INSTAT/ Të dhënat: 99.9% e shqiptarëve preferojnë të hanë pas shpinës së kryeministrit

29 Dhjetor 2025, 17:22Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-kancelari gjerman Scholz ngurron të hajë në sy të kryeministrit

TIRANË – Një studim njëvjeçar i Institutit të Statistikave, të dhënat e të cilit janë bërë publike së fundi, ka nxjerrë në pah një sjellje atipike të banorëve të Republikës së Shqipërisë, që deri tani përflitej, por kurrë nuk ishte matur statistikisht: Pothuajse të gjithë shqiptarët nuk duan të hanë në sy të kryeministrit.

Anketimi i kryer me sms, telefonata, emaile, vacap, vajber, instagram, telegram, lajm-thirrje, pëllumba postierë etj, ka zbuluar se 99.9% e shqiptarëve përpiqen ta shmangin në çdo mënyrë përtypjen e çfarëdolloj baze ushqimore në prani në kreut të qeverisë, e sidomos kur ai është duke i parë.

Indiciet e para për këtë sjellje alarmante i ka bërë publike në fakt, vetë kryeministri, i cili që prej dy-tre vitesh ka folur hapur për qytetarë problematikë të Republikës, që nepsin e tyre për fruta sezonale tentojnë ta fshehin sapo shfaqet ai. Çuditërisht, ata ishin njerëz të tij të afërt në qeveri, të cilët mezi prisnin largimin e shefit për t’i hedhur diçka barkut, në rastin më të mirë, dardha.

“Ka disa bashkëpunëtorë, në qeveri apo edhe në parti, që hanë dardha pas kurrizit tim,” është ankuar disa herë kryeministri, “por ta harrojnë se do t’i mbroj unë”.

Edhe sot është e paqartë se nga çfarë duhej t’i mbronte. Analistët politikë pretendojnë se kryeministri ka nxjerr një udhëzim të brendshëm që ndalon ngrënien e frutave në orar të punës.  

Megjithatë, në fillim besohej me naivitet se këto ishin raste sporadike, që më shumë vinin prej sqimës dhe edukatës të ministrave, apo krerëve të institucioneve të rëndësishme qëndrore, për të mos u përtypur në sy të udhëheqësit. Por çështja ishte më e thellë.

***

Dukuria u bë flagrante edhe për vetë kryeministrin, sidomos vitin e fundit. Edhe në dreka informale qeveritare jashtë Tiranës, apo takime me bazën, zyrtarë e simpatizantë socialistë ndërprisnin lëvizjen e nofullave edhe sikur të kishin thjesht një çamçakiz në gojë. Kalamajve që nuk e kishin mendjen dhe vazhdonin të hanin patatina nëpër takime, prindërit ua veshnin me shpullë. Disa kryetarë bashkie që u zunë gafil me ushqim në gojë, desh u mbytën. Në shumë qytete të vendit, sapo nënat merrnin vesh se nesër do vinte kryeministri, ushqenin familjen me nga dy-tre racione dhe u thoshin fëmijëve, “shqepuni tani, se nesër gjithë ditën nuk ka bukë!”.

Ndërkaq u vu re një dukuri interesante: Vetëm pasi ikte kryeministri, bashkitë dhe shoqatat me nxitim organizonin panaire ushqimore, festa tradicionale dhe ekspozita recetash lokale, me shpresën se shefi nuk kthehej papritur.

Por drama më e madhe, sipas të dhënave të INSTAT, ndodhi me të rinjtë dhe popullsinë në moshë aktive për punë. Mësohet se mbi 500 mijë shqiptarë që kanë ikur në emigracion vitet e fundit, kanë deklaruar se arsyeja kryesore e largimit ka qenë “të hamë si njerëzit se na e zuri në fyt I Gjati”. 

P.S. Në një kthesë të hatashme të dy javëve të fundit, kryeministri ka deklaruar befasisht se disa nga ata që kanë ngrënë pas shpinës së tij janë të domosdoshëm për qeverisjen, dhe largimi i tyre do pengonte integrimin europian, do anullonte fluturimet me Kanadanë dhe do bllokonte firmosjen e shumë VKM-ve të rëndësishme. Ky ndryshim qëndrimi nuk vlen për ngrënësit e mëhershëm.

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike totalisht e paushqyer      


Video