TIRANË, BRUKSEL dhe kthim – Gjëja e parë që Federika Mogerini kërkoi kur e arrestoi policia belge, ishte e drejta e një telefonate. “Dua të flas me avokatin tim”, tha ish ministrja e jashtme e BE-së.
Atë çast Të Gjatit i ra celulari.
“Hë mi goc’, ça bone?”, u përgjigj gjithë gaz I Gjati, por buzëqeshja e dhëmbëve të vëna në Dubai iu pre kur goca i tha se e kanë arrestuar për abuzim me fondet.
“Ashtuuu? Po ç’abuzim ke bërë ti, që më raftë pika, për tre milionë euro gjithë kjo zhurmë? Edhe me qindarkat po merren tani?” Dhe në çast e mblodhi veten:
“Dëgjo. Hidhe çështjen në Gjykatën Kushtetuese! Ke ndonjë Kushtetuese aty? Hë, aty hidhe! Thuaju atyre derrave, po ika unë mbetet Kolegji i Europës pa drejtues dhe studentët pa mësim!”
Dhe I Gjati i dha një porosi të fundit: “Po të pyetën për mua, thuaju që e njoh nga larg, s’kemi ndonjë miqësi”…
***
Thoshin se Federika kishte lindur me këmishë të kuqe. Në fakt, në moshë të njomë ishte vërtet anëtare e Rinisë Komuniste Italiane, pastaj kaloi me socialistët. Por kur shumëkush mendoi kulmi i karrierës erdhi kur Mateo Rrenci (Mate Gënjeshtari në dialekt) si kryeministër, e vuri ministre të Jashtme të Italisë, do gabohej rëndë. As gjashtë muaj nuk ndenji, se Mateu e çoi emrin e saj për Ministre të Jashtme të BE-së. Vetë Mateu nuk zgjati shumë dhe humbi zgjedhjet italiane, por Federika mbeti si dhuratë.
Me pak fjalë, Federika brenda një viti e pa veten nga sekretaricë socialiste në opozitë, në kryediplomate të BE-së! (Dhe pastaj ne ankohemi pse vjedhin ministrat që I Gjati i merr nga rradha e qumështit dhe u jep një dikaster!)
Policia belge dyshon se kontaktet e shpeshta të Federikës me Shqipërinë si Ministre e Jashtme, dhe pastaj si drejtorevicë e Kolegjit të Europës - ku përgatiten politikanët e ardhshëm të kontinentit - mund të kenë pasur rol në krijimin e varësisë së saj ndaj fondeve. Kur mësuan pastaj se dy vitet e fundit, goca rrinte më shumë në Tiranë se në Belgjikë apo në Itali, nisën të hetojnë.
Dhe ç’të shihnin? Abuzim me tenderat, korrupsion, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional…
Hetuesit po fërkonin sytë dhe thoshin me njëri-tjetrin, “ore Federika është kjo apo Bella Ballukja?”
***
Vetëm pak ditë më parë, Bashkimi Europian i kërkoi Shqipërisë të hetojë abuzimin me fondet bujqësore të IPARD-it, por askush nuk e përmendi me emër Frika Drifcën, ish drejtoreshën e AZHBR-së dhe ministre bujqësore. Frika ka lënë nam të mirë si eksperte e tokave të mbjella në letër dhe e fermerëve nga qendra e Tiranës që ndërtuan vila në Rivierë me lekë bujqësore.
Kur dëgjoi se Federikën e kishin arrestuar, Frika u deklaroi shoqeve se atë gocën e kishte pasur shoqe dhe kishin punuar bashkë për ta afruar Shqipërinë me BE-në.
“Po mi, kemi ecur bashkë për njëfarë kohe, si i thonë llafes, Frika para dhe Federika pas,” kujtoi me nostalgji ish-Azhbristja që deri tani nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.
“Jo”, e korrigjoi një shoqe, “Federika para dhe ti pas, se ajo kishte detyrë më të lartë”.
“Po dëgjo mua,” këmbënguli Frika, “unë para dhe ajo pas, po të them. Ecnim gjithë guxim e krenari drejt integrimit. Por unë isha vigjilente, e pashë policinë dhe u ula, ndërsa Federika e hëngri”.
P.S. Federika e zbatoi porosinë e Të Gjatit dhe u tha hetuesve se nuk duhej ta arrestonin, sepse do mbeteshin studentët pa drejtues. “Pikërisht prandaj po të arrestojmë,” ja kthyen ata, “se ata studentë nesër do drejtojnë Europën, dhe me profesoreshë si ty, kemi shkuar për lesh”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-studentore