E ÇUDITSHME/ Raporti: Qeveria shqiptare këmbëngul të krihet edhe kur vendi nuk digjet!

6 Mars 2026, 22:46Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekspertë duke kërkuar krehëra gjatë përmbytjes së fundit të Durrësit

TIRANË – Prej shumë e shumë vitesh, ishte krijuar përshtypja se qeveria shqiptare kapte krehërin më të afërt dhe niste të krihej me urgjencë, vetëm kur Shqipëria digjej. Dhe jo pa të drejtë. Sipas dokumenteve në Arkivën e Shtetit, historikisht një konsum i pazakontë krehërash është vënë re në vitin 1990, 1997, 1998, por edhe në epokat më afër erës sonë, si më 15 mars 2008 apo më 21 janar 2011.

Si për ta përforcuar këtë mit, intensifikime periodike krehjesh qeveritare janë regjistruar çdo verë, kur nisin zjarret nëpër çuka, kodra, brigje, gërxhe, dhe pyje të gjelbëruar. Kështu për shembull, verën e kaluar, sipas INSTAT, sa më shumë flakët i afroheshin qyteteve të Delvinës dhe Gramshit, apo sa më shumë rigjallëroheshin zjarret në malet e plehrave të qytetit të Vlorës, aq më shumë shtoheshin prenotimet nëpër parukeritë dhe berberhanet më në zë të Tiranës.

Por ja që sipas të dhënave më të fundit, konstatimi i mësipërm rezulton shumë i thjeshtuar, sipërfaqësor, dhe nuk e rrok gjithë panoramën shumëngjyrëshe të estetikës parrukeriste të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

***

Të dhënat e një studimi specifik për këtë çështje, janë publikuar së fundi në një raport të kopsitur të Qendrës Internacionale të Matjeve Empirike, QIME, të cilit Patronazhisti e ka lexuar me krehër në dorë.

Sipas raportit mbresëlënës të QIME-s, rezulton që rituali i krehjes së qeverisë shqiptare nuk kufizohet dhe as kushtëzohet nga ndonjë proces djegieje, qoftë ky fshat, pyll, landfill apo kazan plehrash. Kësisoj, bie poshtë miti fëminor se një ministër apo ministre mund të krihet vetëm kur filan fshat digjet.

Përkundrazi: Studimi konstaton se anëtarët e kabinetit dhe kryeministri janë krehur rregullisht edhe kur Shqipëria përmbytet, vidhet, i rrëshqasin rrugët, i hyjnë drejtorët në burg, apo i grabiten për të dhjetën herë të dhënat personale të shtetasve.

Kështu, gjatë përmbytjeve të fundit, statistikat e QIME-s thonë se ministrat meshkuj kanë ndërruar mesatarisht nga dy modele flokësh, ndërsa ministreshat kanë alternuar në balluket e tyre nga tre nuanca bojë flokësh secila. Ndërsa për arsye që nuk varen nga ai, bën përjashtim kryeministri, i cili për kompensim është shfaqur herë me mjekër të gjatë, herë të shkurtuar, herë me vijë në mes dhe herë të krehur anash. Vlen për t’u shënuar se pavarësisht përmbytjeve dhe përqindjes së madhe të lagështisë në ajër, krehja është kryer në të thatë.

***

Një shkëlqim i veçantë i krifës së anëtarëve të kabinetit qeverisës u vu re pas zhdukjes misterioze të një sasie vere të shtrenjtë prej miliona eurosh, që SPAK kishte lënë leshtë për ta sekuestruar. Sipas ekspertes së QIME-s, Gërshëra Berberi, lloji i verës ekskluzive rekomandohej nga specialistët pikërisht për forcimin e rrënjës së flokut, duke hedhur kësisoj hije dyshimi se ajo mund të ishte konsumuar me goditje të përqëndruar nga ministrat, me ndihmën e drejtuesve të institucioneve të pavarura.

Por një epidemi e vërtetë krehjeje masive është regjistruar pas bllokimit disa-ditor të aksit Elbasan-Korçë, kur rruga e re e Korridorit 8 që ndërtohej lart në faqe të malit, ra poshtë dhe u bashkua në rrugën e vjetër, pastaj të dyja bashkë tërhoqën zvarrë linjën hekurudhore dhe disa ura, dhe u bashkuan me lumin Shkumbin.

“Është e qartë se tiku nervor i dikurshëm, që e lidhte krehjen implusive me djegien e një objekti apo sipërfaqeje terreni, është i tejkaluar nga realiteti. Prandaj shprehja ‘fshati digjet, qeveria krihet’, duhet marrë me shumë rezerva”, theksoi zonja Berberi duke hedhur flokët mënjanë, “raporti ynë vërteton se qeveria shqiptare ka krijuar një varësi kronike nga krehja, pavarësisht se çfarë ndodh në vend”.

*** 

Duke qenë se përkushtimi me kohë të plotë në krehje permanente, logjikisht mund të lërë mangut shumë punë të qeverisjes, opozita shqiptare me të drejtë po kërkon prej kohësh që kjo qeveri të largohet. Aq më tepër që subjekti më i krehur nga ministrat rezulton të jetë buxheti i shtetit.

Për këtë arsye prej disa muajsh, opozitarë me flokë të shpupurisur ku kanë bërë fole dallëndyshet, po organizojnë protesta pas protestash.

Por herën e fundit ndodhi një incident. Disa opozitarë 15-vjeçarë nga Mamurrci hodhën shishe me benzinë mbi ish-rezidencën e diktatorit komunist dhe i vunë flakën. Nuk dihet se për ç’instikt të vjetër, sapo kreu i opozitës pa ndërtesën që po digjej, deklaroi i mallëngjyer:

“Më jepni një krehër!” 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që krihet me karar  


Video