TIRANË - Një studim i ditëve të fundit nga Shoqata për Ajër të Qëndrueshëm Ekologjik, SHAQE, ka zbuluar efekte suprizuese anësore pas rritjeve të njëpasnjëshme të çmimit të naftës për shkak të kapsllëkut të kanalit të Topuzit.
Kështu, një anketim në 500 persona, i kryer nga Shaqja me ndihmën e një donacioni 200 mijë eurosh nga kompania Skuthi Oil, ka konstatuar se përtej ankesave për rritjen e çmimit të naftës, shtrenjtimit të biletave dhe të çmimeve të ushqimeve si efekt zinxhir, qytetarët kanë vënë re të çuditur se ajri i Tiranës dhe qyteteve të tjera të mëdha është më i pastër.
“U kënaqëm, na u mbushën mushkëritë me oksigjen. Rroftë qeveria,” deklaroi për Shaqen pensionisti Hazbi Lumëmadhi, “paska shumë më pak makina dhe urbanë nëpër rrugë. Me këtë ajër, nuk kam ç’e dua fshatin”.
Duket se nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë qytetarë të dobësuar me nga 3-4 kile secili, qarkullojnë nëpër rrugë.
“Isha tu prit urbanin gjys ore, u mërzita dhe ja vesha me këmbë,” pohoi për Shaqen, 38 vjeçarja Merushe Sallata, “kshtu më ka ndodh gjithë kët javë. Ke parë ti që kam ra tre kile? Edhe burri osh t’u m’pa me tjetër sy”.
Ndërkohë, rënia në peshë është ndikuar edhe nga fakti që me rritjen e çmimeve të ushqimeve, frutave e perimeve, shqiptarët kanë reduktuar si numrin e vakteve, ashtu dhe nivelin e mbushjes së pjatës.
“Ndihem i lehtë si gjeth,” u prononcua 67-vjeçari Sotir Keci, “dhe mirë që ma kujtove: Më porositi gruaja të dal nga parku i liqenit se mos mbledh ca gjethe e ca lakra për sot në drekë”.
Sipas shkencëtarëve, varësia e çuditshme mes bllokimit të ngushticës së Kallauzit dhe ngushtimit të stomakut, është një dukuri që duhet studiuar më me seriozitet. Nëse kjo varësi konfirmohet plotësisht, gjasat janë që kjo metodë të aplikohet në shkallë të gjerë.
Sipas ngushticologut Fran Ulluku, “nëse vërtetohet se mes zënies së ngushticave dhe ajrit të pastër e trupave elegantë ka një lidhje shkak-pasojë, ne do të sugjeronim që të zihen edhe kanali i Otrantos, kanali i Korfuzit, kanalet kulluese, ngushticat mes pallateve etj. I bëjmë thirrje qeverisë ta mbajë çmimin e naftës lart, si malet tona kreshnike!”
Megjithatë, ka edhe nga ata zëra kritikë që nuk besojnë se kjo metodë do funksionojë në planin afatgjatë.
Duke folur për Patronazhistin, skeptiku profesionist Kanan Tafili, një negativ i pandreqshëm, tha se niveli i gjellës në pjatë është si niveli i ujit në liqenin e Fierzës:
“Fierza, po ra uji poshtë nivelit kritik, nuk prodhon më energji mor zotëri. Kështu edhe puna e pjatës. Mua ka një javë që më ka zënë stomaku rrjetë merimange se ka ngel pa punë. Rama ik!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që qarkullon me biçikletë