JO VETËM GAZA/ Shqipëria gati të dërgojë trupa në Minesota, thotë lideri akrobat

20 Janar 2026, 17:14Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Akrobati gjatë stërvitjes

TIRANË – Duke qëndruar gjithmonë në krah të Amerikës mike, Shqipëria është gati të dërgojë trupa në Minesota dhe zona të tjera problematike, për të ndihmuar në shuarjen e rebelimit komunisto-majtist. Kështu deklaroi dje lideri manipulator shtatlartë, i pyetur nga mediat se kur ka ndërmend të miratojë diskutimin e imunitetit të Bella Ballukes në komisionin parlamentar të mandateve.

“Bëtë shumë mirë që më pyetët për Bellën,” tha skuthi që ka në burg ose në kërkim gjysmën e qeverisë, “përgjigja ime është e qartë: Mikut tonë të madh Donald Trap, do t’i gjendemi pranë në këto momente të vështira, edhe me forca ushtarake nëse nevojitet”.

Ndërkohë, i pyetur mbi vjedhjet masive të parasë publike me tenderat e AKSHI-t, kryeministri ish-publicist që dikur fitoi admirimin e publikut pikërisht me shkrime në gazeta, tha copë se nuk do harxhojë asnjë qindarkë të taksapaguesve për Radio-Televizionin e dështuar shqiptar.

Lideri vizionar, për të cilin gjithë nutricionistët më në zë të vendit kanë konstatuar se ministrat dhe drejtorët e tij vuajnë nga overdoza e dardhave të ngrëna pas shpine, gjithashtu foli edhe për nevojën e një rregullimi të rreptë të industrisë së ndërtimit.

“U bëj thirrje të gjithë ndërtuesve shqiptarë që do shkojnë të ndërtojnë resorte në Rripin e Gazës: Deklaroni saktë pagat e punëtorëve, ndryshe ju piu e zeza,” deklaroi magjistari i shpikjes së projekteve të panevojshme, si e si për të sajuar tendera që i kontrollon me rigorozitet Diella, edhe pse është shtatzënë.

Me këtë rast, pehlivani shpjegoi edhe ftesën personale të zotit Trap për të marrë pjesë si anëtar themelues në Bordin e Paqes për Gazën dhe gjithë botën.

“Ata që duan të hedhin baltë mbi Shqipërinë, deklaruan se unë jam gati të pranoj çdo karagjozllëk të Presidentit Trap, vetëm për të shlyer fajin e gallatës që bëra aherzaj me Makronin. Ajo ishte një shaka miqësore që vetë Trapi e pëlqeu shumë, dhe ai moment është tejkaluar. Por Gaza është një çështje shumë delikate për t’ua lënë palestinezëve, ashtu siç Shqipëria nuk mund të lihet në duart e pastërvitura të shqiptarëve,” sqaroi kryekaragjozi.

Në vijim, mjeshtri që jep para për ura aty ku s’ka lumë, dhe ua kalon lumenjtë shqiptarëve në mes të qyteteve, saktësoi se të gjitha apartamentet e reja në Gaza do kenë në mur të paktën një pikturë të tijën.

“Unë u bëj thirrje edhe groenlandezëve t’i vënë gishtin kokës,” deklaroi akrobati politik me hernie diskale, teksa hidhte sytë herë pas herë lart mos vinte ndonjë helikopter amerikan i forcave speciale Delta, “dhe i ftoj të vijnë në Shqipëri. Kemi vend boll, le të punojnë me kontejnerët e bananeve në Portin e ri të Durrësit. Ai ishull i takon Amerikës, ja shikojeni në hartë: Ç’duan groenlandezët në Groenlandë? Pse, ne që i dhamë një ishull dhëndrit të zotit Trap, çfarë jemi, trapa?”

Në fund, xhepisti profesionist shpalosi edhe vizionin e tij për ta bërë Shqipërinë të madhe:

“Më akuzojnë se e kam katandisur vendin në 1.8 milionë banorë, edhe pse zyrtarisht censusi i paanshëm nxori 2.4 milionë rezidentë. Po edhe sikur ta pranojmë për të vërtetë, mendoni pak: A nuk bëhet Shqipëria më e madhe, kur ka më pak njerëz? Kjo është matematikë e thjeshtë, zotërinj. Dhe prisni, se nuk keni parë gjë akoma!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson tek parulla: “Groenlanda groenlandezëve, vdekje bylmezëve”      


Video