MREKULLIA/ Emailet me perversitetet e Epsteinit rikthejnë tek shqiptarët dëshirën për të lexuar!

6 Shkurt 2026, 18:04Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të rinj e të reja duke rizbuluar kënaqësinë e leximit

TIRANË – Ende nuk është vërtetuar shkencërisht nëse çdo e mirë e ka një të keqe, por është përfundimisht e sigurtë se çdo e keqe e ka një të mirë: Shqiptarët i janë rikthyer leximit në mënyrë masive!

Publikimi i miliona dokumenteve me bëmat me ish-financierit amerikan me grade shkencore në pedofili, Xhefri Epstein, ka rindezur tek shqiptarët e çdo moshe, dëshirën deri tani të fjetur për të lexuar. Duhej një ngjarje e tillë që ankesat e deritanishme se shoqëria moderne nuk lexon më; se shumica e shqiptarëve po kthehen në analfabetë funksionalë dhe jo-funksionalë; se leximi është bërë një instinkt i së shkuarës; se shqiptarin mesatar e zë koka dhe i merren mendtë pas leximit të një paragrafi; të gjitha këto të bien poshtë brenda pak ditësh.

**

Duke pranuar të flasin për një anketim të anketuesit serial Zalo Foshnja, shumë shqiptarë kanë pohuar se publikimi nga mediat botërore – dhe ato shqiptare - i miliona emaileve me detaje intriguese nga pisllëqet, pushtllëqet dhe perversitetet seksuale të të fuqishmëve të botës në rrethin e Epsteinit, u ka rikthyer një kënaqësi që u ishte tretur si vaji në lakra shumë vite më parë.

“Ndjej kënaqësinë e leximit, si dikur në rini kur më ra në dorë libri i shokut Enver, ‘Titistët’; është e hatashme,” u shpreh për anketën 63-vjeçari Marko Ruvina, “nuk e kisha kuptuar sa shumë më mungonte kjo ndjesi. Tani mezi pres të zhytem në kënaqësinë që më fal fjala e shkruar, për të lexuar detaje nga krimet seksuale të ndodhura në ishullin e perversitetit të Epsteinit”.

Për 35-vjeçarin Pjetër Rrugakeqi, leximi i këtyre letërkëmbimeve e ka bërë të pendohet pse ua kishte varur mësimeve sa ishte në shkollë.

“Tani e kuptoj çfarë kënaqësie merrnin ata pak nxënës të mirë në shkollë, që ne u thoshim peshkopë. Po më mirë vonë sesa kurrë; këtej e tutje do lexoj gjithnjë e më shumë. Bile meqë më kujtove, dua të kërkoj me detaje nëse ka shqiptarë të tjerë, burra apo gra, që përmenden në dosjet e Epsteinit,” deklaroi Rrugakeqi. 

**

40-vjeçarja Merita Përsheshi pranon se mezi pret të mbarojë punën, të kthehet në shtëpi dhe të dystohet në divan me një kupë çaji të nxehtë, për t’u zhytur në qetësi, në botën e aventurave seksuale të një princeshe norvegjeze në vilën me drita të kuqe të Epsteinit.

“Nuk e kuptoj si më ikën koha, nga lezeti i leximit. Kjo princesha paska qenë nona,” theksoi Përsheshi, por u detyrua ta ndërpriste telefonatën: “Qyqja, m’u dogj gjella!”

Bëmat e përdhunuesve pasanikë të vajzave adoleshente kanë tërhequr edhe vëmendjen 52-vjeçarit Trifon Pushti, pronar byrektoreje.

“Po po, ka tre ditë që lexoj non-stop, faqe pas faqeje. Më intrigojnë sidomos ato pjesët ku politikanët perversë i thonë Epsteinit se kur mund të vijnë në ishull, dhe a ka ardhur ndonjë mall i freskët,” tha zoti Pushti.

Ndërkohë, pjesa dërrmuese e të pyeturve kanë marrë vesh se pjesa e papublikuar e dosjeve Epstein, rreth 2 milionë emaile, është akoma më pikante.

“Gjynah që i mbajnë të bllokuara, le t’i nxjerrin dhe ato. Njerëzimi duhet t’i kthehet leximit,” tha i merakosur 45-vjeçari Sheme Katrani.

**

E informuar në kohë për epideminë e fundit të leximit, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaraja deklaroi për Patronazhistin se kjo ka ndodhur edhe për meritë të politikave largpamëse të qeverisë.

“Siç ka thënë kryeministri në kongresin e fundit të partisë, integrimi në BE kalon nga arsimi, dhe arsimi kalon nga leximi. Në këtë kuadër, zhbirilimi i dosjeve Epstein nga shqiptarët e etur për lexim cilësor, është pjesë e strategjisë sonë kombëtare 2026-2030,” u prononcua Kumbaraja, duke shtuar: “Ama ç’paska qenë dhe ai ish-kryeministri norvegjez që tha se vajzat shqiptare ishin të jashtëzakonshme, hë?”

 Vini Re: Patronazhisti është fatkeqësisht, rubrikë satirike pa dosje pikante. Por mundohuni ta lexoni, taksirat.


Video