TIRANË – Në fillim e provoi me Zegjinenë. Kur Bella i çoi videon ku juristja nga Roskoteci ndiqte këmba-këmbës Baz Gardhin nëpër serrat e kastravecave, Të Gjatit i ndritën sytë. “Këtë telendaren bëje deputete, sille në Tiranë,” i tha, “por do ta porosisësh të bërtasë sa më shumë në Parlament. Po nuk u ngjir, e hoqa, kështu t’i thuash. Duhet të prodhojë nga dy lajme në ditë që të devijojmë vëmendjen nga bëmat e tua, grifshë!”.
Bella u vrenjt dhe bëri t’i thoshte, “unë vetëm urdhrat e tua kam zbatuar, zoti Pallosh”, por e mbajti veten dhe e zbatoi porosinë.
Sa më shumë SPAK-u e shtrëngonte lakun, aq më shumë Të Gjatit i duheshin diversione, ngjarje alternative për të shpërndarë vëmendjen. Por për bela, aq më tepër i dilnin tendera të vjedhur, zyrtarë në kërkim, tunele që kullonin, rrugë që i merrte lumi e lumenj që merrnin me vete ura.
Derisa erdhi puna që korçarët dhe pogradecarët që kishin ngecur në Tiranë dhe donin të ktheheshin në shtëpi, duhej t’i binin nga Selaniku.
***
Zegjineja nuk dha rezultatet e shpresuara. Kjo për faktin se I Gjati e kishte mbushur parlamentin me kaq shumë hunj e kërcunj, saqë talenti i zbuluar nga Bella çuditërisht dukej qenie normale. Aq më shumë që përballë deputetëve trogloditë të Doktorit, ndonjëherë Zegjineja ngjante edhe si akademike.
Atëherë e provoi me Bordin e Paqes. E shpalli me të madhe se Trampi i kishte çuar letër personale ku shkruhej, “për inat të SPAK-ut, aman hajde të bëjmë rezorte paqësore në Gaza, se vetëm tek ti kam besim”. Doktori lojti mendsh nga zemërimi, doli e tha se ftesa ishte për Shqipërinë që ai e kishte futur në NATO, jo për Të Gjatin. Por SPAK-u prapë s’e prishi terezinë.
Kur shkoi në Uashington, mendoi dhe një truk tjetër. Do thoshte se OKB-ja ishte kot, se Trampi ishte guruja i paqes globale dhe se Shqipëria do ta çante rrugën drejt Bashkimit Europian duke pasur në ballë mësimet e shokut Donald. Bile çastin e fundit bëri dhe improvizimin e madh:
“Tani do flas pak për Hashimin,” tha, “që e ka arrestuar i njëjti prokuror që arrestoi njëherzaj zotin Tramp. Ju ftoj, o gjigand i njerëzimit, të bëni presion të lirohet Hashimi nga Haga, se SPAK-u ynë fle gjumë, nuk e ka vënë fare ujët në zjarr!”
***
Çuditërisht, shumë pak zhurmë u bë. Publiku u kthye sërish te milionat e vjedhura, dokumentet e prokurorisë dhe deklaratat e drejtorëve të Bellës nëpër rrugë, që thoshin se do bënin studime gjeologjike se përse ra rruga, kur akoma dhe Zegjineja e kuptonte se studimet gjeologjike bëhen para se rruga të ndërtohet, jo pas.
I Gjati kujtonte me nostalgji kohët kur edhe një e kollitur e tij, bëhej lajm një javë rresht. E kuptoi që s’kish nga ja mbante.
Pasi mbajti shtatë orë fjalim në mbledhjen e socialistëve, dhe pasi sallën ose e kishte zënë gjumi, ose u kishte plasur veshka se nuk shkonin dot në tualet, deklaroi ndryshime drastike në qeveri: Bella do largohej!
Por edhe këtu e bëri një diversion. Bashkë me Bellën, hoqi dhe Episa Spirodhallën nga Ministre e Jashtme. Të shkretës i ranë të fikët, dhe shyqyr që e përmendi shoku Ulsi me një shishkë raki që mbante në xhep.
Por prapë vendi nuk ra në qetësi. “Ç’është kjo punë”, tha më vete, “vetëm tek paratë e paskan mendjen këta njerëz xhanëm?”
***
Atëherë iu kujtua Sandër Vuçiçi. Kishte histori të bukura me Sandrin. Sa herë e shante, bënte lajm. Sa herë shtrëngonin duart, zienin mediat. Sa herë bënin plane të ndanin Kosovën, zienin korridoret e diplomacisë. Eh, çfarë vitesh!
E mori telefon dhe i tha: “Sandro, si thua të bëjmë një editorial të përbashkët? T’i themi Evropit të na fusi në Union kështu siç jemi, nuk duam as të drejtë vetoje, as qiqrra në hell. Do bëhet nami, ta garantoj. Se edhe ty të duhet një ngjarje e madhe tani!”
“Uë, në vënd mo, ta prish bratja tyja”, ra dakord Sandri, dhe fap, sajdisën një artikull dramatik për hallet e Ballkanit Perëndimor.
Po zhurma prapë zgjati vetëm dy orë. Ndërkaq Trampi i paqes kishte zbritur nga Bordi për të sulmuar Iranin.
***
Të Gjatit iu sos durimi. Kishte përpara emisionin e tij të së dielës, “Hajt se Folim”, dhe nuk dinte ç’të thoshte. Nisi të flasë për ndryshimet në qeveri, të cilat si ministrat e shkarkuar, edhe ata të rinjtë, i kishin marrë vesh nga televizori.
“Kush tha që ishin lëvizje të detyruara? Jo more shok, ehuhaaa, ato i kisha menduar prej kohësh. Ishin lëvizje të studiuara. Ç’lidhje ka korrupsioni këtu? Ranë rrugët? Korrupsioni ka zero lidhje, zero, zero, zerooo”.
Iu tha fyti. I duhej urgjentisht një gjetje. Befas u ftillua që Trampi po i vinte flakën botës vetëm për të larguar vëmendjen nga dosjet Epstein. Kjo është!, tha me vete.
“Më akuzoni mua, ministrat dhe drejtorët e mi, se kanë zhvatur buxhetin e shtetit, se po shesim Shqipërinë copa-copa dhe kemi larguar shqiptarët nëpër botë! Këto janë shpifje. Unë gjithë këto kohë vetëm një merak kam patur… Çështja është se unë jam përzier me ca fëmra, atje në Amerikë… Më mori Xhefri në qafë… Shkurt muhabeti, unë jam në dosjet Epstein!”
Dhe me një buzëqeshje të kënaqur, iu afrua mikrofonit.
“E di, shumë gabim kam bërë. Që nga ajo ditë, sherr e shamatë kam pasur me gruan. Shumë skandal i madh është, por ja që e bëra…”.
P.S. Burimet për Patronazhistin bëjnë me dije se lajmi i fundit nuk ka lënë asnjë përshtypje tek opinioni publik. E pyetur nga ne, qytetarja Shkëndije Xixa deklaroi se që kur e ka parë yllin e botës gollomesh në fotografi shumë vite më parë, në një plazh nudist, e ka kuptuar që I Gjati është udhëheqës modern, pa tabu. “Është gjigand, është i paparë, le të shkojë dhe me vajza të reja se lodhet”, tha zonja Xixa, “vetëm se vjedh ca si shumë dreqi…”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike diversioniste