INCIDENTI/ Digjet Stacioni i Zjarrfikësve, policia: Nuk kishte sistem anti-zjarr!

16 Prill 2026, 17:53Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Stacioni i djegur i zjarrfikësve

TIRANË – Stacioni i Zjarrfikësve të Tiranës mori flakë dje, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Megjithë përpjekjet e elektricistëve dhe agronomëve që u ndodhën në vendngjarje, flakët u përhapën me shpejtësi pa u dhënë kohë të pranishmëve të njoftonin zjarrfikëset.

Sipas të dhënave të para, mësohet se stacioni i zjarrfikësve në fjalë nuk kishte sistem anti-zjarr, ndërsa zilja e alarmit të zjarrit nuk punonte prej dy vjetësh, për mungesë fondesh. Dikush në stacion u përpoq të telefononte zjarrfikësit, por askush nuk e ngrinte telefonin, pasi të gjithë zjarrfikësit e pranishëm kishin dalë jashtë për të kërkuar ndihmë.

*** 

Për fat të mirë, ngjarja dramatike nuk shkaktoi viktima, po të mos llogarisim krenarinë e lënduar të një grupi marinarësh që u ndodhën aty pranë, por nuk mundën të bënin asgjë.

“Dikush mund të thotë, si ka mundësi që ju marinarëve, gjithë ditën në ujë, nuk ju ndodh një kovë ujë për ta hedhur? Turp është, po ne kishim ardhur në Tiranë për një kafe dhe nuk ishim përgatitur,” tha për mediat marinari Marin Nari.

Ndërkaq, hetimet e deritanishme kanë zbuluar mangësi të mëdha në këtë stacion. Konkretisht, në stacionin e Zjarrfikësve mungonin fikëset, edhe pse zjarri ishte me bollëk. Pavarësisht se zjarrfikësit reaguan me shpejtësi, duke nisur urgjent makinat zjarrfikëse në liqenin e Pogradecit për të mbushur ujë, kur u kthyen gjithçka kishte mbaruar.

I pyetur nga mediat për cilësinë e punimeve të godinës, pronari i kompanisë kontraktore të ndërtimit, Flakërim Tymi, deklaroi se gjithçka ishte kryer sipas parametrave dhe ishte çertifikuar nga autoritetet.

“Ja ku i kam letrat,” tha zoti Tymi duke treguar dokumentet, “fasada është izoluar me kashtë orizi dhe gjethe misri, sipas standardeve. Sipërfaqja e jashtme është lyer me një shtresë bitumi për ruajtjen e energjisë, dhe në fund është spërkatur me naftë për të larguar mushkonjat”.

Pasi shfletuan gjithë dosjen, hetuesit e falenderuan ndërtuesin për gatishmërinë dhe i kërkuan falje për shqetësimin.    

***

Duhet theksuar se nuk munguan as akuzat se zjarrfikësit nuk ishin pajisur me mjetet e përshtatshme të punës, si veshjet speciale, kasketat, mjetet dhe materialet e tjera të punës; se nuk u jepeshin vaktet ushqimore sipas ligjit dhe as shpërblimet. Por këto i mohoi me forcë Ministri i Brendshëm Bestyt Kaçkavalli:

“Këto janë shpifje,” deklaroi ministri, “të gjitha këto mjete i kam unë në një dhomë të veçantë të shtëpisë sime, dhe secili nga zjarrfikësit mund të vijë t’i marrë. Edhe paratë i kam futur në një kasafortë të veçantë anti-zjarr, për t’i ruajtur. Madje ndërtesën e stacionit të zjarrfikësve e kishim siguruar nga përmbytjet dhe vullkanet!”. Dhe iu drejtua zjarrfikësve:

“Hë mo, flisni. Kërkuat ju gjë dhe nuk jua dhamë?”

“Jooo, ç’ne ai llaf, zoti Ministër, jemi shumë mirë,” thanë zjarrfikësit e nxirë nga bloza, duke u kollitur, “na vret zoti të ankohemi!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro fasadave të ndërtesave të veshura me dru pishe


Video