
TIRANË – Debatet, përplasjet, prezantimet e programeve dhe alternativave mes kandidatëve mbi rrugën që duhet të ndjekë Partia Demokratike, tashmë kanë mbetur pas. Shumë shpejt demokratët do të votojnë për kryetarin e ri të partisë, në një moment historik për të ardhmen e partisë më opozitare të opozitës shqiptare.
Analistët bien dakord se këto zgjedhje do të përcaktojnë kursin që do ndjekë këtej e tutje PD për të mbajtur socialistët në pushtet:
A do vijojë ajo rrugën e protestave konfrontuese dhe episodeve të dhunës, të frymëzuara nga lideri aktual, ku në jo pak raste protestuesit i kanë hedhur shishe molotovi njëri-tjetrit, kanë goditur pa dashje Nulin me çadër, ose u kanë vënë flakën reporterëve e fotografëve?
A do të zgjedhë drejtuesi i ri – nëse fiton – rrugën e dialogut me shumicën, në të mirë të vendit, ku pavarësisht dallimeve ideologjike e programore, partitë do të ulen bashkë për të përfunduar reformën e re territoriale dhe për të ndarë se cilat plazhe e zona bregdetare i takojnë njërës parti, dhe cilat tjetrës?
Këto dhe shumë dilema të tjera – përfshirë edhe sa grataçela e resorte turistike do të ndërtojë secila palë në muajt e vitet që vijnë – do të marrin përgjigje ditën e zgjedhjeve për kryetarin e ri.
*
Kandidatët e kanë mbyllur fushatën e tyre në qendër dhe në rrethe, dhe fjala e fundit tashmë i takon anëtarësisë. Sondazhet e kanë gati të pamundur të japin një panoramë të qartë se cili nga kandidatët është më i preferuar.
“Kjo pasi të tre pretendentët janë aty-aty me pikë,” tha për Patronazhistin sondazhieri i njohur Zalo Foshnja, “anketimi im i fundit tregoi se secili nga të tre merr 33.3% të votave të anëtarësisë. Nuk kam parë garë më të ngushtë se kjo!”
Kështu, edhe pse qëndrimi i gjatë në krye të partisë e ka konsumuar, mjaft demokratë duan që kryetari aktual Sali Berisha të qëndrojë ende në drejtimin e PD-së.
I pyetur nga Patronazhisti, demokrati i orëve të dyta Nuri Qypi deklaroi: “Unë nuk e ndërroj preferencën time për Sali Berishën. Ai ka qenë dhe president e kryeministër, dhe ua di marifetin punëve të hyqymetit. Kur thotë që do na sjellë në pushtet, kjo punë ka marrë fund. Bile çdo javë për pak sa nuk na sjell në pushtet! E keni parë kur mblidhemi përballë kryeministrisë dhe i shkojmë gjithnjë e më afër? Për punë dhjetë metrash, dhe ndonjë ditë do jemi brenda!”
“Rama ik!”, shtoi zoti Qypi.
*
Por ka dhe nga ata demokratë që mendojnë se lidershipi i partisë duhet rifreskuar.
I tillë është 55 vjeçari Gjon Mark Markagjon Gjekmarkaj, i cili deklaron se gërxhot e vjetër që e kanë asfiksuar PD-në duhet ta kuptojnë se koha e tyre ka perënduar.
“Prandaj unë votën time do ta jap për Doktorin,” u prononcua ai, “mjaft ma me vjetërsina. Nevojitet stil i ri në drejtim, ide të freskëta. Projekti i Doktorit për PD-në e re më ka bindur”.
Dhe Gjoni përmendi thirrjen e Doktorit që propaganda e partisë dhe thirrjet drejt masave punonjëse dhe fshatarësisë kooperativiste pa tokë të përqëndrohet më shumë në rrjetet sociale si uacap, fejsbuk, Tinder, OnlyFans etj.
“Ja një lider modern për një parti moderne siç i ka hije shekullit të 19-të. Para Doktor! Rama ik,” theksoi Gjoni, e bashkë me të edhe Mark Markagjon Gjekmarkaj.
*
Por nuk mendon kështu pedagogia 42 vjeçare Merita Sojsëzi, e cila ka milituar edhe në PS, pastaj në LSI, pastaj prapë në PS, më tej nja gjashtë muaj me Agrarët Ambientalistë dhe së fundmi në PD.
“Unë i njoh mirë të gjitha partitë, dhe ju them me bindje se PD-në e re nuk duhet ta drejtojë as Sali Berisha, as Doktori, megjithëse nuk kam asgjë kundër tyre. Vota ime këtë herë është për Doktor Berishën, ai e meriton!”
E pyetur se si ka mundësi që ka qenë në forumet e kaq shumë partive, zonja Sojsëzi pranon se ka qenë e gënjyer.
“Më kanë marrë në qafë, isha e re dhe naive,” tha ajo me pendesë, “por tani e dinë që s’më gënjejnë dot më, ndaj edhe socialistët, edhe lsi-stët me akuzojnë se kam vjedhur fonde kur kam qenë drejtoreshë dhe nuk kam dhënë pjesën tek udhëheqja. Po kaq ta bëjnë dhëmbin, unë tek socialistët nuk kthehem më!”
“Vetëm po më emëruan tek Albkontrolli, mund ta mendoj një herë. Rroftë Doktor Berisha,” shtoi Merita Sojsëzi.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që inkurajon larminë e alternativave dhe kandidatëve