DIPLOMACI E NALTË / Shqipëria dhe Bordi i Paqes, ja pse do t’i themi fukarallëkut “tutje”!

3 Shkurt 2026, 18:23Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ja si do të jetë qyteti i Gazës pas tre muajsh

DAVOS/ SURREL/ GAZA – Në fund të janarit, sapo mori vesh që Shqipëria ishte dakord, Presidenti amerikan Donald Trap firmosi kartën e “Bordit të Paqes” në Davos të Zvicrës, duke caktuar veten me unanimitet si kryetar të këtij institucioni të ri ndërkombëtar që synon të zgjidhë të gjitha konfliktet globale. Patronazhisti ka mësuar disa detaje shtesë dhe ndan me lexuesin gjithçka duhet të dini përmes pyetje-përgjigjeve të mëposhtme:

Pyetje: Cili është qëllimi zyrtar i Bordit?

Përgjigje: T’i japë fund njëherë e përgjithmonë kërcënimit të egër të bashkëpunimit global.

-Cili është hapi i parë dhe më urgjent që do ndërmarrë organizata?

-Stabilizimi i tregut të pasurive të patundshme në zonat e prekura nga konfliktet, sipas ligjit 7501 dhe me ndihmën e fondeve të AZHBR-së.

 -Si mund të anëtarësohesh në Bord?

-Duke paguar shifrën simbolike të 1 (një) miliard dollarëve, shoqëruar me letra rekomandimi nga tre kriminelë të ndryshëm lufte. Përbën avantazh zotërimi i talenteve të veçanta, si zhgarravitja e kollareve me vizatime të kryera në orarin e punës.

 -Cilat vende refuzuan të marrin pjesë?

-Një grup i vogël kolonish të ardhshme amerikane.

-Pse Shqipëria tha menjëherë ‘Po’ për pjesëmarrjen në këtë Bord?

-Ka disa arsye. Së pari, sepse Të Gjatit i ka ikur gjumi që kur i hëngri goja reçel ca muaj më parë, dhe talli poturet me Donaldin gjatë një muhabeti me Makronin përpara kamerave. Së dyti, sepse sa herë dëgjon për ndërtime kullash, projekte rinovuese, lungomare etj., Të Gjatit i merret fryma, i shtohen rrahjet e zemrës dhe i shkëlqejnë sytë më keq se Bella Ballukes kur dëgjon fjalët kyç si ‘Loti I, Loti II’ etj.

-A është përfshirë ish-kryeministri britanik Toni Bler në këtë organizatë?

-Padyshim, djali duhet sistemuar se ngeli rrugëve si njeri pa njeri. Me rekomandimin e Të Gjatit, Tonçja do fillojë së shpejti punë, me rrogë të mirë, tre vakte dhe sigurimet shoqërore të paguara.

-A do t’i bashkohet Izraeli kësaj nisme?

-I Gjati e bëri të vetën, pas lutjeve të Donaldit. “Do ma bëç këtë punë, e dua nga tia,” i tha ai Të Gjatit, dhe ky vajti në Izrael për t’i treguar Bibit disa projekte të mrekullueshme kullash për Gaza Beach Resort and Spa. Bibi megjithatë mbetet skeptik, se pretendon që Gaza i takon atij, sipas dokumenteve origjinale të Kadastrës së Vlorës.

-Çfarë do të ndodhë me vendet që refuzuan të bëhen pjesë e Bordit të Paqes?

-Asgjë prej gjëje. Mbi ta Bordi i Paqes nuk ka asnjë juridiksion. Me ata palaço do të merret Bordi i Luftës. 

-A e emëron vërtet Karta themeluese e Bordit të Paqes, Donald Trapin si kryetar të saj të përjetshëm?

-Po. Trapi do të jetë kryetar edhe për muajt e ardhshëm.

-Cilat do të jenë pasojat më serioze të kësaj tentative për të zëvendësuar Kombet e Bashkuara?

-Do të ulet me 3-5% trafiku rrugor në Nju Jork.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa kthim-kompensim pronash


Video