ÇMIMI/ Doktori shpallet shoqëruesi i 17-të i Missit; Episa vallëzon sa herë i jepet rasti

28 Nëntor 2025, 17:02Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doktori duke festuar çmimin që i dhanë në Shpal

TIRANË/ SAO PAULO – Lajmi se Doktori u zgjodh shoqëruesi i 17-të i Missit në një konkurs bukurie politike në Sao Paulo (shqip Shpal) të Brazilit, i entuziazmoi demokratët. Jo se ata kishin ndonjë dyshim në bukurinë e Doktorit, por sepse kështu u përgënjeshtrua pretendimi i Të Gjatit që Doktori nuk udhëtonte dot përtej oqeanit.

“E shikoni?”, deklaroi i dehur nga kënaqësia doktori i dytë për nga rëndësia në parti, Nul Moka, “thoshin se udhëheqësi nuk i viziton dot Amerikat. Ai jo vetëm që vajti, por mori edhe çmim”.

Për ta festuar këtë arritje, Doktori mblodhi sërish para Kryeministrisë 16 mbështetës. Për të ndjekur eventin u atashuan 26 media, të cilat i fokusuan kamerat tek turma 16 vetëshe. Ndërkohë edhe pse policia e kishte bllokuar bulevardin, vendosi ta hapte njërin krah për makinat sepse për aq veta nuk kishte asnjë rrezik.

“Është njësoj si me prenotimet e lokaleve,” sqaroi policia, “kur ka ndonjë festë të vogël, zihet vetëm një cep i lokalit ndërsa pjesë tjetër rri e hapur për klientët. Kështu dhe me bulevardin”.     

***

Edhe pse e kishte patur në gjak që kur pa për herë të parë filmin Skënderbeu dhe kërcimin elegant të Mamicës, fiksimi i ri zyrtar i Episa Spirodhallës është vallja. Ky pasion i është shtuar, sidomos tani që mori vesh se kolegia Bella Ballukja ishte ftuar të diskutonte për projekte zhvillimore në SPAK, bashkë me drejtorët e vet.

Kështu bëri së fundi dhe në Shkodër. Sapo takoi presidenten e Kosovës – që kishte ardhur për një dorë muhabet me Benetin e bashkisë për festën e Pavarësisë – iu hodh në qafë dhe i tha: “Uaa Vjosa! Hajde t’ja marrim një valleje se kam sebep. Benet, na vër një pogonishte!” Dhe ngriti një dolli:

Të na rrojë SPAK-u

Na u hoq meraku

Se tani tenxheres

I iku kapaku

Dhe Bella Ballukes

Iu shtrëngua laku!

Sa dëgjoi SPAK, Benet ziu u zverdh. Edhe atë po e thërrisnin ca si shpesh për të diskutuar mbi projektet zhvillimore…

***

Belo Këllëfi u shqetësua shumë kur rrodhën nga SPAK-u drejt e në media, ca komunikime të tijat me drejtorin berber të Bellës. Aty demek Belo i kërkonte drejtorit ca “rialokime fondesh”, se protesta kundër Lalit para bashkisë së Tiranës nuk mund të bëhej me barkun bosh.

“Mos na shiko kështu të shëndoshur dhe kujton se kemi kapur Amerikën. Kemi marrë kile nga stresi, jo nga lekët”, shkruante Belua.

Për të përgënjeshtruar çdo aluzion, ai shkroi një status të gjatë ku sqaronte se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte marrë para nga Bella.

“A i keni parë protestat tona me 20 veta kundër Lalit? Po të kisha marrë fonde, do kisha mbledhur 30-35, madje dhe më shumë. Pra kjo akuzë nuk qëndron,” deklaroi Belua.

Mirëpo kjo përmendja e Amerikës i kujtoi diçka Doktorit.

Ai e thirri dhe e pyeti: “Ore djalë, ato paratë që të dhashë për të më hequr non-gratën në Amerikë, më the që i harxhove të gjitha, po?”

Belos i ra pika, por e shpëtoi të qenit ezmer, se nuk i dukej zverdhja e fytyrës.

“Po Doktor, ju solla dhe faturat: Biletat, hoteli, ca sanduiçe, taksat e hyrjes në takimet e Trampit… Pse çfarë ka ndodhur?”

Doktori buzëqeshi, “Hiç hiç, kshtu për kuriozitet. Po bën Zeni projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm dhe po sqarojmë ca zëra shpenzimesh. Mund të largohesh”.

Që nga ajo ditë, Belo ka luhatje tensioni dhe marrje mendsh. Megjithatë kjo nuk e pengoi t’i kërkonte Bellës para… për të mos protestuar kundër saj.       

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-karnavaleve ezmero-braziliane


Video