VIRGJËRESHA
Në jetën tënde do të hyjë si një fllad i freskët Episa Spirodhalla, e cila do të deklarojë se pavarësisht se Vëllai i Madh e nxorri nga loja, ajo e ka ndërgjegjen e qetë sepse nuk hyri për të fituar, por për të qenë vetvetja. Por përtej debateve interesante që do t’i japin tjetër ritëm shtëpisë më hajdute në Shqipëri – dmth PS-së – ti do kuptosh se Episa nuk e paska parë kurrë deri në fund filmin Skënderbeu, dhe nuk e dinte se në fund Mamica vritet.
PESHORJA
Largpamësia dhe shpirti yt i biznesit do të shpërblehet këtë muaj të bekuar, pasi të vendosësh të hapësh kumbaranë, ku pas një viti ke grumbulluar plot 24 mijë e 500 lekë të vjetra. Tani që i ke thënë fukarallëkut tutje, harxhoje këtë pasuri të pashpresuar për t’i hedhur karburant makinës, para se Bordi i Transparencës ta çojë çmimin tek 3 mijë lekë litri.
AKREPI
Hmm, së shpejti do të marrësh një haber nga qeveria. Dale pak… Jo jo, qenka një telefonatë nga kompania e dysheqeve se je përzgjedhur mes dy milionë shqiptarëve për të përfituar nga një ofertë e jashtëzakonshme që vjen vetëm katër herë në muaj: Nëse blen pesë dysheqe, të pestin e përfiton me dyfishin e çmimit. Nxitoni, nxitoni…
SHIGJETARI
Dijet dhe njohuritë e tua për traditat, zakonet dhe etnografinë e lashtë të popullit tonë do të pasurohen pamasë këtë javë, pasi të kesh ndjekur punimet e Festivalit të parë Foklorik Kombëtar të Gazetarisë.
BRICJAPI
Ndikimi i Marsit në shenjën tuaj do të lerë gjurmë të pashlyeshme që do të të duhen kohë t’i harrosh. Kjo sepse Marsi – Marsida pra, shoqja e vjetër e fakultetit – do të të kontaktojë pas 10 vjetësh duke pretenduar se keni patur një fëmijë bashkë atëhere, që ajo ta ka mbajtur të fshehtë. Tani i duhen ca lekë.
UJORI
Je një rast shkencor për t’u studiuar, sepse ti e sfidon në mënyrë flagrante shprehjen e lashtë popullore: Perëndia të jep ose bukurinë, ose mendtë, por asnjëherë të dyja. Në mënyrë të pashpjegueshme, ty s’të ka dhënë asnjërën.
PESHQIT
Është mëse e vërtetë që romancat e zyrës nuk janë të këshillueshme as nga ana etike, as nga ajo shëndetësore. Fiksimi yt shkatërrimtar me aparatin e kafesë do vetëm që do të të lërë pa gjumë, por do të të japë dhe komplikacione shëndetësore.
DASHI
Me siguri që do fajësosh renditjen e disfavorshme të yjeve në shenjën tënde, për lajmet e këqija që do marrësh së shpejti. Por dije, se fakti që SPAK do të të thërrasë tetë herë brenda muajit nuk ka të bëjë fare me horoskopin e shkretë, por me ato 5 milionë eurot që ke futur në xhep para një viti, edepsëz!
DEMI
Mos u beso thashethemeve se doktorët shqiptarë kanë ikur të gjithë në Gjermani. Një pjesë të mirë të tyre i ke akoma në Partinë Demokratike. Problemi i vetëm është se shumica e tyre janë njëkohësisht dhe pacientë.
BINJAKËT
Ne jetën e secilit prej nesh, vjen një moment kur njeriu duhet të reflektojë me ndershmëri se kush është, sa vlen, çfarë vlerash ka, sa i ka dhënë shoqërisë, si ndihen nga prania e tij ata që e rrethojnë, a ka jetuar një jetë të plotë dhe me kuptim… Shtyje pafundësisht këtë moment.
GAFORRJA
Këtë herë është vërtet haber nga qeveria. I Gjati do të të kërkojë të marrësh me vete automatikun, granatahedhësin, pistoletën, bombat, shotgunin, thikat, dhe të paraqitesh urgjentisht në Bordin e Paqes. E vetmja alternativë tjetër që do të të japë, është të vishesh me tanga rozë, këpucë të kuqe me taka, një fustan prej tyli të hoooollë, dhe të paraqitesh urgjentisht në Bordin e Transparencës.
LUANI
Edhe pse je përpjekur ta shmangësh prej kohësh, ka ardhur koha që të vendosësh. Përpjekjet e tua për të rënë në peshë para se të fillojë plazhi kanë vetëm një zgjidhje: Anëtarësohu në Partinë Socialiste dhe merr pjesë në mbledhjet ku I Gjati mban fjalime 5-orëshe teksa ti përpiqesh të rrish zgjuar. Ose fillo punë në administratë, ku vetëm makthi i firmosjes nën presion të ndonjë dokumenti, do të t’i shkrijë të gjitha yndyrnat. Sigurisht që do të të shkurtohen nja pesë vite jetë, por ja vlen.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me hënë. Këtë herë xhindet na thanë të bëjmë horoskop me rastin e 1 prillit