QËNDRESA / Forcat nacionaliste rrethojnë kryeministrinë, i bëjnë thirrje Ivankës të dorëzojë komunistin që ka brenda

26 Janar 2026, 17:17Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Forcat nacionaliste duke rrethuar qeverinë kuislinge

TIRANË, Bulevardi Musolini – Ngjarja dramatike ndodhi një pasdite e lagësht janari në selinë e kryeministrisë, në bulevardin qëndror të Tiranës. Data e mësymjes ishte caktuar që më parë, por 24 orë më herët kishte ndodhur një ngjarje që e frenoi Doktorin. Agjentët e Tiku Politikut, të veshur civilë dhe të maskuar si agjentë të Tikut, kishin parë të hynte në kryeministri Ivanka, vajza e Donaldit. Madje I Gjati doli ta priste tek dera, e puthi në të dyja faqet dhe e ftoi brenda:

“Po hajde moj e uruar se paske ngrirë. Do na plevitosesh dhe s’kam surrat t’i dal para tyt eti,” pastaj i thirri një truprojeje: “O Lame! Merr atë trastën që është në kamare, mbushe me ca bukë e ca djathë e ca misra të zier, dhe hajde shpejt!”

Ivanka buzëqeshi: “Nuk kam gjë, mos u merakos, Edi”, i tha, “ishim tek Nazua në Zvërnec, po bënim çorape leshi për agjentët tanë të emigracionit”.

“Mirë keni bërë,” ja ktheu I Gjati, “atyre që u rreh era shpatullat, u duhen më shumë”.

***   

Doktori u step kur i erdhi lajmi. Nuk e sulmonte dot kryeministrinë kuislinge me Ivankën brenda, se e dinte që për pesë sekonda Donaldi do ta shpallte “grata e vinci”. Por u lehtësua kur i thanë se më në fund, vonë pas mesnate, një femër shtatlartë, me pallto të gjatë dhe kapuç kishte dalë nga ndërtesa.

Edhe më shumë u gëzua kur i erdhi informacioni se bombat gazsjellëse të policisë ishin të skaduara, ndërkohë që çunat sapo i kishin sjellë dy arka me bomba Molotov.

“Është benzinë e pastër baba, ballë kazani,” e siguroi i biri, një djalosh 58-vjeçar.

“Më rruaç o djalë”, e lëvdoi Doktori, “thuaju djemve të bëhen gati për nesër”. Dhe nga ballkoni i shtëpisë, i hodhi një sy kryeministrisë që e shihte si në pëllëmbë të dorës.

“E hëngërka me demek… Tani do të shohim sa të vlen lëkura, o djali i Kristaqit, dhe nipi i Haxhi Bektashit!”  

***    

Operacioni nisi mbarë. Pjesëmarrësit ishin karikuar dhe urrejtja u shkëlqente në sy. Dukej që ishin gati të bënin gjithçka për çështjen, nga fotot me dy gishta lart në tryezat me meze dhe raki që kishte hedhur në fejsbuk deputeti i Fierit Tosun Baçi.

Bulevardi ishte mbushur plot, madje dhe ato vendet në trotuar kur tre ditë më parë hajdutët e pushtetit kishin vendosur - sa për të larë gojën - ca karafila në nderim të ca morracakëve që ishin vrarë dikur me njëri-tjetrin me çadra-mitroloz.  

U mbajtën fjalimet, u emocionuan njerëzit, u mbushën sytë me lot sipas planit, u fshinë hundët (më pas disa thashethemexhinj thanë se gjysma e heronjve ishin me virozë, prandaj kishin ardhur me facoleta), dhe u tundën flamujt e Amerikës, Europës, dhe partisë.

Pastaj Doktori bëri shenjë të fillonte sulmi. Dolën nga hiçi shishet e molotovit, të cilat grupi gjysmë i gatshëm i ndezi dhe i vërviti drejt kryeministrisë. Policët nisën të bënin prapa.

Por ndërsa turma po i afrohej ndërtesës dhe njerëzit e stafit të ngushtë të Doktorit nisën të kërkonin me sy zyrat që do zinte secili sapo të hynin brenda, të gjithë ngrinë në vend.

Në dritaren e të Gjatit kishte dalë Ivanka…

***  

Doktorit s’i pëlqeu hiç kjo punë. Kapi për jake Nul Mokën dhe mërmëriti me dhëmbë të shtrënguar: “Po ti më the që Ivanka kishte ikur mor hajvan!”

Nuli po dridhej: “Jo unë zoti shef… njerëzit e Tikut. Më kanë mashtruar, ah i ziu unë!”

Siç u mor vesh më vonë, ajo që kishte dalë një natë më parë e maskuar me pallton e Ivankës, kishte qenë Manastirlesha që qëlloi të ishte turni i mbrëmjes. Ajo kishte dalë vullnetare, duke thënë: “Ivanka le të flejë këtu sonte, nuk ka ku të shkojë në Zvërnec në mes të natës. Shkoj unë në vend të saj, se di dhe rrugën”.

Tani duhet improvizuar, mendoi Doktori, po as nuk duhet të humbasim dinjitetin. Por s’po i vinte asnjë ide. Në bulevard kishte rënë heshtja.

***

Ndërkohë Ivanka hapi dritaren pash më pash dhe bërtiti:

“Kë kërkoni more shok?”

Doktori ja la Nulit shkopin e flamurit të Shqipërisë që mbante në dorë duke i thënë, “ti e do kokës, po ç’të bëj që ka njerëz”, dhe u afrua.

“Shoqja Ivanka… e nderuara zonja Ivanka. Ne kemi respekt për investimet amerikane. Bile të ishte për mua, të jepja edhe Siçilinë bashkë me Sazanin. Me ty s’kemi gjë, por duam të dorëzosh atë komunistin që ke brenda. I Gjati të ka gënjyer, rrezik të ka folur për diellin, për hënën, për kometën Hallej që gjeç bëri hatanë… të ka bërë shalle dhuratë? Mos të ka rënë dhe një gjunjë? Ki kujdes, se këtë e bën me të gjitha. Është nipi i Spiro Kolekës ai”.

Ivanka ja preu: “Spiron nuk e njoh, dhe komunist këtu brenda nuk kam. Ikni, ndryshe duhet të kaloni mbi trupin tim!”

***

Sa dëgjoi fjalinë e fundit, Nulit u ndritën sytë si të maçokut: “Të kalojmë Doktor! Ja, nisem unë i pari, se kam mbaruar për mjekësi!”

“Rri mor aty ti, kërriç, se ta kam inatin,” i ulëriti Doktori, pastaj u drejtua nga Ivanka: “Mirë zonjë, ne po ikim. Por nuk bëni mirë që ofendoni patriotët nacionalistë duke mbrojtur një komunist, një vagabond!”

Ivanka e sqaroi për herë të fundit:

“Doktor, unë nuk rri me komunista. Ai që njoh unë është një artist bohem orthodokso-katoliko-hebreo- bektashian që punon gjithë ditën në studio, ndërsa në ato pak orë të lira zgjidh krizat botërore. Prandaj mblidh larot e tu dhe largohu sa pa dërguar babi ndonjë bubashir nga ata të komitetit, që të të pyesë jo po i ke paguar detyrimet, jo po i ke derdhur kuintancat…”.

“Jo po ujku që të më çajë, jo po”, tha me vete Doktori dhe pa ç’pa, u bëri me shenjë trimave të largohen prej andej, teksa përshëndeti Ivankën: “Ju besoj zonjë. Na falni për shqetësimin dhe të fala babait”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike demokratike kundër partive humoristike   


Video