VIRGJËRESHA
Për vitin 2026, harro çfarëdolloj planesh me shumë shpenzime që ke në mendje. Qeveria ka vendosur që të pakësojë në minimum lekun letër, madje kryeministri për të shmangur çdo keqkuptim, deklaroi në një moment sinqeriteti:
“Nuk ka më “leku letër” si deri tani; edhe unë vetë, të gjitha kursimet e mia i kam kthyer në kripto, aksione kompanish në emër të të tretëve dhe të katërtëve, ose në shishe vere të shtrenjtë!”
PESHORJA
Bella do të hyjë papritur në jetën tuaj këtë fillimviti, duke ju çuar një mesazh urdhërues: “Jepi pak shpejt me Lotin 4 se më çau trapin ai palloshi!” Një mesazh i dytë nga Bella do të të sqarojë se nuk duhet në asnjë mënyrë “të biem në presionin e atij kurvës”.
Duke e kuptuar më në fund se mesazhet i kishte çuar në adresë të gabuar, Bella do përpiqet të lajë, si i thotë populli, ballkavanë me kadaif, me një mesazh festiv: “Ju urojmë t’i kaloni gëzuar festat e fundvitit me njerëzit tuaj më të shtrenjtë, dmth ata me ofertën më të lartë! Atyre më të lirëve varuni leshtë se s’bëjnë një lek”.
AKREPI
Dashuria vërtet është e verbër, por kjo nuk domethënë se nuk i punon nuhatja. Prandaj lahu ndonjëherë të shkretën, se ka tre muaj që fatura e ujit të vjen vetëm me pagesën bazë dhe taksën e RTSH-së.
SHIGJETARI
Në sajë të ndikimit shqetësues të Jupiterit në shenjën tuaj, ka mundësi që aty nga fundi i Shkurtit, Nul Moka të fillojë e të të duket inteligjent. Nëse kjo ndodh, për t’u çintoksikuar mbyllu urgjentisht për dy javë në një dhomë të errët, pa energji elektrike dhe pa kontakte me botën e jashtme. Fjala vjen, në ndonjë nga zyrat e degëve të PD-së.
BRICJAPI
Sistemi yt i ndryshkur i parimeve dhe vlerave – ty që të kap stresi dhe të acarohet lëkura kur kalon me tre ditë afatin e pagesës së energjisë – do të marrë një goditje serioze së shpejti, kur të lexosh deklaratat legjendare të Gysit, të tipit “tenderi bën 2 milionë euro, por ne do ta bëjmë 4”.
Por të gjitha dilemat dhe dyshimet do të shuhen kur të dëgjosh zërin e mëndafshtë të kryeministrit, të të sigurojë se kukumjaçka e AKSHI-t, që ja jepte Gysit këto tendera, jetonte në një kasolle me qera aty në Katavarosh, ku natën i dukej sikur do t’i hynin minjtë në trup…
UJORI
Ruaj gjakftohtësinë, mos u panikos! Në qoftë se brenda gjysmë ore gjen një tjetër bebe që i ngjan tëndit, ka mundësi që jot shoqe mos ta vërë re ndryshimin…
PESHQIT
Ata që të njohin mund të thonë se ti kundërshton kot, thua jo për gjithçka, nëse bashkëbiseduesi ka një mendim, ti zgjedh të kundërtën vetëm për qejf të kundërshtimit; pasioni yt për të qenë ‘anti’ shumë herë shkon edhe kundër vetë interesave të tua. Por pavarësisht se ç’thonë ata, ti nuk je hiç dakord; ata ja fusin kot dhe ti je totalisht kundër këtyre përfundimeve.
DASHI
Ti dhe dy shokët e tu do jeni shembulli i gjallë se çfarë është në gjendje të bëjë një grup i vogël të rinjsh të vendosur, kur e ndan mendjen për t’u bërë tapë dhe pastaj merr makinat për të bërë garë se kush i afrohet më shpejt një pompe karburanti.
DEMI
Fakti që doktorët shqiptarë në shumicë kanë emigruar në Gjermani, në fillim të mbushën me ankth se edhe Doktori do kishte ikur diku në Alpet Bavareze apo në Baden-Baden. Por rri i qetë, se edhe në 2026-ën Doktorin e ke të Tiranë. Për fat të keq, do ta shohësh duke folur me pemët, se ata të cilëve u drejtohej dikur, kanë ikur në… Gjermani.
BINJAKËT
Sa bukur! Një dashuri e re do të rikthejë në jetën tënde ndjesitë e harruara të vlimit të gjakut, pasionit, euforisë, fluturave në stomak… Vetëm ki parasysh se herët a vonë, atë robin tjetër duhet ta takosh dhe njohësh edhe fizikisht. Sepse deri tani ke komunikuar vetëm me mesazhe.
GAFORRJA
Gjithmonë ke ëndërruar që mediat të shkruanin për ty, me tituj të mëdhenj ku njoftohej se ti “Nuk i Lë Vend Imagjinatës”. Më në fund, ja arrite kësaj dite, por për arsyet e gabuara. Sepse për ty thonë se je kaq i cekët, kaq i paedukatë, kaq i palexuar dhe, në përgjithësi, kaq i trashë saqë nuk do fare imagjinatë për ta kuptuar.
LUANI
Tiku do këmbëngulë të qëndrojë në jetën tënde këtë fillim-viti, duke të ftuar papushim të marrësh pjesë në protestën e tij para kryeministrisë, dhe mundësisht të sjellësh edhe tavllën me vete. Dhe ca sanduiçe. Prandaj duhet të vendosësh nëse do t’i bashkohesh misionit të tij fisnik për t'i bërë deputete edhe një kunatë që punon në një mezeri në Selanik.
Vini Re: U kuptuam besoj që kjo rubrikë horoskopi e Patronazhistit është satirike; jo si horoskopët e vërtetë shkencorë të hartuar nga specialistët më në zë…