TIRANË - Agjencitë e huaja të lajmeve kanë pasqyruar gjerësisht këtë javë listën e gjatë të pasojave konkrete që ka sjellë pezullimi nga detyra i një ministreje kyçe shqiptare, njëherësh zv-E Gjatë.
Gjithçka ka ndodhur për shkak të frikës absurde të gjykatës speciale se e akuzuara për hajdute mund të vjedhë sërish, ose të prishë provat e vjedhjes së kaluar, e aq më keq, t’i bëjë të dyja bashkë, a thua se s’ka punë tjetër veç vjedhjes.
Listën e Gjatë të dëmeve e prezantoi I Gjati, i cili i merakosur sqaroi se është gjithçka gati për të nisur fluturimet me Kanadanë, por nuk ka kush të firmosë pasi gjykata fluturoi ministren.
Po ashtu, ka akte nënligjore të pafundme të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, - tha I Gjati në një nga llafosjet e tij të përditshme me celularin e vet, ku e afron fytyrën ngjitur me ekranin – që s’ka kush t’i firmosë dhe kjo ka bllokuar gjithë punën në këto dy sektorë kyçorë.
Për më tepër, shtoi I Gjati, janë një seri ligjesh dhe aktesh normative të qeverisë, që duhet t’i firmosë kyçi i ministres kyçe, njëherësh zv.Kryeministre, e cila agjencitë e lajmeve sigurojnë se quhet Ballukja, Bella Ballukja.
“Këto budallëqet e fundit me qeverinë mund t’i firmosja dhe unë,” saktësoi I Gjati gati duke e futur mjekrën brenda në celular, “po thashë, pse t’i hap bela vetes duke hedhur firma lart e poshtë, ndërkohë që Bella është që është mysafire e SPAK-ut, nuk i prish punë një firmë më tepër? Pastaj kryeministri nuk firmos, ai frymëzon!”
*
Por kjo është vetëm maja e airbag-ut (apo ajsbergut?) të pasojave të pariparueshme që sjell pezullimi i Bella Ballukes nga detyra, vetëm nën dyshimin idiot se e akuzuara për hajdute mund të vjedhë prapë nëse vazhdon t’i lësh çelësat e kasafortës. (Arsyetim qesharak: Njësoj si të vendosësh ta heqësh nga rruga një të dyshuar për vrasje, vetëm se ke frikë që ai mund të vrasë prapë!)
I Gjati ofroi shembuj të panjohur tronditës sesi pezullimi i Bellës ka paralizuar gjithë jetën e vendit:
“Ja, konkretisht me shembuj konkretë: Pesë makina me familjarë, pleq e plaka, të rinj e të reja, kanë mbetur në tunelin e Llogarasë. Ata po hynin në momentin kur Gjykata vendosi pezullimin e Bellës, dhe tani nuk dinë si të dalin. As Bella nuk i udhëzon dot se është e pezulluar!”
Duke folur me shembuj edhe më konkretë konkretisht, I Gjati tregoi për teknikët ndërtues dhe shoferët e rrulave në rrugën Elbasan-Librazhd që po zgjerohet.
“Ata janë mësuar që një herë në dy ditë, Bella të shkojë dhe t’i udhëzojë si shtrohet çakulli, sa e trashë duhet të jetë shtresa e ziftit… nuk funksionojnë ndryshe. Tani rruga ka mbetur në mes ndërsa punëtorët e shkretë janë me sytë nga rruga në pritje të Bellës,” tha I Gjati duke shtuar:
“Dhe në doni të dini pse u shemb mali mbi rrugën e re të Qafë Plloçës, po jua them unë: Nga marazi sa mori vesh mënxyrën! Edhe natyra proteston kur goditet njeriu i ndershëm i punës… dmth njeriu i punës… dmth njeriu… Bella, desha të them”.
*
Në nivel qeveritar, problemi kryesor është se nga xhelozia, as Diella nuk pranon të firmosë në vend të Bellës. “Ku Diella e ku Bella”, tha ministrja virtuale, kur I Gjati i kërkoi të firmoste ca gjëra derisa gjykata të shkrinte Bellën, “nuk të ndihmoj dot. Pastaj jam me 83 leje lindjesh, apo harrove? Ik, gjej ndonjë nga ato bibat për të firmosur se me mua s’të ecën!”.
Por në nivel lokal, drama është edhe më e rëndë. Grupet isopolifonike që inauguruan tunelet e Skërficës e Llogarasë, dhe po bëheshin gati për inaugurime të reja, kanë ndërprerë punën për mungesë fondesh. Rojet e gjeneratorëve ujorë vlonjatë Tigri 1 dhe 2, të shokuar nga pezullimi i Bellës, shkuan për t’i ndezur më në fund të dy tigrat për homazh, por zbuluan se dikush kishte vjedhur gjithë naftën që ata kujtuan se e kishin të tyren dhe mund ta vidhnin kur të donin.
Në gjithë Republikën, kryetarë bashkish, drejtorë kadastrash, biznesmenë, furnitorë, banakierë e kamarierë, kanë pezulluar për kohë të pacaktuar çdo plan për të bërë ndonjë gol, vetëm apo në bashkëpunim, duke pritur sesi do t’i vejë filli Bellës. Fermerët nuk dinë sa ujë t’i hedhin qumështit; benzinatat duan të dinë sa naftë t’i hedhin ujit. Studentët/et nuk janë më të qartë se sa -ose çfarë- duhet t’i japin pedagogut për një notë kaluese. Pensionistët e kanë hedhur poshtë me neveri shtesën e pensionit që ofroi I Gjati…
Kjo ishte pikërisht situata për të cilën I Gjati thoshte se “gjykata ka bllokuar çdo aktivitet në Republikën e Shqipërisë”.
Më e keqja, fondet e palëvruara nga njëri xhep në tjetrin, kanë krijuar një sufiçit të ndyrë që është shndërruar në problem mjedisor, për shkak të tufave të parave që nuk kanë ndërruar dorë.
“Dhe të mendosh,” psherëtiu I Gjati, “që kapitulli për mjedisin, është nga më kryesorët në negociatat e anëtarësimit me BE!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike zhbllokuese