ARSIM CILËSOR / Pas ftesës së Taullaut, Merkel merr autobuzin e parë për të vizituar shkollën e Kazmës!

8 Prill 2026, 22:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Taullau, Angela dhe Rakipsi në këtë foto historike para shkollës së re të Kazmës

TIRANË/KAZMË/BERLIN – Agjencia e lajmeve Taulantische Zeitung njoftoi dje se ish kancelarja gjermane Angela Merkel mori autobuzin e parë të linjës Berlin-Tiranë, atë të orës 5 të mëngjesit, për t’iu përgjigjur ftesës publike të kryedeputetit socialist Taullau Bau të bërë pak ditë më parë.

Kujtojmë se Bau, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Kazmës, Rakips Uli, vizituan së fundmi shkollën e rinovuar 9-vjeçare të Kazmës, e cila mban pikërisht emrin e Merkelit.

Madje Agjencia Teleskopike Shqiptare raportoi se Taullau dhe Rakipsi “inspektuan” shkollën në fjalë, që domethënë se ata matën trashësinë e suvasë, nëse ishte sipas parametrave; cilësinë e bojës plastike, llojin e llampave dhe prizave dhe markën e karrigeve. Burimet nga vendngjarja pohuan se Taullau madje urdhëroi ndërrimin e një partie shkumësash për dërrasën e zezë, pasi nuk ishin sipas standardeve të BE-së, dhe kapi për veshi një brigadier punimesh, sepse zilja e shkollës nuk tingëllonte në re minor.

Në kuadër të kësaj vizite inspektuese, Taullau iu drejtua kamerave dhe i përcolli live zonjës Merkel, ftesën e parezistueshme për të vizituar Kazmën dhe shkollën e saj të re:

“Anxhi, mos përto po hidhu një vrap këtej. Nga Tirana të sjell unë në Kazëm me makinën time. Ti pensioniste je, ça do bësh gjithë ditën?”

Ftesën e përforcoi edhe kryebashkiaku Uli, i cili me elokuencën e vet proverbiale shtoi:

“Po për Zotin, mish e raki sa t’dush! Hajde se kena me ja kalu miiir!”

*** 

Kjo ishte arsyeja pse Angela Merkel, e cila sheh vetëm kanale shqiptare, iu përgjigj menjëherë ftesës të Taullaut. Tashmë dihet se prej 24 orësh, fotoja treshe e Taullaut, Angelës dhe Rakipsit është publikuar në të gjitha mediat kryesore të Bubqit, Fushë-Krujës dhe Mamurrcit, duke eklipsuar edhe lajmet për luftën e Jaranit dhe bllokimin e ngushticës së Karpuzit.

Por ajo që nuk dihet, është se Taullau nuk e ka për herë të parë ftesën e drejtpërdrejtë për personazhet që emërtojnë institucionet e ndryshme arsimore në vend. Problemi është se jo gjithmonë skema ka funksionuar.

Pak kohë më parë, me rastin e inaugurimit të shkollës “23 Dëshmorët” në fshatin Majtas të komunës Djathtas, ai nuk ngurroi të ftojë 23 dëshmorët që të jenë të pranishëm në hapjen e kësaj shkolle, por nuk dihet për ç’arsye, nuk mori përgjigje.

Megjithatë Taullau nuk e humbi kurajon. Pas rinovimit tërësor të kopshtit me drekë “Princesha e vogël”, ai ftoi princeshën të ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes, por kjo e fundit refuzoi prerë: “Nuk jam më princeshë o kokëqyp! Nuk e ke marrë vesh se jam divorcuar?”

Po ashtu, nuk mori përgjigje kur pasi inspektoi kopshtin “Pinoku”, shkroi në rrjetet sociale se do ndihej i nderuar që kopshtin e ri ta vizitonte vetë Pinoku. Një heshtje të çuditshme mbajtën edhe Konstandin Kristoforidhi, Abdyl Frashëri, Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, duke e bërë Taullaun të ndihej i ofenduar.

Megjithatë, gjërat ndryshuan për mirë kur Partia Socialiste vendosi të hapë Akademinë e Liderëve të Rinj. Dikush i propozoi Taullaut që akademinë ta quanin “Ali Baba dhe 40 Hajdutët”, me arsyetimin bindës:

“Si Aliun, ashtu dhe 40 hajdutët nuk ke nevojë t’i ftosh se i ke në parti!”           

Vini Re: Tani e kuptuat pse Patronazhisti si rubrikë satirike ka zgjedhur këtë emër. Nuk kemi nevojë të lodhemi shumë për të gjetur një patronazhist për inaugurimet tona: Tre në pesë shqiptarë janë të tillë


Video