PROTESTA/ Doktori akuzon rëndë: Ja ç’benzinë shet autokrati i krimit, molotovi nuk merr flakë fare!

12 Shkurt 2026, 17:10Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Molotovët me shishe plastike që sabotuan protestën e Doktorit

TIRANË – Protesta gjigande e opozitës shqiptare këtë 10 shkurt, tubimi më madhështor që ka parë historia e opozitarizmit - pas tubimit të mëparshëm që ishte akoma më madhështor, dhe para demonstratës së ardhshme që do të jetë më historikja në histori – vërtetoi me fakte konkrete pikërisht arsyet e shëndosha të protestës: Që kjo është një qeveri hajdute e cila nuk pushon së rrjepuri me biçak në dorë popullin në çdo aspekt.

Akuzën e bëri vetë Doktori, i cili në mes të parlamentit artikuloi denoncimin tronditës:

“Protesta ja arriti qëllimit të saj kryesor, që ishte largimi i Tikut për disa orë nga trotuari para kryeministrisë. Por ajo do ishte akoma më madhështore, nëse sorosisti I Gjatë dhe larot e tij nuk do vidhnin edhe në cilësinë e benzinës. Zotërinj! Kemi karburantin më të shtrenjtë në botë, me tarifa, akciza e taksa pas taksash. Po si të mos mjaftonte kjo, ata vjedhin dhe në cilësi, kupton ti apo jo! Ku keni parë ju në botën e qytetëruurr, benzinë që nuk ndizet? Treçereku i shisheve molotov që sollën me vete protestuesit në mënyrë spontane dhe pa u thënë askush, nuk morën flakë fare, sepse hajdutët i kanë hedhur ujë benzinës. Ja pse protestojmë ne!”

Në vijim, Doktori premtoi se do vijë dita kur benzina e shqiptarëve do ndizet me një flakë të shndritshme, të pastër, si vetë demokracia.

“Autokrati i krimit po bie, le të bëjmë dhe një përpjekje të fundit, ose të parafundit, për ta rrëzuar. Edhe ca kilometra dhe do ja arrijmë qëllimit, prandaj ftoj shqiptarët të mos i lërë benzina për kaq pak!”

***

Molotovët difektozë shqetësuan personalisht Nul Mokën, që ishte caktuar në krye të departamentit të shpërthimeve. Ai bile, me largpamësinë që e karakterizon, kishte udhëzuar të gjithë degët e PD-së që në Vit të Ri, që të mos shpërthenin fishekzjarre, por t’i ruanin se do hapej sezoni i protestave pranverë-verë 2026. Por tek benzina nuk i kishte shkuar fare mendja.

“Më fal Doktor, se nuk u thellova, megjithëse jam mjek në profesion,” pranoi Nuli kur u ulën bashkë në parlament, “për këtë punë duhet të kishim blerë karburant të mirë në Maqedoni ose Greqi. E kanë dhe më lirë. Mend për herë tjetër”.

“Këtë punën e mendve lëre se s’bën për ty,” psherëtiu Doktori, “po kalo pak nga shpia ime se ka një listë pazaresh Liria”. Dhe nisi të mendojë se çfarë akuzash të reja do t’i bënte të Gjatit. Iu kujtua diçka dhe u ngjit prapë në foltore.

“Qeveria e krimit, mirë që vjedh në karburant, mirë që mban bomba lotsjellëse të skaduara, por ka lënë dhe policinë pa plumba! Po po. I Gjati ka pajisur policët dhe gardistët me plumba gome se i kanë vjedhur ato prej vërteti. Kur isha unë kryeministri, benzina ndizej si vetëtimë, ndërsa municionet ishin safi luftarake. Kishe qejf ta shkrepje armën! Po tani? Kështu do vemë në Europë ne?” 

***

Pas mbaroi parlamenti, Doktori(t) iu afrua me takt aleati Mehdi Fatmbari, që punonte edhe si oficer i ndërlidhjes së PD-së me republikanët e Teksasit.

“Doktor,” i tha Fatmbari, “një fjalë kam me ty, se ne aleatëve të vegjël nuk na dëgjoni asnjëherë. Ti e di që unë kam përvojë në mjetet luftarake dhe municionet”.

“E di o Mehdi, e di. Edhe të dua, nuk e harroj dot,” iu përgjigj kryedemokrati 107 vjeçar, “po më thuaj si e ke hallin”.

Mehdiu pa njëherë rrotull mos i dëgjonte kush, pastaj i tha:

“Ti mirë bërë që akuzove të Gjatin për benzinën, se ai hajdut është. Unë e di që protestat kanë shpenzime, po për ca gjëra nuk duhet kursyer. Ki parasysh që molotovi, për të plasur nuk do shishe plastike, por prej qelqi, që të thyhet. Ndërsa Nuli të gjitha bombat i kishte bërë me bidona uji, që rrezik kishin edhe ca ujë brenda. I vetmi molotov prej qelqi vajti e ra te makina e Njuz 24-ës!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me tendenca lotsjellëse  


Video