TIRANË – Publikimi i raportit final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Shqipëri ka vendosur pikat mbi y, duke shuar të gjitha hamendjet dhe debatet e kota për cilësinë e tyre.
Raporti e thotë qartë se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, ndaj një Bravo e madhe qeverisë shqiptare.
Më tej raporti sqaron se mjedisi ishte i polarizuar dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje, po ç’mund të presësh nga një qeveri faqezezë që përdor makinerinë e pushtetit për të ndihmuar kandidatët e vet? Këta të poshtër meritojnë litarin, por nga ana tjetër vota e diasporës, një risi shumë e re për zgjedhjet shqiptare, u menaxhua në mënyrë të shkëlqyer, shton ODIHR. Prandaj qeveria meriton pikët maksimale, saktëson raporti, sipas të cilit, vërtet disa vota janë blerë, por disa edhe janë shitur.
Në total, misioni vëzhgues për zgjedhjet pohon se me këto zgjedhje, Shqipëria ka hedhur 234 hapa para dhe 299 hapa prapa, por këto lëvizje duhen azhornuar me 1500 hapat majtas, 2345 hapat djathtas dhe rreth 200 kërcimet lart.
“Po t’i indeksojmë të gjitha këto shifra me inflacionin, rezulton se Shqipëria ka performuar shumë mirë, dhe njëkohësisht shumë, shumë keq. Prandaj ju lumtë dhe t’u vijë turp”, thekson raporti.
***
Burimet për Patronazhistin pohojnë se në vite, vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë studiuar nga afër trashëgiminë etno-kulturore shqiptare, çka i ka ndihmuar jashtëzakonisht në hartimin e raporteve të tyre zgjedhore. Vallja e Kukësit, ajo e Rrajcës, e sidomos vallja pogonishte me ato hapat elegante sa para-prapa, ka frymëzuar historikisht vëzhguesit e zgjedhjeve tona.
Por kujdes: Gjëja të cilës i ruhet më tepër një raport zgjedhor i ODIHR, është një tekst amorf as mish, as peshk.
Përkundrazi, raportet kanë qenë gjithnjë edhe mish, edhe peshk. Këtyre asortimenteve elektorale u duhen shtuar garniturat, sallatat, birra, vera e rakia. Por edhe këto larmira kulinare nuk janë të mjaftueshme.
“Të gjitha sa përmendëm më lart, janë të domosdoshme për hartimin e një raporti të shijshëm,” pohoi në anonimat një vëzhgues i huaj për Patronazhistin, “por gjithçka bie poshtë nëse mungon orkestra. Një raport pa orkestër është dramë e vërtetë,dhe këtë e vërtetuam në kurrizin tonë në zgjedhjet e 1996, 97, 2001 etj”.
***
Hartimi i raporteve të hareshme, të ushqyeshme dhe me balancën e duhur mes karbohidrateve dhe proteinave, vitaminave dhe anti-oksidantëve, nuk është vetëm një ekskluzivitet i ODIHR.
Hapa para dhe prapa, urime dhe sharje, lavdërime dhe mallkime për Shqipërinë brenda të njëjtit paragraf, gjenden me shumicë në deklaratat e Komisionit Europian, Komisionit të Venecias, Europarlamentit, prononcimeve të qeverive anëtare të BE-së etj.
Sipas vëzhguesit që nuk pranon të identifikohet, edhe kjo e ka sekretin e vet.
“Dëgjo. E ke vënë re se pas çdo raporti, neve na bien veshët rehat nga Shqipëria për nja tre-katër vjet? E pra, futi një fjali lavdëruese për qeverinë, dhe pak më poshtë një kritikë të rreptë, dhe secila nga partitë tuaja e gjen nga një kockë për ta lëpirë dhe/ose për t’ja ngecur në fyt kundërshtarit, deri në zgjedhjet e ardhshme”.
“Megjithatë, rakinë e keni të mirë, qerratenj,” shtoi vëzhguesi, “kamarier, edhe një dopio. Paguan avukati për mua…”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-raportuese, pro europiane, pro-orkestër