RRUGËDALJA/ U vendos: Javës tjetër opozita do protestojë me flamujt e ishujve Fixhi!

23 Mars 2026, 17:13Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Demokratë fixhianë duke protestuar

TIRANË/DOHA – Qeveria dhe opozita akuzuan ashpër njëra-tjetrën këtë javë, për keqpërdorim të moshave të vogla për qëllimet e tyre të ngrysura.

Kështu, socialistët në pushtet (ku gjysma e drejtorëve janë emigrantë demokratë me leje të rregullt qëndrimi), akuzuan demokratët se në protestat e tyre po shfrytëzojnë të miturit për të hedhur bomba me mazut – për shkak të shtrenjtimit të benzinës – ndaj ndërtesave qeveritare dhe policisë. Madje deklaruan se kishin foto dhe pamje, sesi adolishentat i udhëzonte në distancë vetë djali i Fariut, edhe pse ky i fundit, familjarisht është më i specializuar për bomba me paçe e pilaf, të cilat propozoi t’ua hidhnin uniformave blu që t’u rritej kolesteroli policëve.

Por nga ana e tyre, demokratët i akuzuan pushtetarët për hipokrizi. Në një deklaratë për shtyp që Nul Moka mund ta kishte shkruar edhe vetë, nëse do dinte gërmat, thuhet se të paktën opozita përdor nipat e vet – një i Pim Çekës, dy të Xhelal Derëziut etj – për të hedhur molotovët. Së dyti, opozita merr përsipër riskun që për shkak të mungesës së përvojës, një pjesë e shisheve ose të mos marrin flakë, ose t’u bien deputetëve të PD-së dhe vetë Doktorit. Dhe së treti, të paktën karriera në PD është meritokratike dhe fillon nga terreni, jo si socialistët që marrin kalamaj dhe i vënë në poste kyçe.

Patronazhisti konstaton i lemerisur, se nuk e besonte që do të vinte kjo ditë që Nuli të kishte të drejtë. E vërteta është se tani që niveli i drejtorëve veteranë të qeverisë, dmth grupmosha 30-35 vjeç, ose është në ndjekje penale, ose ka ikur në Dubai, ose nuk pranon të firmosë asgjë, I Gjati po detyrohet të marrë në punë studentë ose gjimnazistë.

Kështu nëndrejtori i ri i Portit të Durrësit është një specialist i regjur 23-vjeçar, i cili pikën më të fortë në cv-në e vet ka kërcimin që ka bërë në mbrëmjen e maturës. Ndërsa ambasadore e re e Shqipërisë në Katar, është emëruar nga Presidenti Barjam Beu një vajzë 25 vjeçare, për të cilën Barjami tha se “do ta bëjë mirë punën, sepse di katarezçe dhe jeton në Kataristan”.

Në këtë pikë, mësohet se një nga metodat e të Gjatit për të neutralizuar protestat e opozitës, është që t’u japë poste në qeveri adolishentave bombë-hedhës, pasi t’u bëjë një kurs të përshpejtuar për hedhje firme.

“Nëse djelmoshat e kanë ndarë mendjen të hyjnë në burg medoemos, të paktën të kenë bërë ndonjë lek më parë,” ka udhëzuar të vetët I Gjati.

***

Sikleti më i madh i Doktorit këtë javë, nuk ishte gazi lotsjellës që ja hodhi gabimisht Nuli në fytyrë gjatë protestës. Jo, ishte reagimi negativ i Gjermanisë për përdorimin e flamurit gjerman nga protestuesit teksa hidhnin molotovë e fishekzjarre.

“Flamuri gjerman dhe dhuna nuk shkojnë bashkë, ju lutem mos na bëni me llafe, hë xhan, se molepsen këto gjëra,” paralajmëroi ambasada gjermane.

Kryesia e PD-së u mblodh menjëherë më pas për të gjetur zgjidhje. U çuan mesazhe, u rrahën telefonat, por doli që asnjë nga vendet e BE-së nuk pranoi të përdorej flamuri i tyre në protestat e opozitës. Akoma më keq, as vendet kandidate nuk deshën. Bile Doktori u lidh me ca miq të vjetër në Beograd, por mori përgjigje se as Serbia nuk preferonte të përzihej me flamuj protestash, se kishte telashet e veta.

Zgjidhjen e dha Zeni, që u ndodh rastësisht në mbledhje.

“Bab, pse të mos tundim flamurin e ishujve Fixhi në protestën e javës tjetër? Pardje u kthye nusja ime që andej, është vend shumë i bukur, me palma, plazhe, demokraci të konsoliduar… Ja shifini fotografitë!”

Duke kundruar fotot e nuses së Zenit në plazhet e Fixhit, anëtarët e kryesisë ranë dakord njëzëri që me flamujt fixhianë, qeveria e Të Gjatit do palosej me siguri javën e ardhshme.

*** 

Bëri bujë këto ditë deklarata e Ministres së Luftës kundër Alfabetizmit, Mirela Kumbaraja, pas mbledhjes së qeverisë. Gazetarët e pyetën se cili është sekreti i suksesit të saj, që gjithmonë e ka një post në kabinetin e të Gjatit gjithë këto vite, ndërsa kolegët e saj venë e vijnë. Bile shumica venë dhe nuk vijnë më. Po e përcjellim më poshtë të plotë reagimin, që mos të na akuzojnë pastaj se sajojmë lajme të paqena:  

“Sekreti i vazhdimësisë sime në kabinetet e Lartgjatësisë së tij, sigurisht që nuk përfshin vetëm një aspekt. Dikush do thoshte se është promovimi i reçelit dhe likosë të Përmetit kur isha turiste e ministrisë… më falni, ministre e Turizmit. Një tjetër do thoshte se është leja që dhashë për dyqan salçiçesh në Parkun e Butrintit, apo mbrojtja që i bëra asaj pikës së vockël turistike në gjirin e Manastirit në Sarandë, që tani është hapur si njollë vaji dhe ka zënë edhe gjysmën e Korfuzit. Por unë mendoj se sekreti është udhëheqja largpamëse e Lartgjatësisë së tij, i cili natyrshëm që sheh më larg; aq larg, sa nuk do shikonin të gjithë ministrat bashkë, edhe sikur të hypnin njëri mbi tjetrin si në cirkun e Patosit.

E çfarë jemi ne, a derëbardhë; ne jemi kot, hiçër, boshllëk ku fryn erë! Ai është vizioni, ai është lidershipi, filozofia, fanari ndriçues, që marrtë nga ditët e Bellës dhe Spirodhallës, o Zot i madh! Apo kur i ngjit shkallët e kryeministrisë fap e fap, si flutur, dhe dritë bëhet gjithë ndërtesa që iu bëftë Mirela iu bëftë!....”

Kumbaraja kaloi në delir dhe për ndonjë çerek ore, pa e vënë se se kamerat ndërkohë kishin ikur dhe ajo ndërkohë po u fliste rojeve të hutuar të kryeministrisë.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se i vetmi flamur që meriton të tundet në një protestë shqiptare, është ai i Xhamajkës


Video