Burime të stërvitura bëjnë me dije se nën frymëzimin e presidentit Mekdonald, forcat Delta të Doktorit kanë marrë urdhër të zbatojnë planin e shumëpritur për rrëmbimin e Nard Ndokës dhe zëvendësimin e regjimit diktatorial në krye të demokristianëve.
Mësohet se urdhri fillestar ishte për rrëmbimin e Të Gjatit, por ai ia mbathi në Paris nga frika. Në vijim erdhi një urdhër i dytë për rrëmbimin e Arlind Qorrit, por ai ishte gjithmonë i rrethuar ose nga studentë, ose nga pensionistë të nevrikosur. Të stresuara se po u iknin ditët pa rrëmbyer askënd, forcat Delta propozuan kandidaturën e Tikut, por Doktori u tha se Tiku nuk mund të rrëmbehej dy herë. Atëherë ranë dakord për Nardin.
Doktori i bëri thirrje numrit 2 të demokristianëve t’i bindet opozitës, ndryshe do ta pësojë më keq se Nardi. Problemi është se numri 2 nuk po gjendet, pasi Nardi është edhe kryetar, edhe anëtar i partisë së vet.
***
Bella Ballukja është rikthyer fuqishëm në krye të detyrës, për të përballuar krizën e shkaktuar nga përmbytjet e fundit. Një nga masat e para që mori Bella për përballimin e përmbytjeve, ishte devijimi i dy avionëve që do uleshin në Rinas, për në Bari të Italisë.
“Ndërkohë, tragetet e linjës së Barit mund të vazhdojnë lundrimin normalisht dhe të ankorohen në Tiranë”, njoftoi Bella. Paralelisht, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mos lagen.
***
Tiku Politiku shënoi kulmin e protestës së tij anti-kryeministrore së fundmi, duke propozuar dy kandidatë për kryeministra teknikë pasi i prishën çadrën dhe i fikën ngrohësen e gazit. Burimet për Patronazhistin pohojnë se Tiku kishte ditë që përpiqej të krijonte një qeveri teknike. Në fillim i propozoi aktorit Viktor Zhusti, por ky po nxitonte dhe ja preu shkurt, “ika se kam shfaqjen time në teatër, estradën tënde vazhdoje vetë”.
Pas telefonatave të ethshme me tezet, dajot, kunetërit, vjehrrinë, baxhanekërit dhe kushërinjtë e parë, askush nuk pranoi të marrë ndonjë post ministri, e aq më pak të kryeministrit. I dëshpëruar, Tiku pa të kalonte në bulevard doktor Kalo. Pas dhjetë minutash, vuri re edhe profesor Kabon në trotuarin matanë. “Këta e bëjnë,” tha me vete, dhe pa u thënë fare, deklaroi para mediave se doktori dhe profesori ishin emrat e duhur për kryeministra.
Por situata u komplikua kur Tikun e mori telefon Nul Moka.
“More Tiku,” i tha Nuli, “pse persekuton kot civilët e pafajshëm nëpër bulevard? Ne e kemi edhe doktorin, edhe profesorin bashkë në një kandidaturë të vetme!”
***
Reshjet e shumta shënuan disa paradokse që ja vlen të mbahen shënim. Vlora deri para tre ditësh ishte pa ujë dhe vlonjatët mbajtën një nga protestat e paimagjinueshme kundër qeverisë socialiste, me moton, “Duam ujë ore, lamash!” Mësohet se menjëherë pas përmbytjes së qytetit, kryetarja e bashkisë ka shëtitur lagje më lagje me skaf, duke u interesuar shtëpi më shtëpi, “hë, si jeni me ujin?”
Nga ana tjetër, mësohet se në shumë qytete të vendit, është anuluar ceremonia e Epifanisë për besimtarët ortodoksë, që nënkupton hedhjen e kryqit në ujë dhe marrjen e tij nga të rinj guximtarë. “Nuk e hedhim dot kryqin në ujë,” thanë peshkopët, “nuk e shikoni që është përmbytur dynjaja?”
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike totalisht e lagur