MANUAL/ Si të shpalosni erudicionin pa thënë asgjë tuajën, kur komentoni për çështje madhore!

13 Prill 2026, 17:07Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilustrim i thënies së famshme të Hana Arendt mbi mustaqen e majtë

Nga TARIF ZEKTHJA

ANDON ZOGAJ

Politika, ka thënë veterineri i njohur italian i shekullit XIX, Xhorxhio Paçavuri, është një nga mënyrat më të mira për të bërë pasuri ose për të rënë në burg. Ose për të bërë para nga burgu.

Të vjen në mend kjo thënie, kur shikon se sistemi ynë politik është në një krizë shumëpërmasore dhe të thellë. Ju do thoni, mos na fusni në ato ujëra, se ne i kemi hesapet e ndara me kulakët. Dakord, por siç ka thënë Habermasi, “Pica është mirë të hahet e ngrohtë, ndërsa gruri i dizinfektuar me granosanë, mund të konsumohet pasi të ketë bërë dy-tri herë banjë”, prandaj dhe këto çështje duhen diskutuar me prioritet dhe elasticitet.

Le të sjellim këtu sentencën e matematikanit të shquar gjerman Lajbnic: “Hidhe, hidhe atë kovë me ujë. Por ta dish se uji, ashtu siç zbret poshtë, edhe ngjitet lart!”

Akoma më mirë do na vinte në ndihmë reagimi i Albert Ajnshtajnit, kur i thanë se ja kishin parë të birin duke bërë dashuricka qosheve me atë aguridhen e Perikliut: “Më thonë Albert Nuçi Ajnshtajni mua! Dua nuse me rrogë në shpi unë!”

Kjo sepse politika është mundësia e artit të së pamundurës për të mundësuar mundjen. Do thoni ju, si është e mundur?

Më mirë se ne, këtë e ka ilustruar filozofi Bertrand Rasëll në një nga persiatjet e tij mbi politikën, në traktatin me titull: “Si të ushqejmë lopët e racës me metoda matematikore”. Ja ç’thotë ai, në këtë paragraf që i vjen fiks për shtat realitetit shqiptar:

“Po atë pushkë në krah, për çfarë ta dhanë? Për të qëlluar kundër meje, kundër vëllaut tënd, kështu? Ah mor Arif mor Arif, do vijë një ditë që do të të vijë turp për këtë që po bën!”

Nga ana tjetër, është hedhur kohët e fundit teza se për t’u futur në një mjedis normal demokratik, Shqipërisë me sa duket do t’i duhen zgjedhjet e parakohshme. Por, po të citojmë Karl Poperin:

“Një sekondë more shokë. A jemi të sigurtë se në fshat ka drithë? Po edhe në pastë, kaq shumë dhe kaq shpejt, ne nuk jemi në gjendje ta mbledhim. Qyteti po tret dhjamin si ariu dhe nuk e dimë a do t’i mjaftojë deri në pranverë…”.

Sigurisht, dikush do të përdorte për kundërvënie shprehjen e famshme të Sokratit: “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë më pëlqen mishi i kecit”.

Por ne i kujtojmë Makiavelin: “Jo pikturist, zonjë, por skulptor, një shkallë më lart. Unë bëj kuaj me çizme meksikane dhe zhaba në allçi. Kështu me punë jam si biçim llogaritari, por pasioni im i vërtetë është arti. Mama!”

Prandaj është që mirë që kështu siç jemi, t’ja mbajmë një orë e më parë për në fshat, dhe t’ja qajmë hallin fshatarit tonë patriot.

Besojmë se është në këtë pikë, është momenti për të rilexuar Hana Arendt. Ja çka thënë ajo për status quo-në politike, me një shprehje që tingëllon aktuale sot më shumë se kurrë: “Qazo! Kur të shkul mustaqen e majtë, ti shkrep topin e djathtë. Dhe kur të shkul mustaqen e djathtë, ti shkrep topin e qendrës së majtë në aleancë me socialdemokratët!”

Por sa e zbatojmë ne këtë porosi? Pak, për të mos thënë aspak. Prandaj dhe jemi në këtë gjendje, të cilën e ka përshkruar aq mirë në vitin 52 të erës sonë, latini i mencur i filozofisë së stoicizmit, Seneka: “Fili matris Selman, tu primum flere debes”, që në shqip do të thotë: “Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë”!    

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike që u rekomandon opinionistëve të rinj të përdorin sa më shumë thënie mendimtarësh e filozofësh në shkrimet e tyre, në mënyrë që të mbetet sa më pak, ose aspak vend për të thënë çfarë mendojnë ata vetë


Video