EKSKLUZIVE/ Fjalimi sekret i Doktorit kundër Kultit të Individit në mbledhjen e 20-te të Kryesisë së PD-së

14 Dhjetor 2025, 22:51Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doktori duke demaskuar armiqtë e brendshëm dhe ata që duan të dalin jashtë

TIRANA – Mbledhja e 20-të e kryesisë së Partisë Demokratike javën e kaluar, pati zhvillime të reja, në një ndryshim radikal krahasuar me mbledhjet e tjera ku mediat komentonin vetëm zhvillimet e vjetra. Disa grimca debatesh që arritën të rridhnin drejt shtypit, lanë të kuptohet për përplasje të stuhishme, ku nuk munguan edhe dorëheqjet demonstrative si ajo e Gjekmarkagjonajt, që u refuzua nga Doktori; akuzat për dorëzim vullnetar votash në favor të Endrit të Shabanicës, pasi ky i fundit i gënjeu deputetët e PD-së duke u treguar një foto të vjetër të tij me Doktorin; apo sherri dramatik i Nulit me një anëtar të kryesisë që po e imitonte me paturpësi.

Vetëm se ky incidenti i fundit ishte alarm i rremë, sepse doli që Nuli po zihej me pasqyrimin e vet në xhamin e dritares, duke kujtuar se ishte anëtar kryesie. Për të mbuluar gafën, filloi të zihej me Salijanin, meqë ky qëlloi të ishte afër pasqyrimit të tij në xham.

Por ngjarja e vërtetë e mbledhjes – të cilën ata që nuk e pëlqyen, e quajtën Plenumi i Zi – ishte fjalimi programatik i Doktorit kundër kultit të individit në PD, i cili do t’u shpërndahet partive simotra në Afrikë, Azinë Qëndrore dhe Antarktidën e Veriut. Ja disa nga pikat kryesore të tij:

“Të dashur demokratë dhe ti, Albana! Jemi mbledhur sot për të denoncuar një dukuri shumë të rrezikshme, që po ja zë frymën Partisë Demokratike. Siç e dini, ajo lindi 35 vjet më parë si partia e Lirisë. Në vijim, edhe e Zenit dhe Gitës, dhe më pak e Abit. Por tani PD po rrezikohet nga armiku më i egër, që nuk e lë të organizohet, të mbledhë njerëz, të frymëzojë votues, të kërcënojë pushtetin; ky armik është kulti i individit.

A kemi bërë gabime deri më sot? Padyshim që po, se gabimi është njerëzor; edhe lejet e kullave janë njerëzore. Por ama, të marrësh leje kullash kur je në opozitë, tregon dinamizmin, vitalitetin e partisë, sepse i tregojmë elektoratit se çfarë jemi në gjendje të bëjmë edhe në këto kushte të vështira pa pushtet, kur qeveria po uzurpon të gjitha hapësirat.

Ju e patë, ne kërkuam me të drejtë një Avokat të Popullit nga rradhët e opozitës, por mazhoranca votoi Endrin e Shabanicës. Dakord, edhe Endrin ne e propozuam, por pa dashje! Na mori firmat në mirëbesim, duke na gënjyer se i duheshin për një temë diplome. Prandaj, meqë na gënjeu Endri, unë propozoj që të bëjmë një protestë madhështore kundër qeverisë!

Siç e dini, gjysma e kësaj qeverie është në SPAK me akuza për vjedhje të paimagjinueshme more zotëri! Prandaj, para se të kaloj në pikat e tjera, propozoj të bëjmë edhe një protestë madhështore kundër SPAK-ut, kësaj vegle të qeverisë.

Ju siguroj se me regjimin e Gjatoduros nuk do ketë asnjë kompromis, pavarësisht se gjysma e deputetëve tanë marrin liçensa, leje e projekte nga qeveria. Ne duhet të luftojmë deri në liçensën e fundit, se vetëm kështu mobilizohen masat. Prandaj ti zoti Nul, si sekretar i përgjithshëm, merr masa që të mos shkosh në takime me anëtarësinë, me Range Rover të vitit të fundit. Kam folur me Zenin, të marrësh një Porsche të vjetër që na ka mbet në garazh dhe të ulesh me demokratët ashtu, vendçe, si i thonë llafit.

Dikush mund të thotë, ç’punë të prish Range-i i Nulit, që tek e fundit ha përshesh dhe zihet me vetveten në pasqyrë, kur ti na solle Lulin në krye të partisë? Aaa jo zotërinj, ku Luli e ku Nuli! Ishte pikërisht Luli që na infektoi me kultin e individit, ndërsa Nuli edhe sot beson se kulti është një lloj pulti. Pastaj kë të vinim në krye, Fatbardh Kandilin, atë fraksionistin?

Mirëpo, ky kult që solli Luli, ka prekur edhe disa të tjerë këtu mes nesh, që kujtojnë se meqë mbledhin njerëz më shumë se gjithë partia së bashku, dhe marrin më shumë vota nga anëtarësia se të tjerët, duhet të zgjidhen në forume apo të bëhen zyrtarë të lartë, kupton apo jo! Ka prekur e them për delikatesë, se i ka infektuar deri në palcë!

Po çfarë është kjo? Kjo nuk është demokraci të lutem shumë, por anarki! Ça domethënë kjo, mblidh vota dhe dil përpara? Po ata që s’mbledhin dot, t’ja lëmë Të Gjatit? Ka forume, ka kryesi, ka vendimmarrje….

Atë çast, duke mos duruar dot më torturën, u ngrit deputeti Gjekmarkagjonaj dhe i emocionuar tha: “Zoti Lider i Papërsëritshëm, Yll Polar që ndriçon rrugën tonë, duke hapur shtigje të reja drejt demokracisë me forcat e veta. Unë e pranoj para kryesisë se më ka mbërthyer brinjë më brinjë kulti i individit; është një infeksion i rëndë që mund të shërohet vetëm nëse dorëhiqem nga të gjitha funksionet dhe dërgohem të punoj një vit rresht në orizore, i zhytur deri në gjunjë në llucë! I dhashë firmën Endrit të Shabanicës se mu errën sytë nga të mirat që na keni sjellë Ju! Prandaj jap dorëheqjen e parevokueshme, por nëse ju nuk pranoni, nuk e jap!”

Doktori nuk e priste këtë. “Jooo zoti Markagjekaj, në asnjë mënyrë! Nuk e kisha për ju. Ja, le të flasë zoti Salijani, që bëri një vit burg për partinë, që të na hedhë hi syve, se kujton që jemi leshko! Ç’doje ti zotri në Durrës? Kë individ takove? Çfarë të thanë individët? Pse, kjo është demokracia?”

Në këtë pikë, Nuli mori zemër që puna e Range Roverit u harrua, dhe bërtiti: “Ta përjashtojmë Salijanin, t’ja heqim dhe pjesën Sali nga mbiemri me vendim kryesie! Dhe sa për atë çështjen e individit, unë propozoj që pultin ta dorëzojë këtu para se të dalë!”

Vini Re: Patronazhistit si rubrikë satirike, zhvillimet në PD po i bëjnë konkurrencë të pandershme


Video