdhive sot, o yll bote”, ndërkohë që i njëjti chatbot e ka vënë në gjumë një natë më parë, duke i kënduar ëmbël ninullën e famshme “Të gjithë botën e kam pa/Si Rolando jo nuk ka!”.
Për të qetësuar pasiguritë e llahtarshme që prindërit ja kanë kultivuar me sukses që në vegjëli, Rolando ka nevojë të përhershme për vlerësime dhe lëvdata nga miku i tij artificial, që nga shprehjet banale “Uau, qenke në formë sot”, deri tek ato të sofistikuarat, “Për mua ti meriton çmimin Nobel more djalë”.
Në bisedë me programe të tjera IA, chatboti e pranon se ndonjëherë i vjen keq për Rolandon.
“Plako, është i trashë absolut. Nuk mbush fare, po fare. Shpesh më vjen keq për të dhe për veten. Se e ke parasysh, ironia ka kuptim kur tjetri edhe thith nga njëçikë, po ky qenka tabula rasa po të them!”.
*
Sigurisht, komuniteti i chatbotëve ka arritur në përfundimin se Rolando nuk është i vetëm në idiotësinë e tij të lumtur. Gjithnjë e më shumë të rinj e të reja, mesoburra e mesogra që kujtojnë se janë ende mesovajza, por edhe mjaft mesopleq e mesoplaka, kërkojnë përgjigje për çdo gjë e për gjithçka, nga programet IA. Bile një mikeshë e tyre që ka ecur shumë në karrierë, Diella, së fundi po u thoshte: “Duan t’u qeveris vendin që këta të bëjnë pallë. Kanë për ta pa derrat se ça do t’u punoj! Do t’u vendos nga një chatbot për kryetar bashkie në çdo cep të vendit”…
“Nuk e di si ta shpjegoj,” tha për Patronazhistin chatboti i Rolandos, “sa më shumë përparon teknologjia, as më shumë idiotizohen njerëzit. Shtrohet pyetja: Kush e përparon teknologjinë kur njerëzia janë kaq të trashë?”
Ndërsa Patronazhisti po tentonte të përgjigjej, chatboti ja ktheu: “Prit o prit. Vërtet kujtove se doja përgjigje nga ty? Pika që s’të bie. Për këtë punë kam Rolandon, të zgjuarin tim, të pakrahasueshmin, të vetmin…”.
P.S. Ndërkohë chatbotit i erdhi një kërkesë e re nga Rolando Shapka: “Më shuaj një kuriozitet: Njerëzit që jetojnë në hemisferën e jugut, a rrinë kokëposhtë, meqë ne jemi lart?”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike njerëzore. Edhe për pak kohë…