PËRPLASJA / Gjykata Kushtetuese vendos: Të përmbyset Barjami!

10 Tetor 2025, 17:06Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjykata Kushtetuese vendos: Të përmbyset Barjami!

TIRANË – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur në mbledhjen e saj të fundit të përmbysë Barjamin, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Ky verdikt i pazakontë ngjalli komente dhe debate në shtypin shqiptar, pasi publiku nuk është mësuar ta shohë Barjamin përmbys.

Në vendimin e zbardhur të Kushtetueses, theksohet se arsyetimet pro e kundër Barjamit ishin të gjata dhe shteruese, por gjykatësit kishin para tyre dy zgjedhje: Ose të kthenin përmbys Tiranën, ose të përmbysnin Barjamin.

“Përmbysja e Barjamit ishte jo vetëm një zgjedhje logjike, por edhe opsioni më i thjeshtë dhe më i zbatueshëm nga ana praktike,” thekson Gjykata.

Përplasja mes Kushtetueses dhe Barjamit bëhet edhe më intriguese, pasi ky i fundit prej kohësh është deklaruar publikisht se do të jetë garanti i Kushtetutës.

“Kushtetutën nuk ka burrë nëne që ta prekë”, ka deklaruar mëse një herë Barjami, i cili në mënyrë demonstrative e ka futur librin e çmuar në një kasafortë, para kamerave, dhe çelësin e kasafortës të lidhur me spango, e ka vendosur në qafë, poshtë kanatieres.

Të gjithë e mbajnë mend sesi pastaj Barjami caktoi dy ushtarë të Gardës të bëjnë roje non stop para kasafortës, duke urdhëruar: “Kam futur një libër atje brënda. Sakën se e prek njeri, se ju shkarkoj në vend. E dini ju çfarë është Kushtetuta? Ajo është si Kurani mor qafira, duhet ta puthni tre herë në ditë se ajo e rregullon miletin!

Megjithatë, për t’i dhënë hakun, duhet pranuar se Barjami nuk e ka kundërshtuar vendimin përmbysës. I pyetur nga gazetarët pas përmbysjes – edhe këta të fundit duhet të përkuleshin pak për t’i drejtuar mikrofonin sepse kuptohet, i përmbysuri tashmë e kishte kokën poshtë dhe këmbët lart – Barjami deklaroi se do ta respektonte plotësisht vendimin e Gjykatës.

“Zoti Barjam, a ju indinjon vendimi, a do ta respektoni? Si ndiheni?”, pyetën mediat.

“Jooo, gjykatësit kanë bërë punën e tyre, parimisht nuk kam asnjë ankesë,” u prononcua Barjami, “vetëm se është një çikë pozicion i sikletshëm… sikur po më bie gjaku në kokë. Por do kalojë dhe kjo”.

Dhe pastaj u drejtua një këshilltareje: “Taksirat e ke, ma mat pak tensionin”.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në sqarimin e tyre të gjatë, kanë shtuar se mos-përmbysja e Barjamit do të kishte efekte shumë më dramatike. Nga ana institucionale, kjo do të thoshte se në të kundërt, duhet të përmbyseshin ata vetë.

“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga burra e gra me namuz. Nëse për anëtarët meshkuj të Gjykatës nuk do ishte dhe aq problem përmbysja, sepse janë të gjithë me pantallona, mendoni çfarë skandali do qe për Shqipërinë, që gratë gjykatëse të Kushtetueses – që vijnë me funde dhe fustane në punë - të rrinin përmbys në krye të detyrës, dhe dynjaja të bënte sehir. Ndërsa Barjami nuk e ka problem se është tip sportiv, ka qenë dhe ushtarak. Plus që është mësuar me turli farë piruetash”, përfundon vendimi.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-kushtetuese


Video