TIRANË – Ndoshta ishte ndikimi i motit të poshtër, këtij shiu që s’kishte të sosur, dhe që kur pushonte për pak, zëvendësohej nga i ftohti dhe era… Ndoshta ishte fakti që edhe pse i përkiste mazhorancës, shihte disa kolegë të opozitës që vinin në parlament me makina që kushtonin sa apartamenti i tij… Mbase i vinte ngaqë kur u foli në kafenenë e Kuvendit dy kolegeve femra për librin e fundit që kishte lexuar, ato u kukurisën dhe ja bënë me shenjë njëra-tjetrës, “mos ja vër re se është pak i shkarë”…
Bën vaki ishin të gjitha arsyet bashkë, por deputeti aksidental Trifon Lumëmadhi kishte kohë që ndihej i trishtuar. Për hir të së vërtetës, ai edhe sot nuk e ka kuptuar përse I Gjati e futi në listën e kandidatëve për deputetë, e më keq akoma, hala nuk i besohet se arriti të hyjë në parlament.
Mendoi me vete atëherë se kontributi i tij në Partinë Socialiste të zonës, dhe profili i tij si inxhinier i talentuar që shkruan edhe poezi, kishin rënë në sy të qendrës. Imagjinoi sesi I Gjati, pasi kishte lexuar karakteristikën që kishin dërguar shokët e qarkut për të, kishte thënë, “të ma bini në Tiranë këtë djalë, njerëz të tillë i duhen partisë, shokë!”.
Por tani të gjithë këto i dukeshin të largëta.
***
Që para se të frekuentonte parlamentin, Trifoni ishte i vetmi deputet i ri socialist që e mori me shumë zell kursin e analfabetizmit, ku profesorë të spikatur të parlamentarizmës si Piko Meleshi, (i cili pasi e mbaroi gjimnazin natën, mori edhe dy fakultete fakultative) shpjegonin si funksionon Kuvendi dhe si bëhen ligjet. Mbante shënime dhe lexonte deri natën vonë, duke refuzuar ftesat e njëpasnjëshme të Zegjinesë për të shkuar në pub pas mësimit.
Po kur filloi parlamenti, i ranë të gjitha mitet njëra pas tjetrës, dhe nisi ta ndjejë veten si peshku në zall. Të gjithë shokët e shoqet merreshin me tendera ose kishin familjarë tenderistë; kishin kompani ndërtimi ose hotele, në ballkonet e të cilave çdo pasdite ndereshin për t’u tharë tufa parash të sapo-pastruara; apo i kishin bërë ndonjë nder aq të madh Të Gjatit kur punonin në zyrat e shtetit, nëpër arkiva apo kadastra, saqë ky ua kishte kthyer me zemërgjerësinë e tij karakteristike. Apo, më e zakonshmja, kishin me patjetër një të afërm në Itali, Greqi, Bruksel, Londër, Spanjë, Maçu Piçu apo Çinimaçin, që ishin të specializuar në import-eksportin e substancave psikotrope.
Në fakt Lumëmadhi përpiqej të integrohej. U afrohej kolegëve dhe u thoshte, “besoj se duhet të ecim më shpejt me përafrimin e legjislacionit me BE-në në sektorin minerar”, dhe ata ja plasnin gazit. Ose u kërkonte mamicave të partisë të ngrinin zërin bashkë me të për një rrugë të prishur në fshatrat që e kishin votuar, por ato e ndërprisnin, “ore, parfum është ky që ke hedhur apo aromë ambienti?”
Më e keqja ishte kur merrte guximin dhe deklaronte: “Jo jo, këto kafet i keni nga unë!” Atëherë gjithë grupi mbante brinjët me dorë nga e qeshura.
***
Kulmi ishte kur doli lajmi se edhe deputetja e opozitës Zelda Koti, kishte të vëllanë, të shoqin, tre kushërinj dhe katër baxhanakë që merreshin me drogë. Endej rrugëve dhe thoshte me vete, “o zot, sa kot që jam! Pse më bëre kaq demode, o perëndi!”
Kishte dëgjuar që Doktori bënte kulla përmes të tretëve, dhe e besonte.
“Bën sens”, thoshte me vete, “kaq vite deputet dhe kryeministër me rrogë të mirë, i ka bërë aq lekë. Pastaj dhe kalamajtë i ka me rrogë të mirë”. I kishte rënë në vesh që miq socialistë kishin bërë namin me call centera, ndërtime rrugësh, kontejnerë bananesh në portin e Gramshit; apo që figura të shquara opozitare si Edi Palosja dhe Nul Moka kishin vila; por që edhe zonja Koti, që ai e pandehte një kukumjaçkë par excellence, të kishte kaq kontribute, nuk ja merrte mendja.
E vendosi. Do jepte dorëheqjen. Nuk paskësh qenë për të pjesëmarrja me tempullin e ligjbërjes, anëtarësia në pushtetin e parë të Republikës, siç ishte legjislativi i një vendi anëtar të NATO-s që po ecte me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në Bordin e Paqes.
“Nuk e meritoj, nuk jam i denjë dhe pikë,” tha me vete dhe nisi të formulojë tekstin e dorëheqjes. Por atë çast i ra telefoni. Ishte i vëllai, që e njoftoi i tensionuar se kishte marrë një gjobë të mirë nga policia rrugore se nuk kishte vënë rripin e sigurimit.
U hodh përpjetë nga gëzimi. “Kështu vazhdo laçko,” i bërtiti në telefon, “bile merr dhe nja dy gjoba të tjera për përdorim celulari në timon. Futi dhe një të sharë policit. Ta shpjegoj pastaj”.
Dhe u nis me vrap të takojë kolegët, për t’u shpërndarë sihariqin se kishte një të afërm kriminel!
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që e vë rripin e sigurimit edhe në biçikletë