JUSTIFIKIMI/ I Gjati i shpjegon të shoqes pse u puth dhe u nduk me amerikanen: Shiko, kjo ndodh në gjithë botën…

16 Mars 2026, 17:16Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati duke u ndukur me Kimin për hir të aleancës strategjike

TIRANË – Ishte një mbrëmje e vështirë ajo e para ca ditëve për Të Gjatin. Mendonte me vete se nuk do kishte ndjerë aq siklet edhe sikur SPAK-u t’i kishte futur në hapsanë gjithë qeverinë dhe ta detyronte të qeveriste me pastrueset e ministrive.

Dhe s’kishte faj. E shoqja se ku e kishte marrë vesh që I Gjati kishte pritur në zyrë në mes të natës Kimberlin, ambasadoren amerikane në Greqi, dhe ishte bërë tym. Ja dinte historitë Kimberlisë. Ish e fejuara e çunit të Donaldit (atij më pak budallait) kishte lënë aq shumë nam nëpër Amerikë, saqë edhe Trampi ishte skuqur nga turpi dhe kishte menduar Greqinë për ta degdisur sa më larg.

“Imagjino çfarë vampiri do jetë Kimi,” bluante me vete e shoqja e Të Gjatit, “të shkojë puna deri aty sa të ndjejë turp Trampi për këto gjëra! Ma mori në qafë burrin. Ky i shkreti s’ja thotë hiç për këto gjëra, i punon truri vetëm për mirë-qeverisjen, mirëqenien e popullit dhe përmbushjen e standardeve të BE-së!”

Dhe vendosi të veprojë. Ndaj atë natë, sa hyri në shtëpi I Gjati, ajo e priste në këmbë me një vështrim si shigjetë.

“Hajde hajde, afrohu se nuk të ha. Mos më rri te dera si hu gardhi!”

I Gjati parandjeu stuhinë. Duhet të shpikte diçka, dhe shpejt madje.

*** 

Këto vitet e fundit, zyra e agjitpropit në Kryeministri mund të thuhet se kishte bërë gjetjen më të madhe publicitare, me të cilën kishte kapërcyer çdo siklet, katrahurë e skandal. Kur u zbulua për herë të parë se të dhënat e gjendjes civile të shqiptarëve ishin përdorur nga kolegët tanë patronazhistë përpara zgjedhjeve, I Gjati doli e tha se kjo ishte normale, sepse edhe partitë perëndimore i numërojnë njerëzit e tyre për të ditur sa votues kanë. 

Kur sulmet e njëpasnjëshme kibernetike iraniane sakatuan e-Albanian dhe sistemet e tjera, I Gjati pohoi me krenari se nga këto sulme ishte goditur dhe Pentagoni, dhe jo më Shqipëria e vogël por krenare.

Këtij marifeti ja morën dorën dhe socialistë të tjerë të spikatur. Protagoniste u bë ministrja Episa Spirodhalla që thoshte lart e poshtë nëpër media se kot po bëhet zhurmë, se këto gjëra kanë ndodhur edhe në Francë, Itali etj.

Skema funksionoi. Kur filluan të binin në burg ose të arratiseshin ministrat e parë, I Gjati deklaronte tërë kapadaillëk, “e mo, s’keni parë ju kshtu gjërash nëpër filmat e Hollivudit?”

Kur rezultoi që AKSHI ishte kthyer në akshihane dhe ndante paratë brenda llojit si në arat e babait, I Gjati mërmëriste, “S’di gjë! Ashtu si në Perëndim, këto punë i di drejtësia. Unë di që drejtoresha e shkretë jeton me qera në një kasolle te Bregu i Lumit, ku natën i futen minjtë nëpër trup…”.

Por kulmi ishte kur filluan të shkërmoqeshin edhe rrugët nacionale nga pesha e rëndë e tenderave. Atëherë I Gjati, fap nxori një foto nga një fshat i braktisur në Italinë e Jugut: “Naaa, hapini sytë. E shikoni si ka rrëshqitur gjysma e fshatit? Apo edhe për këtë e ka fajin Bella Ballukja. Apo mos e ka fajin Meloni? Hë pra, kush dëgjoi krisma?”

E bukura është se edhe kur shkarkoi Spirodhallën nga ministria e Jashtme për hatër të Bellës, i tha Episës së shkretë: “Ti e di më mirë se unë, këto gjëra ndodhin edhe në Gjermani!”

*** 

Të gjithë këto sekuenca, Të Gjatit iu fanepsën brenda një sekonde. Mblodhi veten dhe iu afrua të shoqes:

“Hajde moj grua hajde, se e shoh që je alarmuar. Të thanë që më ka puthur me zor Kimberli, hë? E vërtetë, po unë s’doja. Po s’kam ç’ti bëj Trampit. Ai më mori vetë dhe më tha: Të lutem, lëre të të puthë e të të ndukë ca, se po erdhi prapë këtej, na mori në qafë shtriga”.

“Posi posi, të tha Trampi tyja! Prandaj e ngrite hopa, aq sa e fute në kryeministri në ajër, pa prekur fare në tokë? E di ti që ajo nepërka me minifund po ndan gjysmën e këngëtarëve dhe sportistëve të Greqisë nga gratë?” ja preu ajo.

“Edhe mundet,” ngriti supet I Gjati, “por ki parasysh se këto gjëra ndodhin në gjithë botën. Ne jemi vend i vogël, kaq mundësi kemi. S’mund të prishemi me aleatët tanë strategjikë për një minifund…”

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike si mjaft të tjera në gjithë botën 


Video