SURREL – “Ikën ti, ikën, po të sjell jot ëmë këtu!” Sa lëshoi këtë paralajmërim tipik bashkëshortor, ai u pendua dhe ndryshoi ton. “Po hajde moj e uruar, se bëra shaka. Hajde në shtrat, ngrohtë-ngrohtë, nuk e sheh se po bëhet hataja?”
Por ajo nuk dëgjonte. “Do iki, do marr malet. Bile tani që po e mendoj, do marr fushat. Dashke dhe të rri në shtrat, pale!”, dhe mblodhi ca rraqe çfarë i zuri dora, mbathi çizmet e ujit dhe përplasi derën.
Ai u alarmua. Kërceu përpjetë siç ishte me pizhamat që vishte dhe në zyrë, dhe e ndoqi nga pas.
“Na moj, Shqipe, prit të llafosim. Shqipe. Shqipeeee!”
U zgjua ujë në djersë. Instiktivisht, siç i ndodhte shpesh kohët e fundit, zgjati dorën, kapi gotën e ujit dhe e ktheu me një frymë. Pasta u kthjellua dhe e kuptoi që ishte në ëndërr. “Shyqyr”, tha me vete, dhe kontrolloi me dorë gjysmën tjetër të shtratit. Shtresat ishin të ftohta. Shqipëria i kishte dalë vërtet nga shtrati.
***
Në njëfarë mënyre, e parandjente që do vinte kjo ditë. Kishte qenë që herët problematik në marrëdhëniet familjare, dhe këto daljet nga shtrati në mes të natës nuk i kishte për herë të parë. Por shpresonte që këto 12 vitet e fundit kishte gjetur karar me Shqipërinë. I fliste bukur, i dhuronte zhgarravina me ngjyra nga ato që bënte pafund në orar të punës, i sillte shpesh mysafirë të huaj, që përpiqej t’i shastiste me bukurinë e partneres, madje kishte mbushur të gjitha qendrat kryesore të Shqipërisë me lungomare e pedonale, duke shpresuar se ajo do ishte e kënaqur me këto xhingla-mingla dhe si shtëpiake e mirë do t’i bënte gati gjellën, kur të kthehej i lodhur nga zgjidhja e krizave globale.
Nusja në fillim dukej e mrekulluar. Ku i kishte rënë ky fat, me një Të Gjatë kaq të gjatë, kur gjatësia mesatare e meshkujve ishte 1.68? Të lexuar, me bagazh, me horizont, me gjuhë të huaja? Nuk thoshin kot, në kohët tona gjuha e huaj është paja më e mirë.
Mirëpo ja që I Gjati e kishte pasur syrin pikërisht tek paja. Shqipja kishte pafund plazhe, troje, ujëra, prona të ushtrisë e të bashkisë, marina e limane, porte e hava-limane.
“Ku je o yll,” e lëvdonte I Gjati dhe nga ana tjetër, fap i zhvaste një plazh. “O lum unë për ty,” dhe fësht i fuste një konçesion.
Dhe I Gjati sa vente e zgjatej, ndërsa Shqipëria sa vinte e tkurrej.
***
Nuk dihet me saktësi kur filluan sherret e para. Dikur I Gjati zbuloi se Shqipëria nuk ishte dhe aq e pastër, ndaj mori përsipër t’ja mblidhte të gjitha plehrat dhe t’ja digjte, duke prodhuar me këtë rast edhe energji. Pastaj vuri re se po i mykeshin paratë e pajës pa u përdorur, ndaj i tha se duheshin investuar në siguri kibernetike, autostrada dhe tunele. Më tej konstatoi se shumë troje të mbetura djerrë, mund të ndërtoheshin me ndihmën e ca çunave nga Londra, Ekuadori dhe Brazili.
Kur Shqipja i tha se do ishte mirë të shikonte pak dhe tubat e banjës, se s’para shkarkonin, ai e siguroi se kishte bërë tendera dhe kishte instaluar motopompa të fuqishme.
“E di ti ç’është tenderi, Shqipe? Tenderi është si hallva, po me shumë sheqer!”, i shpjegonte I Gjati.
Por Shqipja, e urtë-e urtë, megjithatë vuri se po e vidhnin dhe shumë gjëra filluan të mungonin. I Gjati bënte sikur revoltohej dhe nisi të fajësonte shërbëtorët e shtëpisë. I pushoi nga puna një e nga një. Ata të ngratët përpiqeshin të protestonin, “Moj zonja Shqipe, më tha vetë I Gjati moj, bile më futi dhe një bakshish në xhep,” por askush nuk ua vinte veshin.
***
Një nga këto mëngjese shirash të furishme, çifti u zgjua me ujin që kishte arritur te koka e krevatit.
“Të pata thënë mor burrë, nuk je marrë fare me shkarkimet e banjës?”, bërtiti Shqipja, “apo i ke lënë paratë me ato kukumjaçkat që u dhuron shalle e këpucë firmato nëpër Europë?”
I Gjati s’ja përtoi: “Tubat i kanë zënë plehrat moj zonjë, se zotrote të gjitha shishet plastike i ke lënë kapicë”.
Shqipja u kujtua: “Po mirë, ti sikur do t’i digjje plehrat dhe do furnizoje shtëpinë me korrent! Më kërkove dhe një hale lekë, apo s’e mban mend?”
I Gjati u përtyp dhe filloi të broçkulliste ça t’i vinte në kokë.
“Shiko… Jemi në një situatë emergjente. Shiu nuk pushon me mallkime dhe sharje, e dashur. A e ke parë Greqinë, Italinë, Maqedoninë plot me përmbytje. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati… Gjermani ka zënë urën. Ky lumë nuk kalohet as në verë, shoku Kabo, mendohuni mirë. A ka shumë vajza partizane? Mos do të shkosh nga Nazua të thurrni triko për ata të malit?...”.
Por Shqipja kishte dalë.
P.S. I Gjati beson se Shqipëria do kthehet sërish në shtrat, se s’ka nga t’ja mbajë. Por sido që të vejë puna, ai këmbëngul se nga paja e saj nuk ka prekur asnjë napoleon, dhe se nuk ka burrë nëne e bir kurve të kërkojë paratë e burrit në xhepat e kurvës… apo diçka e tillë.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-apokaliptike