TIRANË – Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë mori vendimin historik të dyfishimit të rrogave, pensioneve, çmimeve, taksave, doganave, tarifave të shkollimit, pagës së çerdheve dhe kopshteve dhe të gjithçkaje tjetër që varet nga pushteti ekzekutiv.
Vendimi vjen si mbajtje e një premtimi të hershëm të qeverisë, por shkon edhe përtej tij, nën dritën e hedhjes së hapave të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, thotë njoftimi i zyrës së shtypjes në kryeministri.
Vlen të kujtohet se duke filluar nga mandati i kaluar, qeveria filloi të eksperimentojë me disa rritje të pjesshme rrogash, kryesisht për policët e pakorruptuar dhe mësuesit idealistë, duke kaluar gradualisht në hapa më seriozë si rritja e pensioneve të ulëta me 2-3%, për t’i indeksuar me inflacionin që ishte 4-5%. Gjithashtu, krahas rritjes së pensioneve të ulëta, u morën masa për uljen e pensioneve të larta, në mënyrë që të shmangej ajo që në gjuhën ekonomike quhet “të punojë Larua dhe të hajë Balua”, dhe të arrihej në ekuilibrin e njohur keynesian: “Të punojë si Larua edhe Balua, që të hajë Malua”.
Në vijim, qeveria ka dhuruar vit pas viti nga një gjel deti për vit të ri, për çdo pensionist. Megjithatë, protestat e aktivistëve dhe paralajmërimi i ekspertëve të mjedisit se në këtë mënyrë do të pakësoheshin gjallesat e detit, bëri që kryeministri të vendoste që në vend të gjelit të detit, pensionistët të përfitonin nga një qafë pate, si dhe me raste speciale, opingën e Sheros.
Por në sajë të performancës së shkëlqyer ekonomike, duket se vendi ka kaluar në një fazë të re mirëqenieje: Mjaft më me masa të pjesshme sa për të hedhur lumin, sepse janë pakësuar dhe kuajt.
Këto arsyetime, mëson Patronazhisti, janë artikuluar në mbledhjen e fundit të kabinetit, ku u vendos me shumicë votash hapi gjigand:
Jo vetëm dyfishim i rrogave dhe pensioneve, por edhe i indikatorëve të tjerë, po kaq të rëndësishëm për një ekonomi të shëndetshme, si çmimet, taksat, kamatat, doganat dhe çdo pagesë për shërbime që varen nga shteti.
Ndërkaq, qeveria do të punojë me grupet e interesit, për të dyfishuar edhe ata tregues që nuk varen direkt nga buxheti i shtetit, si inflacioni, hyrja e parave të pista brenda vendit, dalja e parave të lara jashtë vendit, indeksi i perceptimit të korrupsionit, numri i aksidenteve, cilësia e vrasjeve etj.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypjes, edhe pse është një mision i vështirë, do të punohet në mënyrë të veçantë me diasporën shqiptare për të arritur edhe dyfishimin e remitancave, domethënë të parave të rrogës që emigrantët dërgojnë në atdhe.
Deri tani të dhënat janë inkurajuese, sepse një dyfishim ka ndodhur edhe në këtë sektor: Është dyfishuar numri i familjarëve të emigrantëve që ikin jashtë vendit.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike shumë skeptike ndaj dyfishimeve pa kriter