Ukraina kërkon raketa me rreze të gjatë veprimi. Na la këtë mëngjes ish kryeministri i vendit. Arrestohet një mjek pse i kërkoi pacientes të zhvishet gollomesh për ta vizituar nga bajamet. Thirret në gjyq Diella V. pasi akuzohet se u ka bërë magji kolegeve në punë. Përmbarim. Fejohet dhe ndahet brenda ditës këngëtarja e njohur. Adresat e kasapëve të qytetit. Lajmërojmë lexuesit se jo çdo dritë në fund të tunelit është për mirë. Oraret e nisjes së trageteve për në Bari. Për sot parashikohet shi.
- Sikur je dobësuar, - i tha motra avukate – duhet të dalësh ca në ajër të pastër; shko vizito ndonjë nga ato kantieret e punëve botore se freskohesh.
I pëlqente gjithmonë të dilte nëpër kantiere. Vishte një jelek të verdhë dhe i mësonte inxhinierët hunj si të shponin malin, të sheshonin çakullin dhe të hidhnin asfaltin. Drejtorët mbanin shënime dhe pastaj shkonin në burg. Vinin drejtorë të tjerë, edhe ata mbanin shënime para kamerave dhe tundnin kokat me miratim, duke e ditur se ishin për burg.
E kishte këtë efekt tek drejtorët. Sikur u bënte magji. Ishin si të përhumbur, në jerm. Dhe ashtu të trullosur këndonin nëpër dhëmbë edhe kur ajo kthehej për Tiranë:
Tetë sahati i natës
Të shkova te porta
Zërin ta dëgjova Bella
Thoshe ‘Më dhemb koka’
Se përse Bellës i dhimbte koka fiks në orën tetë çdo mbrëmje, drejtorët nuk e kuptonin, por ishte një këngë e thjeshtë dhe e bukur. Lojcake. Këngë të tilla kishte kohë që nuk dëgjoheshin në Tiranë. Atje i rrokaniste kokën I Gjati me ato fjalimet e lodhura gjasme brilante, me metaforat e alegoritë e stërpërdorura që ja sillnin zorrët në grykë. Ndërsa asaj i këndonin njëqind kumrije. Nganjëherë i vinte t’i kapte ato kumritë imagjinare dhe t’i gatuante me një çikë gjalpë me pilaf, t’i hante bashkë me drejtorët dhe t’u thoshte zogjve të ngratë: Këndoni tani po deshët, kukumjaçka!
***
Palloshi i gjatë. Erdha fiks në tetë, siç e lamë. Por jo në tetë të mëngjesit mor merhum, po në darkë të thashë, se atëherë më fillon koka. Pika drejtorit! Inxhinerët turq kanë ardhur, kur do t’i takojmë? Leksingtoni në fund të detit. Trupat gjermane luftojnë heroikisht në brigjet e Dnjeprit. Centrali atomik i Zhaporozhias rifillon punën. Në eulogjinë për ish kryeministrin, kryeministri rrëfen një barcaletë idiote me kinezët e kombinatit metalurgjik. Kroacia bllokon mandarina me pesticide. Fiton Reali i Madridit.
Mendonte me vete se nuk kish lumturi më të madhe sesa të shtosh 30 milionë euro nga hiçi për një tunel të bërë nga turqit, për t’u dalë mbi shpinë disa fshatrave bregdetarë që i pretendojnë edhe grekërit. Ç’ua bëra mirë derrave, thosh me vete. Kishte punuar duke pastruar shtëpi dhe mbajtur kalamaj nëpër pasanikët e Athinës, por dynjasë i kishte thënë se kishte bërë shkollë të naltë. Edhe kur erdhi në Tiranë, prapë me grekë punoi, por nuk i pëlqenin. Që kur u bë zëdhënëse e kompanisë së tyre celulare tek Kafazi i Artë, ndihej si në kafaz. Dhe ajo donte të fluturonte, o zot sa donte të fluturonte. Prandaj vajti të komandojë avionët e Rinasit, qysh të ngriheshin e qysh të uleshin. Kishte dhe nga ata që e akuzonin se hëngri bukën e Junanit dhe po bënte duanë e Sulltanit, por aq i bënte.
Nganjëherë i dilte në ëndërr gjyshi Ebu Beqir, që ajo i thërriste Babazot.
- Babazot, do më mësosh dhe mua turqisht? – e luste ajo, - se dua të flas me këtë plakun me mustaqe të kompanisë turke pa përkthyes.
- Unë ca rusisht dhe pak çobançe di, - ja kthente Ebu Beqiri – po lëre turqishten ti, bëj kujdes nga ai I Gjati, se neve si fis nuk na ka ecur mbarë me këta bojallinjtë!
Zgjohej ujë në djersë nga sikleti dhe mërmëriste, “mua të më bëjë presion ai ku…va?”
***
Plaku Dine Çiço thirret në gjyq për ndërtim avioni pa leje. Kadilerët e SPAK-ut janë me nam në gjithë perandorinë. Policia sekuestron skuterat me bateri: “Janë mjete të shejtanit”. Shitet apartament 80 metra katrorë, një milion euro, okazion. Doktori e bën treshe me praktikantet. Rritet çmimi i bukës. Urime për detyrën, por kujdes, hermetizëm i plotë dhe për çdo gjë konsultohu me mua.
E thirri SPAK-u. Iu shfaqën si në film para syve, të gjitha episodet e Lalit. Atij në fillim i futën në burg drejtorët, pastaj nisën ta thërrisnin për shpjegime. Pastaj I Gjati filloi t’i rrinte larg. Më tej rridhnin me pikatore në shtyp (mesa duket as SPAK-u nuk ka izolim të gjelbër energjie, as veshje kapot) detaje nga bisedat e celularëve. Derisa një ditë të bukur, Lalin e thirrën por nuk e lanë të dilte.
Kështu po ndodhte dhe me të. Drejtorët megjithë blloqet e shënimeve ranë në shtatë penxheretë. Në varrimin e ish kryeministrit njerëzit besuan se zinë e vërtetë e kishte ajo, dhe jo familja e të ndjerit. Palloshi i gjatë e mbajti larg si të kishte murtajën.
Pastaj ndodhi më e tmerrshmja: Kadilerët e lartë kushtetues vendosën se Lali po mbahej kot në burg! Ç’llahtarë do t’i dëgjonin më veshët vallë?
I jehonte ende në kokë paralajmërimi i gjyshit Ebu Beqir: Kujdes, ruaju nga të gjatët….
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike me motive të herëpashershme kadarejane