PROPOZIMI/ Bella e fton Zegjinenë të shkojë në vend të saj në hotelin e grave të dalluara në Pojskë

23 Dhjetor 2025, 17:12Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bella duke i treguar Zegjinesë hotelin e grave të dalluara

TIRANË /POGRADEC /ROSKOTEC –Nuk di si t’ia shpërbej asaj goce. Ajo është yll mi, yll!” Kjo është shprehja që Zegjineja u thotë gjithë të njohurve që kur ka ardhur në Tiranë, kur e pyesin për Bella Balluken.

Ende nuk i kanë ikur emocionet kur kujton sesi Bella e përzgjodhi mes konkurrentëve në Talent Show-n që Partia Socialiste zhvilloi në Roskotec, dhe i tha “Ti do vish në Tiranë”. Zegjineja kishte përgatitur një pjesë dramatike të titulluar “O Gazooo!” me të cilën përloti anëtarët e jurisë.

Këta panë njëri-tjetrin, tundën kokat të mahnitur dhe ja bënë me shenjë kryetares së jurisë, Bellës: “Merre! Kjo të nderon atje në Tiranë!”

Edhe kur gjërat u komplikuan rrugës, dhe Zegjineja rrezikoi të mos shkonte në kryeqytet për shkak të konkurrentëve të tjerë, Bella vuri veton: “Të tjerët të japin dorëheqjen, që të mos vij t’i dorëheq unë! Dua Zegjinenë dhe pikë! Nuk mund t’i lëmë talentet rrugëve pse s’kanë miq! Ne jemi parti e fukarasë!”

Kështu talenti nga Roskoteci jo vetëm erdhi në Tiranë, por Bella e futi në kurse alfabetizmi, qëndistarie dhe etike parlamentare. Kjo e fundit konsistonte kryesisht në zgjedhjen e duhur të numrit të xhaketës, pasi Bella kishte vënë re që Zegjineja i vishte xhaketat tre numra më të mëdha. 

***

Por mbështetja e Bellës për talentin e ri nuk mbaroi me kaq. Ajo e inkurajonte që të interpretonte herë pas here pjesën “O Gazooo!” në parlament, dhe i thoshte të Gjatit: “E sheh çfarë performance? Çfarë timbri, çfarë gjuhe trupi, çfarë natyrshmërie!”

I Gjati ishte dakord. “Jo keq, jo keq! Sikur të dinte dhe të lexonte, do ishte ideale!” Por Bella e qetësonte: “S’ka gjë, e re është. Do mësojë”.

Zegjineja nuk dinte si të gëzohej që kishte gjetur një mentore kaq bujare dhe të dashur. Kishte frikë se mos kjo mirësjellje dhe dashuri do shteronte dikur.

Por jo! Rasti më i fundit ishte para ca ditësh, kur Bella e mori mënjanë dhe i tha: “Shiko e dashur si është puna! Mua si grua e shquar në karrierë më kanë ftuar të shkoj për pushime të gjata në një hotel të shkëlqyer që sapo është ndërtuar. Ndodhet në Pojskë të Pogradecit, Hoteli i Grave quhet, ka kushte të papara. Buzë liqenit, me pamje nga uji, ç’të të them. Të gjitha të paguara. Por ç’e do, nuk më lënë punët. A do shkosh ti në vendin tim? Se gjynah të vejë dëm gjithë kjo dhuratë!”

Zegjineja u prek. “Çfarë ke bërë ti për mua, dhe prapë po më llaston! Nuk e di a do të ta kthej ndonjëherë,” dhe u përlot.

“Mos e vri mendjen mi goc, se e meriton! Ne femrat duhet të bëjmë për njëra-tjetrën. Thjesht para se të nisesh, duhet të firmosësh ca shkresurina,” e qetësoi Bella.

Në vijim i zgjati ca dokumente ku Zegjineja dalloi ca shifra dhe fjalë të çuditshme tek-tuk, si Loti 2, Loti 3, Tuneli, Unaza, por më tej nuk kuptonte. Bella e sqaroi se ishin dokumentacione të hotelit. “Quhen fletë kampi, tregon këto dhe nuk ke nevojë të paguash,” i tha.

Talenti i ri firmosi siç e kishin mësuar në kursin e alfabetizmit. Bella priti sa mbaroi, mori frymë e lehtësuar dhe mërmëriti, “iku dhe kjo”.

Duke u larguar, i tha Zegjinesë: “Dhe shiko! Kur të shkosh te Hoteli i Grave, s’është nevojë t’u thuash që të solla unë. Erdha vetë, thuaj! Aty mund t’i këndosh Gazit gjithë ditën e gjithë natën”.                

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro talenteve të reja


Video