
TIRANA – “Hë, ç’më shikon ashtu si hu? Të thashë, unë në burg për ty nuk shkoj. Kam bërë çfarë më ke thënë, i kam të gjitha mesazhet. Edhe për tunelin, edhe për turqit, edhe për grekët, edhe për firifistunin, prandaj merr masa!”
Bella e rrufiti edhe njëherë kafenë dhe shtoi, “S’ke ndonjë alkool të hajrit këtu? Të mori e mira të mori”. I Gjati nuk foli. Hapi pakëz perden e zyrës dhe pa përjashta. Po binte muzgu dhe në bulevard kalonte vetëm ndonjë makinë tek-tuk. Iu kujtua fotoja historike e Doktorit në dritare, i rrethuar nga protestuesit e 21 Janarit.
Iu duk me fat Doktori atë çast.
“Protestuesit ku m’i gjen”, tha me vete, “po ç’ti bësh ku je rrethuar së jashtmi nga prokurorë të padukshëm që i ke votuar vetë, dhe së brendshmi nga kjo shtriga që e ke zgjedhur vetë,” dhe i dha kurajo vetes, “mbahu Pallosh. Dallgë të mëdha këto…”.
U kthye nga Bella. “Kam pak konjak në dollap, ma mbush dhe mua një. Po ç’i ke këto budallallëqe, si të të lëshoj unë ty? Të kam më të mirën, unë e di se ç’zëvendëse kam zgjedhur. Do t’i bëj kërkesë Gjykatës Kushtetuese, mos ki merak”.
“Jo, se asaj Spirodhallës i qeshte buza vesh më vesh sot, kur ishte me Kosin, atë komisioneren e BE-së. E ke bërë Tiranën bulmetore, dhallë e kos. E mban rezervë atë nepërkën për të më zëvendësuar, e di unë,” dhe Bellën e kapi sërish nervi, “Por po vajta unë në burg, do vesh edhe ti, edhe të tjerët bashkë me ne. Gjithë Ballkanin do burgos!!!”
*
Pas nëntë orësh mbyllur në zyrë, I Gjati doli se kishte për të takuar Kosin. Bellës i tha të dilte nga tuneli sekret që të nxjerr në Elbasan.
“Kështu është më mirë,” i tha, dhe duke ikur i futi një kunj të fundit, pa i lënë kohë të reagonte, “Pastaj, ti ua ke marrë dorën tuneleve”.
Ndërkohë, juristët brilantë të kryeministrisë hartuan kërkesën për Gjykatën Kushtetuese. Nuk ishte kërkesë, po urdhër: Pezulloni vendimin e Gjykatës Speciale për shkarkimin nga detyra të zv.kryeministres Bella Ballukja!
Të nesërmen I Gjati deklaroi për mediat se vendi kishte mbetur pa zv.kryeministre, pa ministre të Energjisë dhe pa ministre të Infrastrukturës. Nuk kam ku të gjej tjetër, tha, është e pazëvendësueshme. U kërkova dhe Miçotaqit dhe Vuçiçit mos kishin ndonjë tepër, as që bëhej fjalë. Edhe kur ishim në Itali, ja tregova Bellën Jorgjie Peponit nga larg dhe i thashë të më gjejë një si ajo, as që bëhet fjalë, më tha. Pra, shkurt muhabeti, SPAK-u po e fut vendin në krizë infrastrukturore dhe energjetike, pa harruar krizën zëvendës-kryeministrore. Ky është grusht shteti, zotërinj…
Një nga gazetarët, i verbuar nga mungesa e etiketës dhe taktit, e pyeti si i zënë në faj, “zoti I Gjatë, po ju keni tagër të emëroni një zv.kryeministër tjetër pa problem; votat në Kuvend i keni. Pse qenka kaq problem ta lironi Bellën nga detyrat? Mos ajo po ju bën shantazh”?
Atëherë ndodhi çudia. Teksa I Gjati po përtypej për të gjetur një përgjigje, Bella doli nga hiçi (më pas dikush tha se sapo ishte kthyer nga Elbasani ku e kishte nxjerrë tuneli) dhe e kapi për gryke gazetarin provokator:
“Çfarë the ti? Përsërite dhe njëherë? Ti më akuzon mua se bëj presion? Po unë të marr shpirtin more edepsëz. E di ku ta fus këtë mikrofonin, e di? Hë pra, përsërite pyetjen!”
Mes reporterëve ra heshtje.
“Ja pra,” tha Bella me zë të zbutur, “që presione nuk ka patur. Edhe po ka patur, kanë qenë diku larg. Jetojmë në kohë tenderash dhe presionet janë të zakonshme”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e patenderuar