OPINION nga Mamal Ermaqi/ Pse zgjodha të jem i pasur

12 Nëntor 2025, 18:10Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Autori në tetëvjeçare

Ju ka ndodhur ndonjëherë të zgjoheni vonë në mëngjes sepse nuk ju ka rënë zilja? Të çoheni gjithë inat, ta përplasni orën me zile në dysheme dhe pastaj të kujtoheni se kishit vënë zilen e celularit dhe i ratë kot më qafë orës? Dhe duke u çuar, të vrisni gishtin e vogël të këmbës në cepin e krevatit, me një dhimbje që të ther në shpirt; të godisni kokën me derën e frigoriferit, pastaj ashtu me dhimbje por akoma përgjumësh të shkoni në banjë dhe të lani dhëmbët me furçë këpucësh? Dhe pastaj të bëni një kafe për të mbledhur xhanin, por keni hedhur kripë në vend të sheqerit? Dhe në vijim të bëheni gati me nxitim, duke veshur brekët mbi pantallona dhe kanotieren mbi këmishë, dhe sa bëheni gati të dilni, të kujtoheni se sot nuk keni asnjë punë dhe e gjithë poterja e mëngjesit ishte alarm falso?

Nëse po, mos u shqetësoni, se nuk jeni vetëm. Mua më ndodh çdo ditë, por shyqyr që kemi farmacinë afër, ku ime shoqe një herë në tre ditë bën një furnizim të mirë me jod dhe leukoplast dhe farmacisti na sheh në dritë të syrit, se gjysmën e xhiros së muajit ja bëj unë.

Çfarë doja të thoja? Hë, po. Këto lloj mëngjesesh mua më ndodhnin që i vogël, kur isha i varfër. Por asokohe, për shkak të fukarallëkut i lyeja gërvishjet nëpër gjymtyrë dhe gungat në ballë me rakinë e shtëpisë, dhe haja dru nga prindërit se kujtonin se e pija. Edhe në klasë përplasesha vend e pa vend nëpër qoshe bangash, rrëza muresh dhe kangjella oborresh, ndërsa zyshat e tetë-vjeçares më thoshin se nuk kisha për të bërë kurrë hajër, sepse nuk lexoja. Jo se nuk doja, por sepse leximi më jepte një dhimbje koke të tmerrshme, një marrje mendsh njësoj sikur të zë makina.

Megjithatë zyshat ma jepnin klasën, vetëm për të hequr qafe. Kështu mbërrita në gjimnaz, ku u bëra pjesë e një grupi muzikor edhe pse nuk i dija notat, kisha një zë të mjaftueshëm sa për të krijuar pak atmosferë në ndonjë fejesë a synetllëk, dhe përplasesha e çirresha mes veglave muzikore. Tani, përveç rakisë, ata të shtëpisë më akuzonin se u merrja fshehurazi edhe cigaret, ngaqë unë i shkreti vendosja pak duhan mbi gërvishtjet.

Presioni ishte i padurueshëm. Atëherë e kuptova se ky stres vinte ngaqë, kushedi për ç’arsye, kisha zgjedhur të isha i varfër. Kështu që e vendosa: Zgjodha të bëhem i pasur. Nuk e di pse nuk e kisha zgjedhur më herët. Ndoshta sepse gjysmën e fëmijërisë dhe rinisë isha si i trullosur ngaqë më vinin të lexoja me zor.

Gjëja e parë që bëra: Mblodha ato fletore e libra, ato historira e romane të shpifura, dhe u vura flakën. Kur fap, erdhën milionat e para. Pastaj fup, milionat e dyta. Pse, do thoni ju?

Sepse vendosa të jem mendjehapur dhe të mendoj ndryshe, pavarësisht se ata që s’më kuptojnë, thonë se një mendje, që ta hapësh, në fillim duhet ta kesh; dhe që të mendosh ndryshe, fillimisht duhet më e pakta, të mendosh.

Shkurt muhabeti, mora kontrollin e jetës sime. E lashë artin tim muzikor (ohhh, sa njerëz më kanë falenderuar për këtë) dhe fillova të tregoj rrëfenja dramatike në një emision me emër agrumesh, që fillonin me “Ishin njëherë një shqiptar, një italian dhe një amerikan…”.

Dhe atë moment erdhi vila jashtë Tirane. Po si, do thoni ju? Thjesht, sepse zgjodha të jem i pasur dhe nuk zgjodha të jem i varfër. Dhe për këtë duhet të çohesh herët, vëlla, dhe të djegësh libra. Dhe pastaj të marrësh telefon zyshën e fillores dhe t’i thuash: Hë mi shtrigë, ti që thoshe se nuk kisha me bo hajër? Sa e ke pensionin mi?

Unë edhe sot që jam mendjehapur dhe i gatshëm për mundësi të reja, zgjohem herët si atëherë kur isha pabuks dhe e kisha timbrin e zërit si llamarinë kioskash kur fryn erë. Njësoj si atëherë, përplasem nëpër divane e cepa krevatesh dhe i laj dhëmbët me furçë bojaxhinjsh. Dhe po njësoj, pasi përfundoj gjithë ritualin e incidenteve të mëngjesit, e kuptoj që jam çuar kot, se s’kam kokërr pune për të bërë. Por sot ama gërvishtjet i mbuloj me leukoplaste të shtrenjta gjermane dhe nuk harxhoj rakinë e shtëpisë. Dhe për këtë duhet disiplinë dhe regjim i rreptë. 

Por s’mund të zgjatem më shumë këtu. Sepse edhe këtë artikull, siç mund ta merrni me mend, nuk e shkruaj unë por një tip me pagesë që thotë se paska lexuar fort në shkollë, kur unë bëja muzikë. Ama në qoftë se doni të dini më shumë, ejani në seminaret e mia, dhe për 50 mijë euro ora, do t’ju zbuloj sesi zgjodha të bëhem i pasur dhe përse nuk vendosa të ngelem i varfër. Nxitoni, nxitoni…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që zgjohet vonë dhe nuk përplaset nëpër cepa të mprehtë…        


Video