TIRANË, SHQUP, Rruga e Salës – Për hir të së vërtetës, ishte vendim i vështirë. Por Doktori është bindur se ishte për të mirën e tyre, dhe dikur anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë për ta falenderuar.
Kishte kohë që e bluante në mendje se duhej marrë një masë drastike. Populli i PD-së e kishte ulur vigjilencën, radhët nuk i kishte të shtrënguara si më parë, dhe disa mendjelehtë po binin pre e propagandës së huaj. Edhe Nul Moka e kishte paralajmëruar.
“Doktor,” i kishte thënë, “këta tanët kanë 12 vjet që shohin fshehtas reklama dhe filma të PS-së dhe kujtojnë se jeta andej matanë është fushë me lule. Disa bile dhe janë arratisur. Duhet të bëjmë diçka, të paktën t’u përjashtojmë nga partia familjarët”.
“S’ka gjë, Nul, le të ikin,” u pat përgjigjur Doktori, “do ta shohin me sytë e tyre se në PS njerëzit vdesin nga uria dhe do kthehen. Ne nuk do dorëzohemi para rrethimit anglo-amerikan. Dhe as do dënojmë fëmijët për fajet e prindërve, por do t’i bindim. Ikën ato kohëra!”.
***
Dhe Doktori urdhëroi mobilizimin e forumeve. Bashkimi i Gruas, Rinia Demokrate dhe Veteranët e Bashkuar Djathtas bënë mbledhje pas mbledhjesh ku u denoncua jeta e degjeneruar në PS, hajdutëria, krimi dhe droga, mashtrimi reciprok dhe xhungla sociale ku nuk ka asnjë pikë humanizëm, por ku njeriu për njeriun është karkalec i zgarës.
Të pranishmit morën zotime, premtuan se do të vijnë çdo të hënë para kryeministrisë për protestë, deklaruan se nuk do përdorin më makinë, po gjithë benzinën e serbatorit do t’ja dhuronin partisë deri në shishen e fundit…
Por arratisjet nuk ndaluan. Edhe pse rrotull SHQUP-it u instaluan prozhektorë të fuqishëm dhe vetë Nuli bënte roje çdo natë, herë pas here pikaseshin hije njerëzish që kalonin bulevardin kryesor dhe hidheshin matanë në drejtim të Bankës Qëndrore, drejt PS-së.
Vetë Nuli kishte arritur të ndalonte vetëm nja dy prej tyre. I njohu se i kishte në grup-seksionin e vet. Por ata deklaruan se nuk po arratiseshin për arsye politike, por se kishin tezet, apo xhaxhallarët në anën tjetër: “Nuk do iknim për fare, sa të merrnim nja dy televizorë me ngjyra dhe do ktheheshim”.
Në fund Nuli i la, por porositi edhe një manjetofon për vete.
***
Në fakt, Doktori kishte të drejtë. Socialistët e vërtetë realisht po vdisnin për bukë. Atyre që kishin lokale, ua prishën. Kush donte ndonjë ndihmë me bujqësinë, të gjitha fondet i merrnin disidentët e Doktorit dhe bënin vila bujqësore në Dhërmi. Në punë shteti s’i merrte njeri. Bëheshin konkurse, garonin tre socialistë dhe punën në fund e fitonte një nga të arratisurit.
“Na duhen këta, duroni edhe pak”, u thoshte I Gjati, “se këta do t’u shkruajnë njerëzve të tyre matanë që këtu jetohet mirë dhe Doktori do mbetet vetëm, si kukudh”.
“Mirë shef, ti e di”, përgjigjeshin garuesit, “ne në Gjermani na ke, kur të lirohet ndonjë vend, na njofto”. Por nuk iknin të gjithë në Gjermani. Disa socialistë arratiseshin te SHQUP-i, që të riktheheshin në PS si të arratisur demokratë për të kapur ndonjë lek.
Megjithatë I Gjati nuk e prishte terezinë. Ai synonte goditje spektakolare në merkato, sidomos femra demokrate 25-35 vjeçe, drejtuese degësh apo sekretarica seksionesh, që i merrte, i nxirrte fotografi në fanellën e PS-së, i vinte të shanin jetën e zymtë e të palarmishme, pa perspektivë dhe pa pikë intimiteti tek PD-ja, dhe pastaj i emëronte drejtorevica në ndonjë cep. Por nuk u bënte naze as djemve, sidomos atyre pak të mbushur, me mjekër dhe me syze optike, që të dukeshin si të lexuar.
***
Largimi i fundit nga SHQUP-i, ai i një durrsakeje bukuroshe që e kishin vënë sekretare të marrëdhënieve me publikun, por që nuk pa me sy as marrëdhënie, as publik, i vuri kapakun durimit të Doktorit. Ajo, sa kaloi matanë, volli vrer në radiot e huaja kundër regjimit të Doktorit, denoncoi mungesën e demokracisë së brendshme dhe sajoi akuzën e përbindshme se Nuli ishte i trashë.
Tani Doktorit nuk i dilte në protestë as shtëpia e vet, as sa u detyrua të bënte marrëveshje, që katër çunat e Tikut që rrinë përnatë e luajnë tavëll te kryeministria, t’i merrte me qera për ndonjë orë.
“Ky është kulmi,” tha me vete, “rrezik edhe Nuli do ikte, po rri vetëm se e di që nuk e marrin!”
Atëherë vendosi të thërriste Këshillin Kombëtar.
“Ejani urgjent,” u tha këshilltarëve, “se do diskutojmë strategjinë e fitores dhe do caktojmë qeverinë hije, drejtorët, krerët e institucioneve të pavarura dhe kryebashkiakët e ardhshëm. Është porosi e Trampit”.
Si me magji, pas këtij njoftimi dolën nga hiçi dhe u mblodhën jo vetëm vendalinjtë, por edhe anëtarë të këshillit që kishin dhjetë vjet në Suedi, apo që punonin kamarierë në Trikalla prej kohësh.
Doktori i futi në sallën kryesore të SHQUP-it, urdhëroi çunat e vet të zënë dyert dhe shpërtheu:
“Doni të arratiseni ju, të shkoni tek ai dekadenti, i shthurruri që ju gënjen me drejtorira! Por harroni që ai ka gjithë partinë në burg se kanë vjedhur, prandaj ju do juve mor të mjerë, që të firmosni në vend të tij. Po a e dini ju se mund të kalbeni me 2-3 vjet burg për pesë milionë euro të qelbura?”
Aty e kuptoi që e shkeli, sepse Këshilli Kombëtar filloi të ziejë nga diskutimet: 3 vjet burg për 5 milionë euro, ja vlen, s’ja vlen; sa do bëje ti, ore unë dhe për dy milionë euro do bëja pesë vjet, punë e madhe; njoh një prokuror, do ma uli; a më lidh dot me ndonjë mik të të Gjatit…
P.S. (P.D. do duhej në fakt) Doktori u dorëzua. Zbriti nga podiumi, u bëri shenjë të vetëve dhe doli pa zhurmë nga salla. Këshilltarët as e vunë re, po vazhduan debatin e parave. Ai nxori një palë kyçe të lidhura me spango në qafë, mbylli dyert dhe bërtiti nga jashtë, “aty të ngordhni, maskarenj!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e dyzuar mes 3 dhe 5 milionë eurove për 2 vjet burg…