TIRANË – Me një pamje të merakosur dhe sy kontrollues, deputetja socialiste, ish kryetare e Kuvendit dhe ish ministrja e Jashtme filloi menjëherë të inspektojë mjediset e parlamentit në seancën e parë pas shkarkimit si ministre.
“Pu pu pu, ku vete me këto perde demode more Piko Meleshi,” tha me zë mjaftueshëm të ulët sa për ta dëgjuar kolegët që kishte afër, “je dhe korçar medemek, djalë me gusto”.
Kaloi gishtin me kujdes mbi tavolinën e vet dhe hasi në pak pluhur.
“E tmerrshme,” psherëtiu, “që kur ika unë, këtë vend e ka mbuluar zhuli. Nuk u lihen burrave këto punë!”
Kritika të ngjashme, deputetja Episa Spirodhalla po bën kohët e fundit për gjithçka që ka të bëjë me funksionimin e parlamentit, qeverisë dhe Partisë Socialiste. Që kur u pushua befasisht nga ministria e Jashtme në kulmin e rinovimit të garderobës së kostumeve dhe fustaneve, të cilat e kishin transformuar 100% krahasuar me ato fundet e basmës 5 euroshe si përgjegjëse e vatrës së kulturës së fshatit, që vishte tek Mjafti, nuk gjente karar.
Po atë ditë që zbuloi se parlamenti ishte katandisur si dhomë konvikti djemsh, me çorape e shapka të hedhura andej-këtej, Episa vuri re befasisht se jeta parlamentare ishte në krizë.
“Mungon kontrolli, drejtuesit kujtojnë se kryesorja është procedura,” deklaroi ajo duke parë nga kryetar Pikua, “Kuvendi është në krizë se prodhon vetëm tension por jo politika qeverisëse! Grupi parlamentar socialist është inekzistent! Na duhen institucione që funksionojnë, jo që thjesht ekzistojnë!”
Përpiqej i shkreti Piko ta qetësonte me takt, “moj je në terezi ti, eja në vete me çupë”, po ajo hiç. Atëherë Pikos ja bëri me shenjë kryetari i grupit, Taullau: “Lëre se është e mërzitur, do t’i kalojë…”.
***
Dhe në fakt, e shkreta nuk kishte faj. Nga ministre shteti, në kryetare Kuvendi dhe pastaj Ministre e Jashtme, kishte vite që Episa ishte në botën e çudirave. Në sallën e Kuvendit bënte batuta me Të Gjatin duke tallur Doktorin, në mbledhjet e partisë hynin e dilnin bashkë duke diskutuar mbarëvajtjen e punëve, dhe kujtdo që afrohej, i hakërrehej, “na lër tani, nuk e sheh që jemi të zënë?” Në takimet e fushatave elektorale, i pari ecte I Gjati dhe gjysmë hapi më pas ishte ajo, rrezatuese dhe e qeshur që Shqipëria më në fund kishte fatin e bardhë të drejtohej nga ata të dy.
Në çdo bisedë me delegacionet e huaja, një e dy thoshte, “për këtë çështje, unë dhe I Gjati mendojmë se…”. Kur merrte ndonjë vërejtje ose ankesë, deklaronte e vrenjtur: “Ashtu hë? E çuditshme. Do e ketë bërë Bella me kokë të vet, se unë dhe I Gjati nuk dimë gjë”.
Kur i erdhi lajmi se SPAK-u i kërkonte imunitetin Bellës, Spirodhalla ishte me Kosin, komisioneren europiane të Zgjerimit. I vajti buza vesh më vesh dhe i tha në mirëbesim Kosit: “Epo, ai stan atë bulmet ka!”
Mirëpo për dreq, atë momentin e haresë ja fotografuan dhe e botuan në të gjithë mediat. Dhe jo vetëm që Bella ja bëri benë, por as I Gjati nuk ja fali.
“Kush është kjo që gëzohet pa lejen e partisë? Unë dua rregull dhe disiplinë,” bërtiti ai. Bella nga ana e vet, pasi kishte muaj që rezistonte, vendosi të bëjë sakrificën finale.
“Unë do iki nga qeveria,” i tha Të Gjatit, “po do heqësh dhe atë nepërkën se nuk e duroj dot! Unë kaq vite bëj të pamundurën dhe nuk dobësohem, ajo bën të pamundurën dhe nuk shëndoshet! Lëre deputete të thjeshtë të lajë pjatat!”
***
Ishte për vizitë zyrtare në Kosovë kur i erdhi lajmi i shkarkimit. Në momentin e panikut të parë, i tha Vjosës: “Më paska shkarkuar Skënderbeu! A ke ndonjë vend si zëvendëspresidente?”
Por Vjosa ngriti supet: “Unë dhe dy muaj jam për vete. Çka me t’than motra!”
Për hir të së vërtetës, Albini i ofroi një vend në qeveri, sepse edhe I Gjati i kishte vjedhur ministra dhe i kishte bërë drejtora në Shqipëri, por e paralajmëroi: “Nuk e di sa do zgjasë, se mund të kemi prapë zgjedhje për katër muaj!”
Atëherë vendosi të rrijë deputete socialiste, se kishte edhe tre vjet të tjera mandat. Por Albinit i tha tjetër gjë:
“Të falenderoj për konsideratën, zoti kryeministër. Por unë do kthehem në Tiranë të luftoj për Shqipërinë. Se nuk e di a e ke vënë re, por atje ka plasur një korrupsion i madh, qeveria është e lidhur me krimin, ekonomia është e bllokuar nga oligarkët ndërsa partia jonë historike është asfiksuar nga diktati i Njëshit. Le pastaj parlamentin që e ka mbuluar pluhuri dhe s’i kalon kush një fshesë e një leckë!”
Albini qeshi: “Vërtet? S’më kishte rënë në sy. Hera e parë që e dëgjoj!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro kritikëve që nisin të vënë re difekte vetëm pasi bien nga fiku