GËRMIMET/ Arkeologët zbulojnë se dikur Parlamenti përdorej për të bërë ligje!

16 Shkurt 2026, 17:19Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Salla e dikurshme e parlamentit shqiptar

TIRANË – Ka bërë xhiron e medias zbulimi sensacional i një ekspedite arkeologjike, që ka sjellë për publikun “provën më të qartë deri tani” sesi funksiononte dikur qeverisja e Republikës së Shqipërisë. Studimi i publikuar javën e kaluar ofron të dhëna të pamohueshme se ndërtesa e parlamentit shumë pranë qendrës së Tiranës dikur shfrytëzohej për të bërë ligje.

Studimi thekson se struktura e përbërë nga një sallë plenare hijerëndë me një podium të lartë për drejtuesit e parlamentit dhe qeverinë, dhe 140 vende për deputetët plus disa lozha të këndshme anësore për të ftuarit dhe një tip ballkoni të brendshëm në pjesën e sipërme për mediat, formonte një entitet të veçantë dhe të dallueshëm pushteti, që quhej “dega e legjislativit” dhe funksiononte specifikisht për t’i shërbyer popullit shqiptar, duke diskutuar dhe miratuar ligje, respektuar Kushtetutën dhe përfaqësuar interesat e zgjedhësve. 

***

“Falë zbulimeve të fundit, ne tani e dimë se qytetarët e hershëm të Shqipërisë kishin një sistem qeverisjeje më të larmishëm dhe më të sofistikuar sesa mendohej,” tha për mediat drejtuesi i gërmimeve, arkeologu i njohur Pllaton Bubuqi. Ai theksoi se ndërtesa e harruar, tashmë e mbuluar nga ligustrat dhe hardhitë e egra, ishte siti ku ushtrohej eksperimenti demokratik deri sa kjo metodë qeverisjeje u braktis në mënyrë misterioze.

“Ulëset në sallën kryesore, fosilet e mikrofonave të dikurshëm, disa pergamena të formatit A4, mbetje stilolapsash antikë apo copa kartonash që dikur duhet të kenë patur pigmentin e kuq ose jeshil, në varësi të votimit, tregojnë se në këtë vend vlonte jeta e gjallë legjislative. Madje, besojeni ose jo, të dhënat thonë se edhe vetë sistemi qeverisës quhej Republikë Parlamentare. Pra, dega legjislative ishte pushteti i parë i sistemit; vetëm më pas vinin ekzekutivi dhe gjyqësori. Dëgjon o t’u mbylltë?”, theksoi profesor Bubuqi.

Sigurisht, gjetjet më interesante ishin disa mumje të atyre që dikur duhet të kenë qenë deputetë. Dy prej tyre ishin të ngrirë në pozicion bërtitjeje me gishtin tregues të ngritur, mesa duket, në kundërshtim ndaj ndonjë ligji.

“Do t’i analizojmë me hollësi, por disa analiza të datimit me karbon që kemi kryer, dëshmojnë se këto mumje çuditërisht janë më të freskëta sesa gjallesat e sotme që i kanë zëvendësuar në këtë rol,” tha Bubuqi.

*** 

Mes zbulimeve më mahnitëse ishte një tufë papirusesh, mesa duket procesverbali i një seance të lashtë plenare ku deputetët akuzonin njëri-tjetrin për korrupsion. Me metoda speciale u arrit të lexoheshin nga ekspertët, hieroglifet me akuzat që i bëheshin një deputeti të shumicës, se kishte marrë kredi për shtëpi me interes zero, dhe se çonte fëmijët në kopsht me makinën e shtetit.

“Është mahnitëse të lexosh se çfarë quanin korrupsion deputetët e lashtë,” tha e emocionuar restauratorja Belinda Cullufja, “por ajo që më shokoi më shumë, ishte letra e dorëheqjes së një ministri, pse i vëllai akuzohej se nuk i la bakshishin e duhur kamarierit në restorant. Ministri jo vetëm që dënonte rëndë aktin, por kërkoi falje se nuk i kishte ndenjur pranë sa duhej byrazerit. Ishin kohë të tjera atëherë…”.    

Arkeologu Kiço Pela deklaroi se zbulimet e fundit do ta ndryshonin katërcipërisht perceptimin e shqiptarëve të sotëm për të kaluarën e tyre.

“Për shumë kohë mendonim se këto lloj strukturash qeverisëse ekzistonin vetëm jashtë vendit,” pohoi Pela, “dhe dikush do priste të gjente artifakte të ngjashme në Athinë, apo në Romën e lashtë. Por u shokuam kur zbuluam se parlamenti ynë jo vetëm funksiononte, por ishte pjesë e një mekanizmi kompleks të kontrolleve dhe balancave. Dhe dëgjoni më të bukurën: Një pol i veçantë pushteti quhej edhe media! Po po, këta llapaqenët e sotëm që dalin në televizor, apo gazetexhinjtë që vënë gjoba, dikur quheshin gazetarë që fjala e tyre merrej seriozisht! Kush do ta imagjinonte?”

*** 

Mësohet se arkeologët planifikojnë t’i vazhdojnë gërmimet dhe ta kthejnë sitin në një Park Arkeologjik Parlamentar, duke kërkuar edhe ndihmën e arkitektit japonez Harakiri Sajonara.

E surprizuar, banorja vendase Trëndafile Gonxhja pranoi për Patronazhistin se kishte jetuar tërë jetën në Tiranë, por nuk ja merrte mendja se karakatina ku kalonte përditë, dikur përdorej për të bërë ligje.

“Ça t’ thot Filja ty? Unë e shkreta kujtosha se kishte qen bankë a diçka e till! Thashë me vete, shyqyr mi gru, të vijn e ta gërmojn, do zoti gjejn dhe degë të tjera qeverisjeje ishalla!” 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-parlamentare


Video