UASHINGTON, sa hyn, në të djathtë – Sado që I Gjati u përpoq ta kamuflonte udhëtimin në Uashington të Amerikës, sikur do merrte pjesë në themelimin e Bordit të Paqes, e vërteta ishte shumë më pak paqësore.
Propaganda qeveritare bëri të pamundurën për ta paraqitur udhëtimin stresues si një tjetër sukses të planit 5-vjeçar. Madje I Gjati përhapi llafin lart e poshtë se Donaldi kishte ngulur këmbë, me një miks dialektesh jugore amerikane: “Po nuk më ardhi ay miku I Gjatë këtu, në krie të triezës, i kam bërë naftën Bordit bashkë me paqen”.
O t’i vete, nuk ja prish dot shejtanit mo, kishte shtuar I Gjati me zë të lartë, për ta dëgjuar të gjithë. Por ajo që nuk dinin njerëzit, ishte se Trampi nuk e kishte ftuar, por urdhëruar Të Gjatin t’i vinte me një këmbë, se do ta pyeste për ca gjëra që kishte kurdisur shqiptari hebreo-bektashi në adresë të tij. Madje, mirë do ishte të merrte me vete edhe nja dy avoketër, tre noterë, katër këshilltarë ligjorë dhe pesë palë pranga.
Tjetra që nuk dinin njerëzit, ishte se gratë e qeverisë e përcollën shefin me sytë e përlotur, pa pikë makijazhi, me mjekrën që u dridhej nga ngashërimi dhe shamitë e zeza mbi kokë, duke vënë kujën: “Ku do na lësh ne të shkretat! Uuu korba unë, uue leshprera unë! O Donald, që e gjetsh nga mos e pandefsh, ç’punë ke ti me Të Gjatin tonë që mos u ngopsh jarebi”… etj etj.
I Gjati, i vrenjtur por me kokën lart, i paskësh qetësuar: “Mos qani për mua. Do kthehem shpejt. Po dhe në mos u kthefsha, për çdo gjë këshillohuni me Taulantin!”
***
Për sa më lart, vërtet njerëzia nuk i mori vesh kurrë, por ato i kishte parashikuar me saktësi milimetrike astrologia e njohur mediatike Andulla Ballabani.
Vetëm pak ditë përpara kësaj drame, Ballabani kishte deklaruar në televizort me një filxhan kafeje përpara: “Aha, nuk është shenjë e mirë kjo. Nën ndikimin e Jupiterit, qeveria jonë do merrka një haber nga qeveria javës tjetër. Shoh edhe një rrugë të gjatë për Të Gjatin. Pisk e paska punën. Uuu derëziu! Filxhani thotë se e paskan thirrur në degën e brendshme të Uashingtonit për ta pyetur. Rrezik në krye të javës, vjen e merr gazi i degës te dera e shtëpisë!”
Edhe më herët, astrologia Ballabani ka parashikuar rregullisht ngjarje dramatike me një saktësi që i ka bërë njerëzit t’i bien murit me kokë dhe kokës me grushte. Pastaj murit me grusht.
Duke patur në zotërim burime të pashtershme, që po s’rrodhën do pikojnë, si dhe falë aftësisë së saj teletapike, Ballabani ofron me një lehtësi të padurueshme informacione që kolegët e saj të rëndomtë në media, heqin picirin për t’i zbuluar dhe prapë nuk ja dalin dot.
Por virtutet e Andullës nuk kanë të bëjnë vetëm me aftësinë e lindur. Ajo është dhe shumë punëtore dhe e guximshme. Bile njëherë shkoi personalisht të intervistonte në një dhomë hoteli një diversant që donte të rrëzonte pushtetin popullor, sipas parimit, “në gojë të ujkut hedhim valle”. Dhe në fakt, kur rastësisht policia bastisi hotelin, e gjeti Andullën duke vallëzuar, dhe diversantin me gojë hapur!
***
Pavarësisht se ç’tregonin fotografitë e retushuara, Trampi e mori vërtet në pyetje Të Gjatin, në prani të dy hetuesve, tre topografëve dhe katër arkitektëve. Bile mësohet se i paska thënë:
“Pse nuk e lëshon Bella Balluken ti zotëri? Pse e bllokon SPAK-un? E di ti apo s’e di që unë e kam shumë zët korrupsionin? E di ti që mua më zë alergjia akute sa herë dëgjoj për udhëheqës që pasurohen duke shfrytëzuar postin? T’u vi rendë!”
Sipas burimeve të Andulla Ballabanit, I Gjati ishte spërdredhur me justifikime, jo po “kam qenë me grip”, jo po “më therin kryqet, ka shumë igrasi atje në Tiranë”, apo “pa merak shoku Tramp, se i rregulloj unë ato punë sa të kthehem”. Dhe u kishte shpëtuar prangave për qime, se Donaldit i kishte ardhur keq dhe i kishte thënë: “I kisha thënë Andullës se do të të arrestoja, por ta dish, hera e fundit që të fal. Kam patur dobësi për ty, dhe ja si ma shpërblen! Ik tani dhe mos e përsërit më.”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike astro-fizike banako-mediatike