INTERVISTË EKSKLUZIVE/ I Jashtmi i Punëve të Ministrisë shpjegon idiotët: Ja e vërteta!

26 Maj 2026, 19:19Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Jashtmi i Punëve të Ministrisë për Europën, Hoxhë Feriti

  

TIRANË – “Jo jo, në asnjë mënyrë, këto janë tymnaja të atyre që duan të hedhin tym me tymuese ndaj punës së diplomatëve shqiptarë; por shumë shpejt do t’i dalë tymi kësaj pune,” deklaroi në këtë intervistë eksluzive për Patronazhistin, I Jashtmi i Punëve të Ministrisë për Europën, Hoxhë Feriti, ende pa e pyetur askush ndërkohë që intervista nuk kishte filluar ende.

Megjithatë, ai e përsëriti përgjigjen edhe kur iu bënë pyetjet tona gozhduese. Për më shumë lexoni intervistën.

 -Zoti I Jashtëm i Punëve të Ministrisë, ju falenderojmë për këtë fat të madh që ju ka rënë, të intervistoheni nga ne. Ça thuhet ndonjë gjë?

- Mirë, po ja, filloi vapa. Megjithatë, vendi juaj i bukur ka ndryshuar goxha. Unë vij herë pas here, edhe pse prej dekadash kam kaluar nga njëra ambasadë në tjetrën. Bile kur ndryshoi sistemi juaj, isha jashtë shtetit me shërbim dhe kur erdha, më thanë kshtu-kshtu puna. Si ore ndryshoi sistemi, u thashë, po mua më pyetët? Po thamë mos të të mundojmë kot, më thanë, meqë ti do dalësh prapë jashtë. Dola, ça t’bëja.

 -Po kështu në përgjithësi mirë?

-Birinxhi. Mblodhëm samitin e Diasporës, u kënaqëm. Dëgjo ca gjëra të bukra: Vendosëm të hartojmë Strategjinë Kombëtare të Diasporës; për këtë do bëjmë planin përkatës të veprimit; kjo i është ngarkuar Grupit Ndërinstitucional të Punës; Grupi do bëjë përpjekje shumëplanëshe; institucionet shqiptare dhe komunitetet tona jashtë vendit do kultivojnë një bashkëpunim të strukturuar; kësisoj do krijohen mekanizma efektivë për transferimin e ekspertizës…

Mos më thuaj tani që nuk ngele pa mend me sa të thashë! Do bëjmë çudira po t’them.

 -Një nga çuditë, mos është dhe heqja e kampit të emigrantëve ilegalë të Gjadrit që ndërtoi Meloni, pasi të hyjmë në BE? Se thatë diçka për këtë para ca ditësh, punë 5 vitesh thatë…

-Jooo, totalisht gabim! Deklarata ime u deformua nga ai gazetari, i cili kishte emër hyjnor, Edi, por për fat të keq mbiemrin e kishte Wax, që në Nju Jork i thonë dyllit. Ma ka bërë intervistën plastelinë, po t’them.

Unë thashë: Kampi i emigrantëve të ndërtuar nga zonja Meloni – që perëndia ja shtoftë ymrin - mund të mbyllet pas 50 vitesh, por ai maskarai ma hoqi zeron.

Shyqyr që ndërhyri kryeministri ynë madhështor dhe bëri korrigjimet e duhura. U konsultuam edhe bashkë… Çfarë, për këtë të nxirën poshtë syrit thua? Më ndodh ndonjëherë kur konsultohem shumë…

 -Je gjigand, përfundimisht. Tani do më thuash të drejtën: Ata shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mbushin mirë, hë?

-Ky është provokim! Unë pranova intervistën se ti si patronazhist, je dora jonë, mos e tepro tani. Unë nuk kam thënë kurrë “Po ata idiotët shqiptarë atje, çfarë thonë”! Në një grup të mbyllur uacapi me kolegë të Ministrisë, - që janë pak qelbsina, por ama profesionistë të zotë dhe diplomatë të përkushtuar – unë shkrova tekstualisht:

“Po ato idiomat shqiptare atje, si thuhen?” Domethënë ishte një bisedë për linguistikën e shqipes në ato treva. Se unë, ngaqë kam gjithë jetën jashtë shtetit, dhe vetëm së fundi kam ardhur brenda shtetit, duhet të përmirësoj gjuhën, you know?

Mos bjer dhe ti në kurthin e atyre idiotëve të opozitës. Na, shënoje se kam bërë një deklaratë të bukur para pak ditësh, plot me idioma:

“Këto janë tymnaja të atyre duan të hedhin tym me tymuese ndaj punës së diplomatëve shqiptarë; por shumë shpejt do t’i dalë tymi kësaj pune!” 

Unë madje për të sqaruar këtë keqkuptim, thirra dhe atë idiotin nga Shkupi për ta përgënjestruar. E dëgjove që tha para mediave: Jo, s’është e vërtetë? Kur ta thotë vetë i zoti i punës, ti pse kruhesh kot?

 -Po mirë, çunin e Xhep Meidanit që e keni ambasador atje në Shkup, do ta heqësh pse mbrojti studentët shqiptarë?

- Kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Unë shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme. Unë kam evoluar…

 -Na mo na, freno pak se s’ka njeri tjetër këtu, jemi vetëm. Po deshe, edhe e heqim këtë pjesë nga intervista. Ki besim.

-Shyqyr vlla, se sapo kam ardhur ministër, nuk kam njohur mirë Tiranën akoma. Kaq do ai Palloshi dhe të çon në ndonjë Taxhikistan…

 -Pa merak fare. Një pyetje e fundit: Po këta idiotët e BE-së çfarë thonë?

-Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend, të cilët krijojnë tymnaja pasi kanë tymosur ku e di unë çfarë, sepse duan të hedhin baltë pas perdes së tymit… Po e regjistron, po?

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-diplomatike anti-idiotike


Video